“Do thoni ta dhamë timonin, kush dreqin u fut në burg?!” Edi Rama: Pyetje e dhimbshme por Vetingu nuk është gjykatë partizane, është fshesa që…

Mar 3, 2021 | 10:31
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama e konsideroi një pyetje të dhimbshme atë “përse nuk është futur askush në burg pas Vetingut?, por theksoi se ky proces është vetëm një element në zinxhirin e drejtësisë dhe jo një gjykatë partizane e vitit 1945.

Gjatë fjalimit të mbajtur sot në krah të ministres së Drejtësisë Gjonaj, kreu i qeverisë tha se Vetingu është fshesa e pastrimit të Pallatit të Drejtësisë nga llumi i 30 viteve me radhë.

“Mos harroni që për t’i nxjerrë ata nga ajo çadra u dhamë vende në qeveri e poste në administratë, duke u ardhur pas një avazi absurd, vetëm që të ktheheshin në Kuvend për të votuar Vetingun, dhe vetëm pastaj të hynin në zgjedhje. Ju mund të thoni po mirë ja ikën 4 vjet që kur ta dhamë timonin, kush dreqin është futur në burg, nga tërë ata që ju e dini dhe unë e di, bota mbarë e di, prej kohësh duhet të jepnin llogari para drejtësisë, dhe jo të shesin akoma dëngla patriotike, dokrra politike në sofrën e vendit.

Pyetje e dhimbshme me një përgjigje të dhimbshme, askush. Megjithatë miq më lejoni të jem krejtësisht i drejtpërdrejt, kush e ka menduar që Vetingu do të çojë njerëz në burg, fatkeqësisht nuk e ka mbajtur parasysh se Vetingu nuk është një gjykatë speciale partizane si ato të vitit 1945, është vetëm hallka e parë e zinxhirit të drejtësisë, është fshesa e pastrimit të Pallatit të Drejtësisë nga llumi i shtresëzuar 30 vjet me radhë, pastrimi nga ata që u pasuruan në mënyrë të marramendëse duke e kthyer drejtësinë në biznes dhe të drejtën në mall që shitet dhe blihet”, tha Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura