“Don Kishoti” vjen në Tiranë, simboli i artistit bashkëkohor

Apr 4, 2016 | 17:00
SHPËRNDAJE

“Të qenurit artist do të thotë të zotërosh arsye dhe ëndrra”. Kështu do të shprehej dikur Thomas Mann. Edhe pse duket i dalë mode, i tillë është edhe Don Kishoti i Mançës. Apo ndoshta në ditët tona janë artistët ata që i ngjanë më shumë Don Kishotit…

Një paralele mes Don Kishotit dhe artistit, do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Për herë të parë, mbërrin në Tiranë kompania më e rëndësishme e dansit bashkëkohor italian në nivel ndërkombëtar, “Aterballeto”.

don kishoti

Mbrëmjen e nesërme do të ngjitet në skenë nën një këndvështrim të ri, vepra koreografike “Don Q. – Don Quixote de la Mancha”. Një vepër me koreografi të Eugenio Scigliano nën shoqërinë e muzikës spanjolle që datojnë prej shek XVII deri më sot, si dhe pjesë nga kompozitori finlandez Kimmo Pohjonen.

Përveç faktit që në Tiranë vjen një kompani baleti me famë botërore, e bën edhe më të rëndësishme këtë shfaqje prania në të e balerinit shqiptar Hektor Budlla. Madje është pikërisht ai që interpreton rolin kryesor, atë të Don Q.

Ashtu si Don Kishtoi, edhe Budlla përpiqet çdo ditë për të mbajtur gjallë dëshirën për artin, në një botë, ku ky i fundit, po bëhet gjithnjë e më i vështirë për të mbijetuar.

SHFAQJA Don Kishoti ka qenë gjithnjë në optikën e baletit, sepse koreografët janë në kërkim të vazhdueshëm të metaforave të fuqishme. Don Kishoti është arketip i një natyre njerë- zore të veçantë, ajo e një ëndërrimtari, dhe pikërisht për këtë është ngritur në mit, i aftë të tejkalojë epoka dhe kultura. Don Kishoti është unik, por nga ana tjetër kushdo nga ne mund të gjejë brenda vetes një Don Kishot.

hektor budlla

Këtë bën edhe koreografi italian Eugenio Scigliano në projektin e kompanisë “Aterballetto”, i cili kërkon të reflektojë në këtë personazh përpjekjet e njeriut për të ndjekur dhe realizuar idealet e veta, edhe pse realiteti është i prirur t’i mbysë ato.

Në Spanjën që po ndryshonte me shpejtësi dhe po braktiste rregullat dhe vlerat e veta, Don Kishoti lufton me pasigurinë dhe konfuzionin e kohërave të reja që po vijnë, teksa ndan “sekretet” e veta me mikun e tij shqytar, Sanço Pançën.

Në të njëjtën kohë, në një periudhë gjithashtu të çorientuar dhe të errët, Kalorësi i Sciglianos mishëron esencën e “të qenurit artist”, i cili lufton për ndjeshmërinë dhe të bukurën. Dhe nëse, në një mënyrë apo në një tjetër, e bukura do të shpëtojë, edhe alteregoja e Don Kishotit, Sança Pança, falë shkëmbimit të eksperiencave me mikun e tij, do të mësojë ta shijojë atë, për t’u mbijetuar vështirë- sive të ekzistencës.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura