Dhoma Amerikane: Në 2016 u rrit besimi i biznesit

Mar 17, 2017 | 13:35
SHPËRNDAJE

Rritet indeksi i besimit të biznesit të Dhomës Amerikane të Tregtisë me 5 për qind, ku nga 37,9 qind që ishte në vitin 2015, për vitin 2016 arriti në 43,7 për qind. Shqetësimi më i madh për biznesin vazhdon të mbetet niveli i taksave që aplikohen, një indikator që ka mbetur i përkeqësuar që nga viti 2012.

dhoma1

Për biznesin, gjithashtu shqetësim mbeten monopolet, ekonomia informale dhe burokracitë e qeverisë. Vlerësimi për klimën e biznesit ka shënuar rritje me 11 pikë, krahasuar me 2015-n. Krahasuar me vitin 2015 përkeqësim shënoi vetëm rezultati për kualifikimin e administratës së pushtetit vendor.

Rezultatet e anketës së indeksit të besimit u prezantuan dje nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, ku ishin të pranishëm ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu, dhe ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi.

REZULTATET

Biznesi, në rezultatet e anketimit për indeksin e besimit, shqetësim kryesor vlerëson nivelin e lartë të taksave. Referuar të dhënave të raportit, 63,2 për qind e biznesit për 2016-n mendojnë se taksat që po zbatohen janë të pafavorshme. Në 2015-n, taksat si të pafavorshme konsideroheshin nga 69 për qind e biznesit, duke u përmirësuar me 6 për qind.

Monopolet dhe konkurrenca e pandershme renditet shqetësimi i dytë i biznesit, ku 63,7 për qind janë shprehur që është i lartë. Në 2015-n, për monopolet u shprehën që është i lartë 59,7 për qind e të anketuarve. Shqetësim për biznesin mbetet edhe niveli i burokracive të qeverisë.

Referuar rezultateve, 65,2 për qind e biznesit të anketuar vlerësoi se burokracitë janë të larta, ndërsa në 2015-n, nga 68,6 për qind u vlerësua i lartë. Krahasuar me një vit më parë, rezultatet paraqiten të përmirësuara. Edhe vlerësimi për klimën e biznesit ka shënuar përmirësime, ku për 2016-n biznesi e ka vlerësuar me 41,4 pikë nga 30,4 pikë që u vlerësua në 2015-n.

1

Përmirësime kanë shënuar edhe vlerësimet për klimën politike, korrupsionin, performancën e ekonomisë dhe për reformat e qeverisë. Në total, të gjithë treguesit kanë ardhur në përmirësim, me përjashtim të gjetjes së stafit lokal, që ka shënuar një rënie të lehtë. Biznesi e ka vlerësuar me rënie prej 0,35 pikë kualifikimin e punonjësve të pushtetit vendor.

PARASHIKIMIT

Edhe për 2017-n pritshmëritë e biznesit për ekonominë janë pozitive. Në raportin e Dhomës Amerikane të Tregtisë parashikohet që indeksi i besimit për 2017-n do të vlerësohet me 45,3 pikë ose 2 pikë më e lartë se 2016-a.

Vlerësime pozitive parashikohen për performancën e ekonomisë, ku parashikohet që në 2017-n të vlerësohet me 50 pikë. Edhe për reformat ekonomike biznesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë parashikon vlerësim më të lartë prej 4 pikësh. Në 2017-n rezultate pozitive priten edhe eksportet, të punësuarit dhe nivelin e të punësuarve në pushtetin vendor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura