Detajet e arrestimit/ Si u zbulua në Gjermani Arbër Çekaj, fshihej pas…

SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA / Arbër Çekaj është pronari i firmës “Arbri Garden”, ku u sekuestrua kontenieri me 613 kg kokainë, në magazinat e kësaj kompanie në Maminas, i cili është arrestuar në Gjermani me qëllim ekstradimi.

Cekaj

Çekaj ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar që prej datës 1 mars të këtij viti, ndërsa dje në orët e para të mëngjesit u bë i mundur arrestimi i tij. Burime nga Policia e Shtetit thanë dje se Arbër Çekaj u arrestua në një banesë në një provincë në Dyseldorfit.

Ndërsa zbulimi i vendndodhjes së tij u arrit gjatë shkëmbimit të informacionit mes oficerëve të Interpolit shqiptar dhe gjerman.

Mësohet se Çekaj, gjatë kësaj kohe, ka përdorur edhe mbiemrin Jansen, të bashkëshortes së tij, megjithëse zyrtarisht në dokumente vijonte të kishte gjeneralitetet Arbër Çekaj.

Burimet thanë se menjëherë pas arrestimit, nga ana e autoriteteve shqiptare kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij. “Në kuadër të bashkëpunimit me agjencitë e huaja ligjzbatuese dhe konkretisht atë gjermane, është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit Arbër Çekaj.

Arbër Çekaj është pronari i firmës ‘Arbri Garden’, ku u sekuestruan 613 kg kokainë në kuadër të operacionit ‘Last snow’. U shkëmbye informacion në kohë rekord midis Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera, si dhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ky shtetas është kapur në një provincë pranë Dyseldorfit”, tha dje zyrtarisht Policia e Shtetit.

PRONARI I BANANEVE

Shtetasi Arbër Çekaj rezultonte të ishte larguar nga Shqipëria 3 javë para se të sekuestrohej sasia rekord e kokainës dhe që në atë moment Policia bëri shpalljen në kërkim ndërkombëtar, pasi kishte dyshime se ai ndodhej në Gjermani. Sipas Policisë, Çekaj, i cili kishte porositur kontenierin me 20 tonë banane nga Kolumbia, duket se kishte porositur edhe 613 kg kokainë.

Ai është aksioneri i vetëm i kompanisë “Arbri Garden”, siç del nga kërkimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Nga një kërkim në internet, rezulton se firma “Arbri Garden” ka marrë 97 ngarkesa nga Amerika e Jugut që prej vitit 2012. Për sasinë rekord të kokainës, më 28 shkurt u arrestua Armando Pezaku, që drejtonte kamionin me targë DR 3819 dhe Donaldo Lushaj, që ndodhej si pasagjer, i cili kishte detyrën e menaxherit dhe do merrte në dorëzim mallin e mbërritur nga Kolumbia.

Duke folur në një lidhje telefonike për “News 24”, një ditë pas sekuestrimit të kokainës, Arbër Çekaj u shpreh se ishte larguar drejt Gjermanisë bashkë me gruan dhe menjëherë sapo ka mësuar lajmin për kapjen e 613 kg kokainë, kishte prerë biletën e kthimit, për të dhënë versionin e tij në Prokurori. Megjithatë, ai nuk u kthye vullnetarisht në Shqipëri, ashtu siç pati deklaruar.

PANORAMA

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprak"62 % e shqiptarëve nuk u besojnë alternativave politike, si krahasohemi me Europën e rajonin"
Artikulli tjetërNASA nis misionin për eksplorimin e Marsit

S'KA KOMENTE

Comments are closed.