Dialogu me Serbinë dhe sjellja e papërgjegjshme e Kryeministrit të Kosovës

Aug 11, 2021 | 9:30
SHPËRNDAJE

ADRI NURELLARI

adri-nurellari-e1506504241437

Takimi i fundit i Kryemi nistrit Kurti në Bruksel jo vetëm tregoi se po vazhdon ta shmangë dialogimin, por madje dëshmoi se do që ta instrumentalizojë për fushatë. Sjellja dhe deklaratat e tij në Bruksel nuk kishin për audiencë të synuar as Serbinë e as ndërmjetësuesit europianë në kuadër të dialogut, por elektoratin e Kosovës, në kuadër të zgjedhjeve lokale që po afrojnë në tetor. Me plagët e luftës ende të hapura, është e natyrshme që dialogu me Serbinë të jetë një ndër gjërat më të pakëndshme e jopopullore që mund të bëjë një lider politik kosovar. Negociatat me armiqtë janë si të merresh me patatet nxehta, edhe po nuk të dogjën, të nxijnë. Vetë dallga masive emocionale e panevojshme me të cilën po trajtohet në opinion publik koncerti i Bregoviçit është ilustrative se sa e vështirë dhe e rëndë është që të merresh me Serbinë. Prandaj Kurti i largohet dialogut të mirëfilltë si djalli temjanit. Mirëpo kapiteni i mirë njihet në stuhi dhe pikërisht për këto tema të vështira bëhet dallimi mes politikanit mediokër kalimtar dhe burrështetas historik.

Dallimin më të mirë mes politikanit dhe burrështetasit e ka pas bërë teologu amerikan James Clarke dy shekuj më parë. Sipas tij, “një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme; një burrështetas për brezat të ardhshëm. Një politikan kërkon suksesin e partisë së tij; një burrështetas atë të vendit të tij”. Ky është edhe rasti konkret i Kurtit, që duke menduar për zgjedhjet e ardhshme dhe partinë e tij, është duke neglizhuar interesat e brezave të ardhshëm dhe të Kosovës.

Në politikë javët e para në pushtet konsiderohen si “muaji i mjaltit” të liderit ku opozita, mediat, shoqëria civile, Parlamenti e të gjithë faktorët e tjerë i japin një liri apo tolerancë të madhe për t’u rehatuar në karrige dhe për t’iu dhënë mundësia për t’u dëshmuar duke sjellë ndryshime në mënyrën e qeverisjes. Mirëpo ai muaj mjalti po kalon, për mos të thënë që u shterua që vitin e kaluar kur qeverisi për herë të parë. Tashmë mund të thuhet pa frikë që lidhur me dialogun, ndryshimi apo “suksesi” më i madh i Kurtit ishte largimi i SHBA-së si negociator kryesor i procesit. Pra, duke denoncuar “thikat mbi harta” që e prisnin Kosovën në Shtëpinë e Bardhë e me veprimet e tjera që ndërmori më pas, ia doli që ta largojë si prioritet prej Uashingtonit për ta çuar në dorë të Brukselit. Fal tij, tanimë SHBA-ja nuk ka më një ambasador si të dërguarin e posaçëm të Presidentit për negociatat e paqes mes Kosovës e Serbisë, por thjesht mbështesin në distancë procesin ku protagonist në ndërmjetësim është Bashkimi Europian.

Pa dashur që të manifestoj mosmirënjohje për rolin e BE-së, dihet mirë mes ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare që ky transferim drejt BE-së prej superfuqisë së vetme botërore, që fatmirësisht është edhe aleati ynë kryesor, përbën një përkeqësim apo një lloj “uljeje në detyrë”. Kjo pasi për vetë nga natyra e vendimmarrjes së komplikuar dhe organizimit në marrëdhënie, BE-ja konsiderohet “një gjigant ekonomik, një xhuxh politik dhe një krimb ushtarak” (thënë tekstualisht kështu nga ish-ministri i Jashtëm belg Mark Eyskens në 1991-shin). Pra, pa u lidhur me Kosovën, BE në vetvete nuk ka ndonjë reputacion apo performancë të mirë si negociatore për zgjidhje konfliktesh. Ballkani e ka vuajtur këtë vetë mbi kurriz me dështimet e panumërta të planeve europianeve të paqes gjatë fillimit të viteve ‘90.

Ajo që e bën më të rëndë këtë fakt është se BE tashmë ka dështuar në disa raste me Kosovën, si për shembull me mosliberalizimin e vizave apo me misionin EULEX që nuk u shtri në Veri. Për më tepër që nuk ka avancuar me vendet mosnjohëse të Kosovës dhe dy personat kyçë që merren me Kosovën, Borrell dhe Lajçak, vijnë nga këto shtete.

Për një pjesë të mirë të shoqërisë shqiptare, muaji i mjaltit apo magjepsja me Kurtin pas triumfit të tij elektoral po vazhdon ende të jetë i fuqishëm dhe ky fakt shpjegon përse sjellja e tij e papërgjegjshme dhe e dëmshme në kuadër të dialogut është komentuar çuditërisht gjithë lëvdata e admirim. Prandaj, tanimë që kanë kaluar disa javë dhe është ftohur disi gjaku nga ekzaltimet e komentatorëve pas deklaratave në Bruksel, është mirë që të bëjmë një reflektim dhe analizë më serioze mbi qëndrimet dhe veprimet e tij dhe pasojat që ato sjellin për Kosovën.

Së pari njëherë dalja me propozime surprizë, duke i nxjerrë ato si letra të fshehura nën mëngë, tregojnë një mosnjohje të procesit të deritanishëm. Po ashtu, pretendimi për të nisur gjithçka nga e para, tabula rasa, duke cenuar vazhdimësinë shtetërore, sigurinë juridike lidhur me angazhimet shtetërore të marra tashmë nga paraardhësit e tij, tregojnë mungesë të kulturës shtetërore, njollos Kosovën si shtet joserioz dhe përbën një fyerje për ndërmjetësuesit ndërkombëtarë. Të gjitha këto e dëmtojnë pozicionin negociator të Kosovës dhe prishin raportin tonë me aleatët, të cilët kanë qenë vendimtarë në çdo arritje e janë të domosdoshëm për mbijetesën e Kosovës. Bashkimi Europian ka harxhuar pafund burime e energji prej një dekade për të ecur përpara fillimisht me negociatat teknike e mandej me ato politike. Përfaqësueset e politikës së jashtme Ashton dhe Mogherini kanë shpenzuar pafund kohë për ta çuar këtë proces përpara dhe është padyshim shumë fyese që një lider i ri populist ballkanik, i një shteti që ka përfituar pafund prej bujarisë së miqve perëndimorë, të dalë gjithë me arrogancë e injorim për punën e bërë deri më tani.

Së dyti, vetë hedhja e këtyre propozimeve tregon edhe një mosnjohje të formatit dhe objektivave të negociatave. Mirëpo, nga ana tjetër, kur u takua me Vuçiçin, as që foli për zotimet e tija shumëvjeçare që i kishte vendosur si parakushte për të negociuar, me të cilat kishte marrë votat, sikurse ishin kërkimfalja apo reciprociteti. Dialogu i deritanishëm ka pasur objektiv strategjik arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që synon njohjen e ndërsjellët dhe hap rrugën për anëtarësim në OKB, BE, NATO etj. Fjala e shumëpërfolur “gjithëpërfshirëse” nuk është rastësi aspak. Ka dy lloj qasjesh kryesore në negociata. Ose e copëzuar pra pak e nga pak siç janë kapitujt e hyrjes në BE apo siç qenë kapitujt e dialogut teknik që u finalizuan në prill të vitit 2013. Thënë ndryshe, ecet hap pas hapi duke siguruar ujdi për çdo temë ose çështje individuale një nga një. Ose versioni tjetër, ku të gjitha temat shterohen brenda një marrëveshjeje të madhe gjithëpërfshirëse. Ky është formati aktual i dialogut që bazohet në parimin “nuk merremi vesh për asgjë po nuk u morëm vesh për gjithçka”.

Qasja e parë është më problematike, sepse kur negocion pak e nga pak, negociatori bën lëshime në fazat e hershme, pastaj zbulon se nuk ka mbetur mjaftueshëm për të bërë pazar për kërkesat më ekstreme e temat e rënda që vijnë më vonë e për rrjedhojë procesi bllokohet. Nejse, ka arsye objektive përse është zgjedhur ky format, për të shmangur zvarritjet dhe për të mos lënë bishta përjashta, që nesër pasnesër të përdoreshin për të dëmtuar paqen dhe delegjitimuar marrëveshje. Nuk është ky vendi për të hyrë më shumë në hollësi për të treguar epërsitë e kësaj qasjeje, me rëndësi është që ky është formati i dialogut për të cilën Kosova është pajtuar me partnerët dhe palën kundërshtare tash e sa vite dhe nxjerrja e propozimeve specifike, që do duhej të ishin pjesë përbërëse e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, tregon mosnjohjen apo moskuptimin e formatit të negociatave.

Së treti, edhe vetë propozimet ishin të gabuara e madje të dëmshme. Propozimi i parë ishte që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor ta avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA. Pra Kurti për dialogun Kosovë-Serbi ishte mjaftueshëm megaloman sa të propozonte si parakusht që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të hiqnin dorë nga aspirata shumëvjeçare për të hyrë në Bashkimin Europian për të zgjedhur një bllok të ngjashëm me EFTA-n, të përbërë prej Islandës, Lihtenshtajnit, Norvegjisë dhe Zvicrës. Shtete këto që kanë refuzuar të hyjnë në BE e kanë krijuar një organizatë tjetër ndërshtetërore (EFTA) dhe që me përjashtim të Zvicrës, që kanë hyrë në marrëveshje me BE-në në kuadër të Zonës Ekonomike Europiane. Thënë më troç, ai deklaroi “unë nuk hyj në dialog nëse nuk detyrohet ta zëmë Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut të heqë dorë nga procesi aktual i integrimit europian dhe të mjaftohet me një bllok tregtar alternativ”. Kurti, si një nga shumë Kryeministrat që ka pasur e do të ketë Kosova, nuk ka të drejtë të devijojë orientimin e integrimit europian të shtetit të vet, e jo më të pretendojë që ta bëjnë këtë gjë edhe shtetet fqinje.

Propozimi i dytë për një pakt mossulmimi që shpesh interpretohet si marrëveshje paqeje është akoma më naiv, sepse përbën një përpjekje për të nxjerrë disa koncesione që janë faktikisht pjesë e temave të hedhura në tryezë, pa hyrë ende në bisedime. Përpos kësaj, shqetësimin e sulmit “surprizë” e ka trajtuar juridikisht Marrëveshja e Kumanovës, Rezoluta 1244 dhe kuptohet garancia e pranisë së KFOR-it. Kosova ka nevojë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse finale me njohje të ndërsjellë, çdo gjë tjetër është devijim nga interesat shtetërorë.

Propozimi tjetër, që serbët në Kosovë të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi, është akoma më i çuditshëm. Ky propozim shkon ndesh jo vetëm me parimet multietnike të sanksionuara prej Kushtetutës së Kosovës, por edhe dëmton bashkëkombësit shqiptarë brenda Serbisë. Prishtina e Tirana duhet të kenë për prioritet që të forcojnë e përmirësojnë pozicionin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, mundësisht që ta sjellin në nivel të serbëve të Kosovës, dhe jo të kundërtën. Pra, përpara se të kërkohet ulja e të drejtave të fituara të serbëve, ne duhet të kërkojmë plotësimin dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve brenda Serbisë.

Propozimi tjetër mandej ishte po ashtu i kotë, duke kërkuar që të hiqej nga delegacioni Veljko Odaloviç meqë ka qenë drejtues politik në Kosovë gjatë luftës. Çfarë kuptimi e dobie ka të hiqet një zyrtar përiferik kur delegacionin e prin ish-ministri i propagandës së Millosheviçit, pra si të thuash Gebelsi i regjimit gjenocidial. Madje kjo kërkesë në njëfarë mënyre e pastron imazhin e Vuçiçit, duke thënë se vetëm Odaloviç ka njollë nga e kaluara në atë delegacion. Ky veprim amator duke kërkuar kësilloj koncesionesh josubstanciale e nxjerr konstruktiv Vuçiçin dhe i jep atij mundësinë që mandej të kërkojë lëshime substanciale në këmbim.

Takimi i dytë vazhdoi në frymën e të parit, vetëm se fatmirësisht disa propozime nuk i ripërsëritën, me përjashtim të asaj të një marrëveshjeje paraprake paqeje për konsum elektoral të brendshëm në Kosovë. Nuk kishte si të pritej që të pranohej nga Serbia në kushtet kur formati është “nuk merremi vesh për asgjë, në qoftë se nuk merremi vesh për gjithçka”. Një tjetër novacion butaforik elektoral i takimit të dytë ishte ofrimi i tre librave që flasin për krimet e kryera nga Serbia në të kaluarën.

Për hir të së vërtetës, tema e ballafaqimit të kaluar nëse trajtohet seriozisht, është e vetmja që meriton vëmendje dhe ka hapësirë për ta përmirësuar pozicionin negociator të Kosovës, duke i dhënë një epërsi morale në arenën ndërkombëtare. Madje kjo ka qenë arsyeja përse ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ndërmori para dy vjetësh nismën e formimit të komisionin shtetëror për konfirmimin, hulumtimin dhe klasifikimin e gjenocidit të kryer në Kosovë, si dhe vendimin për themelimin e muzeut të gjenocidit dhe atij të dëbimit. Ajo nismë asokohe nuk mori mbështetjen e Vetëvendosjes, por kjo nuk do të thotë që mos të rinisë. Kjo temë nuk mund të trajtohet në mënyrë sipërfaqësore duke dhuruar tre libra për të bërë show para elektoratit, por nëpërmjet një strategjie shtetërore rrënjësore të shumanshme, të ngjashme me atë që bën Izraeli me Holokaustin apo Ukraina me Holodomorin.

Kjo strategji do të kërkonte ndërtimin e muzeve që dokumentojnë, arkivojnë dhe ekspozojnë krimet e kryera; të qendrave kërkimore që bëjnë botime serioze brenda e jashtë vendit; të financimit të dokumentarëve apo grante akademike për studime shkencore rigoroze; të programit të bursave për të kultivuar kuadro vendas me ekspertizë të nevojshme mes të tjerash për krimet e luftës dhe drejtësi tranzicionale; të organizimit të teksteve mësimore për të rritur vetëdijen qytetare; të përgatitjes së programeve sensibilizuese të diasporës dhe trupit diplomatik; të financimit të veprave të artit e filmave artistikë me tematikë të së kaluarës së dhimbshme; të përgatitjes së ekipeve të juristëve për të ngritur raste penale në shtetet mike që njohin juridiksionin universal; të reformimit të sistemit kosovar të procedurës penale për të lejuar gjyqet në mungesë ndaj kriminelëve të luftës; të ndërtimit të ekipit të ekspertëve për të përllogaritur dëmet e luftës etj., etj., etj. Mirëpo Kryeministri Kurti do vetëm shfaqje elektorale e nuk ka ndërmend të bëjë asnjë prej këtyre veprimeve serioze për të ballafaquar të kaluarën sikurse e ka dëshmuar, duke mos parashikuar asnjë qindarkë për këto ide në asnjë nga tri buxhetet që ka hartuar si Kryeministër.

E vetmja gjë që ngelet për të shpresuar është që kjo sjellje e papërgjegjshme të ketë të bëjë vetëm me interesat e tij elektorale dhe jo me paaftësinë apo paguximin e tij për t’u ballafaquar seriozisht me sfidën e dialogut. Ngelet për të parë nëse pas zgjedhjeve lokale ka për të vepruar në mënyrë të përgjegjshme apo jo. E sigurt është që deri atëherë muaji i mjaltit ka për t’u zvenitur shpejt, sidomos me ndërkombëtarët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura