Detajet pikante të hapjes së fushatës së PD, kandidaten e Himarës e “bëjnë” burrë. Turku: Nuk bëj krushqi me Ramën

May 22, 2015 | 20:15
SHPËRNDAJE

Pavarësisht se Berisha ka qëndruar larg fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, pjesëmarrja e tij në hapjen e fushatës nuk ka kaluar pa mbështetjen e demokratëve. 

Hapja e fushatës së PD

Gjatë fjalës së kryetarit të PD-së Lulzim Basha, të rinjtë e vendosur pas tij e kanë ndërprerë disa herë me brohoritjet e tyre. Ndaj dhe Basha ka ndërprerë fjalën për t’u kërkuar të mbanin qetësi. “Dëgjoni kryetarin tuaj, uluni!”. Më pas kreu i PD i drejtohet sallës: Të jeni të sigurt se pas pak do ma kallin”.

Dhe në fakt ashtu ndodhi. Vetëm pak minuta më vonë të rinjtë kanë ndërprerë brohoritjet “Lulzim Basha, të rinjtë janë me ty”, për të thirrur në mbështetje të ish-kryetarit Sali Berisha. Thirrjet e të rinjve janë pasuar nga zërat e demokratëve, që ishin në sallën e Pallatit të Kongreseve. Berisha, ka përshëndetur të rinjtë dhe pjesëmarrësit, por pa u ngritur nga vendi i tij.

Berisha e Basha në këmbë për Kosovën

Mbështetja që iu dha në sallë Halim Kosovës, ka detyruar ish- kryetarin e PD-së Sali Berisha, por edhe kryetarin aktual Lulzim Basha të ngrihen në këmbë për ta duartrokitur.

Duket se Kosova dhe Duma u vunë në garë se cili prej tyre do të fitonte më shumë ovacione në sallë. Por ndërsa Duma ka pritur që salla të qetësohej, Kosova ka preferuar të vazhdojë fjalën e tij në mes të brohoritjeve të demokratëve që kanë qenë në sallë.

Veç premtimeve elektorale, Kosova nuk ka harruar të vlerësojë dhe kryetarin aktual të Bashkisë, Lulzim Basha. “Lulzim Basha në 4 vjet ka bërë disa ndryshime në jetën reale të njerezve. Por ne do të bëjmë më shumë”, tha Kosova.

Fjala e Dumës, salla e ndërpret gjashtë herë

Kandidatja e Durrësit, Grida Duma, ka fituar dje garën e parë, atë të kandidatit më të mbështetur mes garuesve të PD-së. Ajo është ndërprerë 6 herë nga brohoritjet në sallën e Pallatit të Kongreseve.

Madje, për pak minuta Duma nuk ka mundur të marrë fjalën. Në fjalën e saj Duma nënvizoi se do t’i kthejë jetën Durrësit, por edhe do t’i japë vendin që duhet arkeologjisë.

“Si ka mundësi që me pasuritë arkeologjike që Durrësi ka, me bregdetin e tij të mrekullueshëm, me begatinë e tokave të veta bujqësore, me traditën shumëvjeçare të turizmit, që është në të vërtetë një legjendë e vërtetë kombëtare, Durrësi pra, të rënkojë dhe të vuajë kësisoj?”, tha Duma.

Gafa me emrin e kandidates së Himarës, e bëjnë burrë

Organizimi i PD-së nuk ka kaluar pa incidente. Në prezantimin e kandidates për Bashkinë e Himarës Lefterie Prifti, folësi nga nxitimi ka ngatërruar emrin me Lefter Prifti.

Pavarësisht kësaj, duke kërkuar dhe ndjesë, është korrigjuar gabimi në prezantim. Prifti premtoi se “Do të zgjidh problemin e pronave. Do të zgjidh problemin e infrastrukturës lokale dhe problemet e shumta sociale. Do të hap vende pune të përkohshme dhe sezonale, duke punësuar rininë që sot rri duarkryq në mëshirë të fatit”.

Turku: Jo krushqi me Jovan Bregun

“Unë jam Ardian Turku, ai burri i mirë që Edi Rama i ofroi krushqi. Por a bëhet krushqi me Jovan Bregun?”. Kështu e ka ironizuar kandidati i PD-së për Elbasanin, Ardian Turku kryeministrin Edi Rama, i cili në një takim në Elbasan tha se “Ardiani është burrë i mirë. Por një llaf thotë për burrë të mirë i ofroj…”

Kënga e fushatës “Njerëz si ne”

Nisja e fushatës së Partisë Demokratike ka nisur nën kolonën zanore të “People like us” të këngëtares Kelly Clarkson. Duket se me këtë përzgjedhje organizatorët e fushatës kanë dhënë mesazhin kandidatët e Partisë Demokratike janë ata që përfaqësojnë popullin dhe janë njësoj si ta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura