Disa qëndrojnë në pushtet, sepse të tjerët nuk e duan mjaftueshëm atë…

Jun 3, 2023 | 9:00
SHPËRNDAJE

Nga Igli Tola

iglitola

Po kalon më shumë se një dekadë që na duket sikur shohim të përsëritur të njëjtin “film” çdo palë zgjedhje: fitore-pas-fitore nga njëri kamp dhe humbje, demoralizim e justifikime nga tjetri. Pa i hyrë në analizë deklaratave post-proces (edhe se shumica janë ripeticion motmot i atyre të para dy apo katër viteve, ku e vetmja risi është te “magnetofoni” që do të luajë kasetën), ajo që vërtetë përbën interes qëndron te evidentimi i problemeve të brendshme (sepse mjedisin e jashtëm, mund ta impaktojmë/ndryshojmë pak ose aspak – për analogji nga fusha e biznesit) dhe ndërmarrja e veprimeve për të ndryshuar kursin(fillimisht duke ndaluar “inercinë”, e vetëm atëherë mund të mendohet për fituar dalëngadalë epërsi).

E në kësi konteksti, Shqipërisë (e sidomos opozitës) do t’i nevojitej një model si ai i Nicolas Sarcozy. Jo ai i kohëve të fundit që mbajmë mend, me plot skupe e histori rozë me Carla Brunin, por ai 20-vjeçari student e lulishtar që tronditi Kongresin e “Union pour la défense de la République”, në pranverën e 1975. Partia “Goliste”, po përpiqej të riorganizohej pas një disfate të thellë elektorale atë vit, e për këtë kishte thirrur një kongres të hapur, prej disa ditësh në Nice.

Siç edhe rrëfen vetë Sarcozy, në librin e tij “Pasione”, kishte plot mëdyshje e hezitim ditën që doli në podiumin e sallës së tejmbushur për të mbajtur atë fjalim monumental, që turma e duartrokiti, anëtarët e vjetër të partisë e dalluan, e ndërsa drejtuesi i atij kongresi, Jacques Chirac, e ftoi në Kryeministri të hënën e parë pas eventit. Pa ndonjë eksperiencë të mëparshme në politikë apo ndonjë synim të qartë, ai lëkundej mes shumë frikërave. I rritur në një familje të thjeshtë, në mungesë të babait, i lidhur ngushtë me gjyshin, që punonte teksa ndiqte studimet; kishte drojën mos e dreqoste para turmës së ekzaltuar; por jo, ai ngjalli besim te ta, ofroi platformë dalje nga kriza momentale dhe siguroi mbështetjen e shumicës për të bashkëpunuar.

Sarcozy i bëri ata që së pari ta donin pushtetin dhe më pas gjenin rrugën drejt rimarrjes së tij. Sepse siç ndodh në çdo disiplinë/ fushë tjetër, edhe në politikë nuk mund të arrish diçka që nuk e do. E kështu disa vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet, sepse të tjerët nuk e dëshirojnë mjaftueshëm atë. Kjo është kryesisht një frymë që injektohet nga lidershipi, e bëhet normë duke e ndjerë çdo anëtarë i organizatës. Por, kur i mungon realisht “uria” për fitore liderit, nuk ka sesi të shkohet në “gjueti”, se rezultati është i pritshëm; njësoj si ato anekdotat me gjuetar që këshillonin: mos dil për gjah, me zagarët të ngopur.

Historia ka dëshmuar se loja politike nuk është një “one-stop-shop”. Rrëfimi i Sarkozy në libër është një leksion për aspiron që majat e politikës, pasi injekton rëndësinë e nervave të ftohta dhe kristalizimin e qëllimit, por pa më të voglin ngurrim është një elozh për pasionin. Pa pasionin në thelb për politikën, për terrenin, për turmat, për fitoren, për revanshin politik, e sigurt se nuk do ta arrinte majën e pushtetit në Francë, edhe sikur rrugën ta kishte gjetur të parashtruar. Se karrigia e pushtetit edhe n.q.s. trashëgohet/dhurohet, por nuk e mban dhe konsolidon dot përgjatë se konsumohesh shumë shpejtë.

Detajet si: guximi për të marrë vendime e grinda për të rriskuara janë episodike, por edhe determinate. Dëshmi për këtë janë zgjedhjet evropiane të vitit 1999 ku tregohet dallimi mes “kafshëve” politike. Philippe Séguin, koleg i Sarkozy dhe kryetar i partisë “Rassemblement pour la République”, një muaj përpara votimeve, për shkak të problemeve të brendshme jep dorëheqjen, fik telefonin dhe thjesht zhduket. Një impuls i çastit, por që rezultoi të ishte edhe vetëvrasja e tij politike. Kurrë më nuk mori ndonjë post të qenësishëm. Ndërkohë, Sarkozy e gjeti veten kryetar të një partie, udhëheqësi shpirtëror i së cilës dhe presidenti i vendit Jacques Chirac, i cili e urrente për vdekje. Zgjedhjet u humbën, rezultati ishte më i ulëti në histori, Sarkozy u përqesh publikisht. “Suksesi krijon smirë. Dështimi pjell vetminë”, do ta përshkruante ai këtë moment. Por, sakrifica ia vlejti, vetëm pak vite më vonë, u rikthye sërish në kabinetin e Chirac, dy herë në krye të Ministrisë së Brendshme dhe një herë në drejtim të Ministrisë së Financave, duke përgatitur ngjitjen e tij në Pallatin Presidencial.

Është krejt e pamundur që lideri të mos vihet përballë një momenti ku duhet të marrë një vendim, ky moment është vetë fati përcaktues i tij, pasi në çdo vendim ai që luan peshën më të madhe është karakteri i tij. Ai që Aristoteli, thoshte se është ajo që ne nuk rreshtim së bëri çdo ditë, fillimisht është ajo që ne mendojmë, më pas ne e vëmë atë në veprim , më tutje e përsërisim dhe në fund ajo kthehet në vete karakterin tonë duke u bërë pjesë e jona dhe për të cilin ne jemi vetë përgjegjës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura