Disa vende pezulluan ‘AstraZenecan’/ Drejtori i Agjencisë Evropiane të Barnave sqaron: S’kemi prova se problemet janë shkaktuar nga vaksina! S’përjashtojmë faktin se…

Mar 16, 2021 | 18:39
SHPËRNDAJE

Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA), Ίmer Cook, në një konferencë për shtyp dhënë pasditen e sotme, ka folur për vaksinën ‘AstraZeneca’, si dhe trombozën e njerëzve që u vaksinuan me të.

EMA

Gjatë fjalës së tij, Cook tha i bindur se nuk ka asnjë tregues se problemet e mpiksjes së gjakut tek personat e vaksinuar, janë shkaktuar nga dozat e ‘AstraZenecas’.

Teksa sqaroi se vendimi për përdorimin e ‘AstraZenecas’ do të jepet të enjtes, Cook u shpreh se janë duke vijuar hetimet për të parë nëse tromboza është një efekt anësor i vërtetë i vaksinës, apo është një rastësi.

Teksa kujtoi faktin se Austria dhe një pjesë e vendeve europiane kanë ndaluar përdorimin e vaksinës, Cook nuk përjashton mundësinë që në një grup specifik mund të ketë pasur probleme në përgatitjen e dozave, që më pas mund të kenë sjellë këto komplikacione.

“Situata aktuale me vaksinën ‘AstraZeneca’ është shumë e rëndësishme. Ajo që kemi parë qartë deri më tani nga të dhënat paraprake që kemi studiuar janë pozitive për vaksinën. Ne kemi vendosur specialistë të trombozës për të shqyrtuar të dhënat e reja dhe evolucioni është në proces.

Në këtë kohë, nuk ka asnjë tregues se problemet janë shkaktuar nga vaksina. Por ne po vazhdojmë të vlerësojmë të dhënat për të parë: a është tromboza një efekt anësor i vërtetë apo është një rastësi?

Të enjten do të arrijmë në një përfundim nga të dhënat që kemi mbledhur dhe do të informojmë botën.

Ne studiojmë të dhënat që kanë dalë nga grupe të veçanta të vaksinës dhe nëse ato shoqërohen me efekte anësore. Austria “ngriu” përdorimin e një grupi specifik. Nuk mund të përjashtojmë që mund të ketë ndonjë problem në përgatitjen e vaksinës.

Prioriteti ynë është të sigurojmë administrimin e sigurt të vaksinës për evropianët. Ne duam që evropianët t’i besojnë vaksinës. Nëse konkludojmë se ekziston një problem i pazgjidhshëm, atëherë do të marrim masat e duhura”, deklaroi Cook.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura