Disa arsye për një protestë të madhe

Dec 6, 2015 | 13:51
SHPËRNDAJE

u2_agrongjekmarkajAGRON GJEKMARKAJ

Më 8 Dhjetor, si përkim simbolik me të njëjtën datë të vitit 1990, Opozita ..ka paralajmëruar një protestë kundër qeverisë. Nuk do të ishte aspak i mjaftueshëm qëllimi politik i saj për të treguar muskujt, nëse në vend gjatë këtyre dy viteve e diçka më tepër nuk do të kishin ndodhur një sërë ngjarjesh të rënda, shumë të rënda.

Opozita, si ish-qeveri e djeshme, ka shumë përgjegjë- si për gjendjen e vendit. Në një këndvështrim etik, ajo nuk ka bërë sa duhet për të rifituar besimin e të zhgënjyerve. Ajo ende sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë në vitin 2013. Analiza për dy palë humbje lë për të dëshiruar. Retorika dhe pamjet ta nxisin këtë dyshim. Pas një hezitimi të gjatë ka filluar të artikulojë alternativa. Më mirë vonë se kurrë. Me sukses ka konsumuar një fazë denoncimesh mbi skandalet zinxhir me natyrë korruptive, duke triumfuar mbi të gjitha në çështjen e dekriminalizimit.

Një fitore kjo për Shqipërinë në planin afatgjatë dhe pse jo një sukses i Opozitës, Grupit të saj Parlamentar dhe Lulzim Bashës, në raport me zhvillimet e ditës. Në mungesë të funksionimit të sindikatave, shoqatave, pse jo edhe të opinionit publik gjatë epokës së tranzicionit, pikërisht ka qenë Opozita ajo që ka marrë tagrin për të udhëhequr popullin për çështje themelore në raport me mujsharinë e pushtetit të djathtë apo të majtë. Edhe kësaj here, opozita gjendet përballë këso sfide.

Ende mbetet institucioni më i konsoliduar i protestës. Përtej asaj çka ndodh dhe si sillet PD dhe aleatët e saj, momenti për një protestë të madhe popullore ka mbërritur. Protesta e tejkalon opozitën dhe ëndrrën e saj për pushtet. Rrugës mund të zgjidhet dilema nëse protesta është më shumë se opozita apo opozita mbledh të vetët. Tani për tani lëshon thirrjen dhe merr drejtimin e saj.

Protesta është një përgjigje legjitime ndaj mënyrës se si punon ekzekutivi ynë. Shqipëria qeveriset keq si asnjëherë tjetër në këto 25 vite dhe kjo nuk është perceptim, por një ndjesi e përgjithshme, dëshpëruese, që ka vrarë shpresat për një jetë normale, për besim te ligji, te fjala, te prona, te monotonia e qetë- sisë tek e nesërmja. Demagogjia, fjalimi, gënjeshtra, titrat në TV si lavazh truri i përditshëm derdhen nga çdo skaj i propagandës së qeverisë deri në batërdi, duke e shndërruar qytetarin në spektator të së keqes që e rrethon, duke nxitur mpirjen e reagimit dhe përthyerjen surreale të realitetit.

Kryeministri dhe kjo maxhorancë morën drejtimin e vendit pas një fushate spektakolare premtimesh për 300 mijë vende pune, legalizime falas, vendosje të rendit në 300 ditë, luftë ndaj korrupsionit, ulje të çmimit të energjisë elektrike, lulëzim të turizmit dhe bujqësisë, shëndetësi falas, modernizim të sistemit universitar, investime, autostrada të kaltra e të gjata, rrugë të shumta e të sigurta, shkolla e spitale të reja, rritje rrogash e pensionesh, ulje taksash për biznesin, ulje të borxhit publik, rehabilitim e dëmshpërblim të persekutuarve politikë dhe pronarëve, meritokraci dhe respektim të statusit civil të punonjësve të administratës, marrëdhënie më demokratike me opozitën, integrim të shpejtë të vendit, zgjedhje të lira e të ndershme e shumë të tjera, zotime që yshten një milion persona t’i votonin.

Pas 26 muajsh shohim që shqiptarët janë thjesht në krizë ekzistence e besimi. Ata po e kërkojnë zgjidhjen tek emigracioni, duke zënë vendin e dytë pas Sirisë në luftë civile në kërkesat për azil qyteteve europiane. Këtij fakti i shtohen edhe 200 mijë kandidatë të tjerë që kanë plotësuar lotarinë amerikane. Emergjenca demokratike po e çon vendin drejt një emergjence demografike. Sinoptika e hemorragjisë kombëtare është tejet preokupuese.

Çdokush, para se të ikë, ka të drejtë të kërkojë e të tentojë një jetë më të mirë në vendin e vet dhe nëse nuk ia del me insistim burokratik, duhet ta bëjë me protestë. Këtu ndodh më e çuditshmja gjë, ikën populli dhe mbetet qeveria. Qytetarët duhet të protestojnë kundër gënjeshtrave dhe premtimeve të pambajtura, kundër malavitës dhe keqqeverisjes, kundër diferencave të pajustifikuara sociale.

Të ikësh pa e bërë kryengritjen tënde, të garantuar nga Kushtetuta, është pranim pa kushte i të qenit qytetar i dorës së dytë dhe dorëzim para batakçillëkut. Qytetarët më shumë se sa për ligjëratën e Bashës, duhet të vijnë në shesh nga e gjithë Shqipëria për ta pyetur Kryeministrin: ku janë vendet e punës, ku janë legalizimet falas, pse skandalet kanë mbërthyer si një reumatizëm i pashërueshëm anëtarët e kabinetit të tij, pse tenderat dhe koncesionet i marrin firmat e ministrave dhe miqtë e tij, pse në vend nuk hapet asnjë kantier i ri, një rrugë, një autostradë, pse kanabisi dhe trafiku është përhapur si metastazë anembanë, pse represioni policor dhe selektiviteti është bërë fytyra e dytë e shtetit, pse për aferën CEZ, rrethuar me qindra milionë dollarë nuk bëhet transparencë dhe nxirren përgjegjësi, pse rrogat dhe pensionet e tyre jo vetëm nuk rriten, po bëhen gjithnjë e më qesharake përballë tregut, ku është shëndetësia falas, pse spitalet nuk kanë ilaçe dhe ujë apo pse përmbyten si moçale, pse gjobat e padrejta dhe mungesa e energjisë elektrike janë shndërruar në refren përditshmërie, pse pushohen nga puna dhe zëvendësohen me militantë partiakë, pse dekorohen xhelatët e diktaturës, pse tentohet rehabilitimi i Enver Hoxhës, pse nuk vlerësohet prona dhe tjetërsohet ajo si në 1946, pse ligji për arsimin e lartë cenon autonominë, liritë universitare dhe rrit tarifat për fëmijët e tyre, pse prishen objektet e kultit si në vitin 1967??!

Ata janë në të drejtën e tyre natyrore që në vend të shtetit policor të kërkojnë shtet demokratik. Mosshtrimi i këtyre pyetjeve, moskërkimi i një zgjidhjeje për to shndërrohet në fajin e tyre penalizues. Duhet të zbresin në Tiranë më 8 dhjetor nga fshati e qyteti për të bërë betejën etike kundër korrupsionit, kundër oligarkisë, sepse kjo është një betejë me disa specifika. Atë, sot për sot, mund ta bëjnë veç njerëzit e zakonshëm të këtij vendi dhe jo e gjithë klasa politike, ku kush më pak e kush më shumë janë përfshirë të gjithë. Në këtë pikë, opozita nuk e ka bërë betejën e saj reformuese brenda vetes.

Po kaq të natyrshëm në të protestuar duhet të ndihen gazetarët e publicistët, punëtorët e medias, të cilët patën rast të shihnin dhe kuptonin se si e koncepton kjo qeveri marrëdhënien me ta nëpërmjet projektligjit gjysmë të tërhequr për shpifjen. Biznesmenët e mëdhenj e të vegjël, përjashto klientët e qeverisë, të cilët gjatë kësaj periudhe kohe janë ndeshur me represionin tatimor të pashembullt në emër të formalizimit, ku shumë prej tyre kanë falimentuar e ulur qepenat, duhet të kërkojnë një arsye për këtë sjellje të pashembullt. Demokracia u garanton atyre teorikisht një përgjigje, teksa protesta është përgjigja e tyre për sjelljen e qeverisë. Kjo vlen edhe për ish-të persekutuarit dhe ish-pronarët.

Po ashtu, Opozita dhe militantët e saj duhet të protestojnë për kapjen dhe presionin ndaj institucioneve të pavarura, për politizimin e reformës në drejtësi, për zvarritjet në ligjin e dekriminalizimit e, mbi të gjitha, për kriminalizimin e jetës politike, për projektligjin që dhunon fjalën e lirë, i cili përgatitet të vijë si sater mbi fjalën e tyre. Dhe mbi të gjitha, për standardet zgjedhore të shkelura e të nëpërkëmbura në zgjedhjet lokale, fakte tashmë të certifikuara edhe nga raporti i OSBE-ODHIR.

Gjasat janë që zgjedhjet e ardhshme, që të jenë të lira, duhet t’i garantojë opozita me ndihmën e qytetarëve, më shumë se qeveria. Po ashtu, Opozita ka rastin që jo vetëm popullit të saj, por edhe atyre të cilët në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 8 dhjetor vijnë në emër të vokacionit dhe dinjitetit njerëzor për të protestuar, t’u premtojë jo vetëm një qeverisje më të mirë kur t’i vijë dita, por edhe një opozitë më frymëzuese me karta morale e intelektuale, program racional dhe një Lulzim Bashë që beson në ato që thotë dhe i thotë pasi janë të vërteta dhe mund t’i shndërrojë në të vërteta.

Një Lulzim Bashë që testohet në piacën publike, jo nga stilistika e një fjalimi të bukur, por nga lista e problemeve të vendit që evidenton, si dhe nga besueshmëria e argumenteve alternative dhe njerëzve që ofron për t’u bërë ballë. Dhe e fundit, ai thërret shqiptarët në apel për t’u kërkuar mbështetje me kushtin që të thyejë traditën e të qeverisurit me vasalë, me sahanlëpirës, me supermediokritete, me urdhër, me shokë, me oborr, me familje, me hajdutë, me shakllabanë, me të fortë, me policë, me tritol me tendera e për tendera, apo për t’i hapur rrugën një gjëje “të vogël”-ligjit dhe zotë- sisë, që nuk po mbërrin kurrë nder ne!

Më gënjeve një herë haram e paç thotë populli, më gënjeve dy herë, hallall e paç. Rama është përballë “hallallit”, ndërsa Basha përballë “haramit”. Ndaj duhet një protestë e madhe për të ndalur qeverinë në këtë revansh keqqeverisjeje dhe emancipuar opozitën në raport me fjalën e dhënë dhe njerëzit që besohen për ta mbajtur atë. Ajo u bën mirë të dyjave, por më tepër se kujtdo shqiptarëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura