Dje Valbona, sot Uraka, nesër… Lana!

Mar 22, 2019 | 11:25
SHPËRNDAJE

NDUE DEDAJ  Ndue-Dedaj

Lumi i Urakës në bjeshkët e Selitës në Mirditë, ka marrë së fundi vëmendjen e publikut shqiptar. Është një lumë me disa karakteristika të veçanta dhe e udhës do të kishte qenë që të trajtohej si i tillë, për banorët në radhë të parë, por dhe për turistët vendës e të huaj, që gjithnjë e më shumë po e frekuentojnë atë areal turistik, fqinj me Lurën. Por jo! Ka disa vite që lumenjtë e Shqipërisë përbëjnë vetëm një lajm: ata po kthehen pa përjashtim në hidrocentrale! Si të mos ketë në këtë vend interes publik e kombëtar, por vetëm një dorë njerëzish që përfitojnë nga ky aksion i pashembullt i hidrocentralizimit të çdo burimi, gurre mali, përroi, lumi.

U protestua aq shumë për Valbonën, ende jehonën e saj e kemi në veshë, por hidrocentralet nuk u ndaluan. U protestua dhe për Vjosën, e përsëri mbi të derdhet beton, vihen tuba e ngrihen diga. Fani i Madh u mbush me hidrocentrale, duke gllabëruar me anë të një tuneli dhe ujërat e Fanit të Vogël!? Kemi lëvizur jo pak nëpër Shqipëri, duke u përpjekur të sjellim përmes një cikli reportazhesh panoramën e sotme shqiptare dhe ku nuk kemi parë hidrocentrale, gjithandej. Edhe mbi lumin e Cemit, pa të cilin nuk mund të kuptohen Alpet. Edhe në Grykën e Vanave në Kukës, në lumin që krijohet nga ujërat e Gjallicës etj.. Kudo e ngado, vetëm tubacione pafund dhe shkatërrim mjedisor.

Tani i ka ardhur radha Urakës. Të dielën u mblodhën në Kurbnesh banorët e saj dhe protestuan fort, pa harruar rrjetet sociale, mjaft aktive për ta shpëtuar lumin. I ka mbështetur ata opinioni publik dhe ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, imzot Gjergj Meta, duke u gjendur një herë në tri ditë mes tyre, si dhe duke folur e shkruar në mediat qendrore për këtë “blasfemi” të pushtetarëve, pa firmën e të cilëve nuk bëhet asgjë. Mirëpo, pavarësisht këtij sensibilizimi, Uraka me sa duket do të ketë fatin e të gjithë lumenjve të tjerë, që tashmë i kanë shtretërit bosh. Janë dy hidrocentrale që do të ndërtohen mbi Urakë dhe njëri, ai në rrjedhën e poshtme, ka filluar nga ndërtimi.

Në të vërtetë, nuk ka asgjë të fshehtë, në portale të ndryshme zyrtare janë të përshkruara të gjitha hidrocentralet që do të ndërtohen, vetëm se publiku i gjerë njihet me to në çastin e fundit, kur në fshat mbërrijnë tubat e mëdha, vinçat e rëndë dhe fadromat që shqyejnë malin. Por atëherë është tepër vonë. Ata që kanë nënshkruar “pafajësisht” në dokumentacionin e objekteve të reja hidroteknike, kur ballafaqohen me publikun u thonë njerëzve se nuk ka si të ndodhë ndryshe: si mund të lihen të shkojnë kot ujërat e përrenjve?! Do të zhvillohet ky vend apo jo? Do të bëhet ai fuqi energjetike në rajon?

Kush tha se nuk duhen ndërtuar hidrocentrale. Ka 70 vite që ndërtohen të tillë, duke filluar nga ai “Lenin”, në Lanabregas – Tiranë, hidrocentralet mbi Mat, Bistricë, Drin etj.. Ka pasur dhe hidrocentrale të vegjël, sa një mulli bloje, në zona të largëta, bile dhe në Kumbull – Mërkurth të Selitës, aty ku buron Uraka. Por është e paimagjinueshme që të hidrocentralizohet çdo curril uji nga Jugu në Veri, duke iu ndryshuar biodiversitetin zonave.

Nëse vlerësimi i ndikimeve pozitive dhe negative, në çdo rast iu përket specialistëve ta bëjnë, detyrë e shtetit është të bëjë transparencën e plotë me banorët dhe jo “sa me la gojën”, duke mbledhur firma andejkëndej, kinse banorët janë dakord.

Një gjë duhet thënë, kjo rendje e ethshme pas hidrocentraleve ndodh dhe se i ka gjetur malësitë të braktisura, të shkretuara, diku në 70 e diku 90 për qind, pasi banorët e palëvizur kurrë nuk do ta lejonin që t’iu rrëmbehej “malli” i tyre, me të cilin ata kanë jo vetëm kujtimet e një jete, por dhe interesat ekonomike, të vaditjes etj. Uraka, veç të tjerash, shquhet për një lloj trofte që nuk rritet tjetërkund dhe do të ishte i mjaftueshëm ky fakt për të mos venë dorë mbi të. Por dhe për arsye gjeomorfologjike: është lumi që buron në Mirditë e derdhet në Mat, rrjedh sa mbi tokë e sa nëntokë, diku humbet e duku shfaqet, duke krijuar një atraksion të veçantë për turistët. Mbi të gjitha, është lumi i vetëm i bjeshkëve të Kunorë – Valmorit, njërës nga perlat natyrore më autentike të Shqipërisë së Veriut, anash të cilit gjenden një varg shpellash ndër më të rrallat, si Shutrria etj..

Por këto janë vetëm pak radhë nga apologjia e Urakës, që na duken si një nekrologji e saj. Teksa nesër emra lumenjsh e përrenjsh të tjerë do të bëhen të njohur, për të njëjtën fatkeqësi që do të bjerë mbi ta, si ato të Arrëzit, Kaçinarit, Shpërdhazës në Mirditë etj., paçka se me kanione e ujëvara mahnitëse. Do të futën në tubacione, ani se për të prodhuar energji elektrike. Dhe, kur të mbarojnë të gjithë, mbase radhën do ta ketë Lana, lumi i urbanizuar i kryeqytetit!?… Zor të kursehet dhe ajo me këtë turr që kanë marrë hidrocentralet në Shqipëri e në të gjithë Europën Juglindore, që me sa duket është gjetur kjo mënyrë shfrytëzimi barbar i pasurive të tyre ujore, për t’i “integruar” në Europë!?

Edhe pse pa ndonjë shpresë se hidrocentralizimi i vendit do të ndalet, qytetarët dhe opinioni publik janë të vendosur të kërkojnë sot e nesër përgjegjshmëri të institucioneve të shtetit ndaj miradministrimit të pasurive natyrore të pakthyeshme të vendit, për çka duhet të jenë të patjetërsueshme.

Vetëm një qasje e strategji ndryshe nga kjo e sotmja, lidhur me shfrytëzimin e pasurive kombëtare: ujëra, pyje, minerale etj., do të ishte shpëtimi i tyre nga babëzia e sipërmarrjeve private dhe korrupsioni i administratës dhe jo deklaratat, sa herë “plas” diku, të ministrave të Infrastrukturës, të Mjedisit apo dhe vetë Kryeministrit, se ky apo ai lumë… me kanione nuk do të preket!

“Zoti” i lumenjve të Shqipërisë nuk janë qeveritë kalimtare, që e kanë sakatuar këtë vend për interesa ngushtësisht të vetat që tashmë dihen, por shqiptarët, të cilët nuk bëjnë kompromis me të sotmen për përfitime të paligjshme, pasi janë përgjegjës para historisë dhe së nesërmes. Prandaj dhe protestojnë si asnjëherë më parë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura