Diplomacia Parlamentare në sulm: Ruçi merr mbështetjen e Greqisë, Bullgarisë dhe Rumanisë

May 16, 2018 | 18:26
SHPËRNDAJE

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, në datat 15 dhe 16 maj mori pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve të Detit të Zi, zhvilluar në Stamboll.

Gjatë mbledhjes së Asamblesë Parlamentare, Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi takoi Kryetarët e Parlamenteve të Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe u kërkoi mbështetjen  për çeljen e negociatave të BE me Shqipërinë në mbledhjen e qershorit 2018. takimi me presidentin e senatit te rumanise

Kryetari i Parlamentit Grek, Nikos Voutsis, premtoi se Shqipëria ka mbështetjen e plotë të Greqisë për hapjen e negociatave në mbledhjen e Qershorit. Dhe kjo mbështetje është e merituar.

Kryetarja e Parlamentit të Bullgarisë, Tsveta Karayahncheva, nënvizoi se Bullgaria si vendi që ka presidencën e BE, mbështet plotësisht integrimin evropian të Shqipërisë dhe hapjen e negociatave në mbledhjen e qershorit. Për më tepër, Presidenca Bullgare do të bëjë një paraqitje mjaft pozitive të arritjeve të Shqipërisë në plotësimin e kritereve të integrimit.takimi me homologen bullgare

Kryetari i Senatit të Rumanisë, Călin Popescu-Tăriceanu, premtoi se Rumania do të jetë një avokate e fuqishme e Shqipërisë për çeljen e negociatave në mbledhjen e qershorit, si një hap drejt integrimit të Shqipërisë dhe stabilitetit e prosperitetit në Ballkanin Perëndimor.

Në fjalën e tij në Konferencë, z. Ruçi nënvizoi se PABSEC, duke përfaqësuar një rajon të botës me kultura, besime, histori e tradita të ndryshme zhvillimi, është e hapur për bashkëpunime më të gjera. Edhe pse PABSEC është  një organizate rajonale, përgjegjësia jonë është evropiane e globale.takimi me homologun gjeorgjian

Në këtë  kontekst, z.Ruci  bëri thirrje që PABSEC të zgjerojë bashkëpunimin me Parlamentin Evropian, Këshillin e Evropës, NATO-n, OSBE-në dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Mozaiku i kulturave dhe vlerave që promovojnë vendet e rajonit të Detit te Zi duhet të mbështetet në ekonomi të forta, zhvillim të qëndrueshëm dhe sisteme solidare, për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve, që ata të gëzojnë  më shumë liri, të jetojnë në shtete e shoqëri, të cilat demokratizohen vazhdimisht.

Përparësitë e këtij bashkëpunimi do të vazhdojnë të jenë integrimi ekonomik dhe zhvillimi i qëndrueshëm, infrastruktura dhe energjia, bujqësia dhe zhvillimi rural, turizmi dhe mbrojtja e mjedisit, arsimi, kultura, mbrojtja sociale, tregjet financiare dhe sistemet bankare si edhe fusha të tjera që mund të sugjerojnë nevojat e zhvillimit të vendeve tona.

Gjatë Konferencës. Kryetari i Kuvendit Ruci u takua edhe me Kryetarin e Parlamentit të Gjeorgjisë, Kobakhidze, me të cilin ndanë të njëjtat vlerësime se parlamentet respektive duhet të punojnë që bashkëpunimi i mirë politik midis të dy qeverive duhet të konkretizohet në shtimin e përpjekjeve të bashkëpunimit ekonomik. Kryeparlamentari Ruçi i kërkoi homologut që Gjeorgjia të rishikojë qëndrimin e saj ndaj njohjes së Kosovës.

Fjala e Kryetarit të PABSEC, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Z.Gramoz RUÇI, në 25-vjetorin e PABSEC

I nderuar Zoti Kryetar i Asamblesë së Madhe Kahraman,

I nderuar Zoti Sekretar i Përgjithshëm Haxhijev,

Të nderuar kolegë, Kryetarë të Parlamenteve anëtare të PABSEC-ut,

Miq dhe të ftuar,

25 vjet më pare, përfaqësuesit e parlamenteve të Shqipërisë, Armenisë, Azerbaixhanit, Gjeorgjisë, Moldavisë, Rumanisë, Rusisë, Turqisë dhe Ukrainës, të cilëve iu bashkuan më pas edhe Bullgaria, Greqia e Serbia, nënshkruan pikërisht këtu në Stamboll Deklaratën Themeluese të PABSEC.

Kremtimi i kësaj ngjarjeje të rëndësishme për secilin prej vendeve tona, por edhe më gjerë, na ka mbledhur sot në Stamboll.

Është gjithmonë një kënaqësi e veçantë të vish në këtë qytet të bukur e mikpritës, urat e të cilit lidhin kontinente, popuj, histori, kombe, qytetërime, kultura, gjuhë, besime fetare dhe mbi të gjitha qytetarë punëtorë e paqedashës.

Dëshiroj të falënderoj nga zemra miqtë tanë të Parlamentit të Republikës Turke për këtë organizim të shkëlqyer, mikpritjen dhe ngrohtësinë.

Dëshiroj gjithashtu të përgëzoj Sekretariatin e PABSEC dhe personalisht Sekretarin e Përgjithshëm Z. Asaf Haxhijev për organizimin e përkryer të këtij kremtimi, por edhe për mbështetjen e veprimtarisë së organizatës.

Të nderuar miq,

Themelimi i PABSEC ishte një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit midis vendeve themeluese, por edhe më gjerë.

Duke përfaqësuar një pjesë të botës me kultura, besime, histori dhe tradita të ndryshme zhvillimi, organizata jonë ka qenë e mbetet e hapur për bashkëpunime më të gjera.

Ky proces nisi si një nismë parlamentare dhe u shndërrua në një bashkëpunim të gjithanshëm midis vendeve tona.

Parlamentet hodhën gurin e themelit të organizatës, duke iu përgjigjur aspiratës së popujve tanë për bashkëpunim, miqësi e paqe në këtë pjesë të botës.

Por popujt dhe qytetarët kanë shumëfishuar vlerat e kësaj organizate dhe i kanë dhënë bashkëpunimit ndërparlamentar mbështetje e frymëzim të jashtëzakonshëm.

Vizioni i PABSEC është i qartë: miqësia, mirëkuptimi, respekti reciprok dhe mosndërhyrja në punët e brendshme janë thelbi i bashkëpunimit midis vendeve tona, në të mirë të popujve dhe të gjithë qytetarëve tanë.

Problemet që kanë lindur gjatë çerekshekullit të parë të jetës së organizatës, janë të zakonshme për një zonë si kjo e jona, e ngarkuar me kaq shumë histori.

Por këto probleme nuk kanë mundur asnjëherë të na errësojnë logjikën e vetëdijen dhe as të na devijojnë nga rruga e miqësisë dhe e mirëkuptimit.

Ne celebrojmë sot në Stamboll një organizatë më të madhe e më të fuqishme, më të mbështetur e më të frymëzuar nga ndjenjat dhe aspiratat e popujve tanë, më aktive në shërbim të bashkëpunimit, paqes e prosperitetit.

Ne kemi ardhur këtu me bindjen se nuk mund të ketë zhvillim dhe mirëqenie të vendit e popullit të cilit i përkasim, vecmas dhe jashtë mirëqenies së popujve e vendeve të tjerë të rajonit.

Mozaiku i kulturave dhe vlerave mund të mbijetojë dhe të avancojë mbështetur në ekonomi të forta, zhvillim të qëndrueshëm dhe sisteme solidarë.

Në emër të Parlamentit të Shqipërisë si edhe të popullit shqiptar,   përfitoj nga ky rast të rikonfirmoj vendosmërinë dhe angazhimin e Shqipërisë si një anëtare themeluese e kësaj organizate:

Për të kontribuar që organizata jonë të mbështesë edhe më shumë bashkëpunimin midis vendeve tona.

Që të gjithë ne të bëhemi nxitës të dialogut dhe në vend të konflikteve të gjejmë dhë arrijmë mirëkuptimin.

Që toleranca, paqja dhe bashkëpunimi midis nesh të shndërrohen në asete të bashkëpunimit tonë me rajonet e tjera, Mesdheun, Europën e më gjerë.

Që koherenca e organizatës dhe harmonia midis nesh, të shërbejnë si katalizatorë të proceseve integruese, globalizuese, modernizuese dhe demokratizuese në të cilat janë përfshirë vendet tona.

Ne jemi një organizatë rajonale, por përgjegjësia jonë është europiane e globale.

Prandaj ne duhet të bashkëpunojmë më shumë me Parlamentin Europian, Asambletë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Kombeve të Bashkuara, NATO-s, Komonuelthit të Shteteve të Pavarura, Bashkësisë Ekonomike, Mesdheut, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Dimensionin Parlamentar të Iniciativës së Evropës Qendrore  etj.

Ne jemi një organizatë e bashkëpunimit parlamentar, por përgjegjësia jonë shtrihet në bashkëpunimin e të gjithë degëve të qeverisjes së vendeve tona, në forcimin e miqësisë midis popujve e qytetarëve tanë.

Ne duhet të intensifikojmë bashkëpunimin midis vendeve, ekonomive dhe qeverive tona në të gjithë sektoret me interes jetik dhe thelbësor për jetën e qytetarëve, shëndoshjen e ekonomive, garantimin e mirëqenies.

Përparësitë e këtij bashkëpunimi do të vazhdojnë të jenë  integrimi ekonomik dhe zhvillimi i qëndrueshëm, infrastruktura dhe energjia, bujqësia dhe zhvillimi rural, turizmi dhe mbrojtja e mjedisit, arsimi, kultura dhe mbrojtja sociale, tregjet financiare dhe sistemet bankare  si edhe fusha të tjera  që mund të sugjerojnë nevojat e zhvillimit të vendeve tona.

Ne duhet të punojmë dhe krijojmë kushtet që qytetarët tanë:

Të gëzojnë më shumë liri, të jetojnë në shtete e shoqëri të cilat demokratizohen vazhdimisht;

Të ushtrojnë të drejtat demokratike, të zgjedhin qeveritë dhe drejtuesit e tyre nëpërmjet zgjedhjeve të lira e të ndershme;

Të kenë një punë të denjë e të mirëpaguar;

Të gëzojnë kujdes shëndetësor nëpërmjet sistemeve shëndetësorë efektive dhe të përballueshëm për të gjithë;

Të arsimohen nga shkolla e mësues cilësorë dhe të fitojnë dije, shprehi e qytetari;

Të respektojnë pakicat, të mbështesin të varfërit dhe të dobtit;

Të drejtohen nga qeveri të pakorruptutuara, që zgjidhen nga populli dhe qeverisin për popullin dhe me popullin;

Të informohen nga shtypi i lirë dhe i pakontrolluar nga qendrat e pushtetit politik apo ekonomik;

Të mendojnë për mirëqënien tonë, por edhe të brezave që vijnë dhe tu lemë atyre ekonomi të forta, mjedis të pastër, mirëqenie për të gjithë.

Duke përfunduar, ju uroj përzemërsisht për prosperitetin e vendeve tuaja dhe për ju personalisht, kolegë të nderuar.

Ju faleminderit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura