Detajet/ Ç’ndodhi në 3 orë seancë me Moisi Habilajn? I afërmi i Tahirit …

Jun 9, 2018 | 15:31
SHPËRNDAJE

Udhëtimi i dy prokurorëve të Krimeve të Rënda drejt Katanias duket se nuk e ka ndihmuar aq sa pritej hetimin për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Besim Hajdarmataj dhe Vladimir Mara shkuan në Katania në fund të muajit maj për të marrë në pyetje Moisi Habilajn, Meridian Sulajn dhe Nezar Seitin.

Kjo lëvizje nga Krimet e Rënda u bë për shkak të heqjes së arrestit të shtëpisë për Tahirin nga Apeli i Krimeve të Rënda, në një kohë që Prokuroria kishte kërkuar “arrest me burg”. Mirëpo, duket se seanca e marrjes në pyetje e Moisi Habilajt në Katania nga dy prokurorët shqiptarë nuk ka dhënë shumë rezultat.

Edhe pse ajo zgjati plot tri orë, burimet thonë për “Panorama” se Moisi Habilaj, ashtu sikurse edhe herën e parë, nuk ka folur për Tahirin. Ai i ka shmangur pyetjet që lidheshin me të dhe nuk ka dhënë detaje që mund të ndihmojnë Prokurorinë e Krimeve të Rënda për çështjen ndaj ish-ministrit të Brendshëm, që është nën hetim për “trafik ndërkombëtar droge” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”. E njëjta gjë vlen edhe për dëshmitë e Seitit dhe Sulajt.

Moisi Habilaj, në dhjetor të vitit 2013, sipas përgjimeve të dosjes së Katanis, diskutonte me Antonio Rielën dhe dy persona të tjerë për blerjen e disa bizhuterive për ish-ministrin Tahiri. Ka qenë Riela, që gjatë marrjes në pyetje në Itali, ka pranuar se ka shoqëruar Miosi Habilajn dhe Meridian Sulajn te dyqani i bizhuterive.

Për Prokurorinë nuk ka rëndësi çmimi prej 18 mijë eurosh apo 5 mijë erosh për blerjen e bizhuterive, por blerja e mallit. Sipas dy letëroporosive të dërguara në Itali, shitësi ka pranuar shitjen e dy bizhuterive dhe pritet tashmë që të mbërrijnë certifikatat e tërheqjes së tyre, që janë bërë me emra konkretë.

E njëjta gjë vlen edhe për një kostumin në dyqanin “Hugo Boss”, që sipas përgjimeve, Moisi Habilaj thotë se e kishte porositur Tahiri ta blinte. Prokuroria pranon se nga pyetja e dy shitësve dhe verifikimet e bëra nuk ka prova që lidhin drejtpërdrejtë Tahirin, por janë në pritje të ardhjes së certifikatave të shitjes për të mësuar emrat e blerësve. Edhe pse Moisi Habilaj, gjatë marrjes në pyetje për llogari të hetimeve në Shqipëri ka mohuar të ketë takuar ndonjëherë Tahirin, prokurorët shqiptarë janë përqendruar te marrja e skafit në Triport të Vlorës në vitin 2014.

Më këtë skaf, Tahiri ka shkuar më pushime në Korfuz në gusht të vitit 2014, derisa sa i ka pësuar defekt. Ish-ministri ka njoftuar një vartës të tijin në Shqipëri që të merrte mekanikë dhe Artan Habilajn dhe të shkonte në Greqi për riparimin e skafit. Ai, sipas Prokurorisë, nuk është regjistruar nga Policia Kufitare kur ka rihyrë në Shqipëri dhe ka vijuar udhëtimin deri në Vlorë, konkretisht në Triport.

Pesë ditë më pas, në Triport është paraqitur shtetasi Moisi Habilaj, i cili ka hyrë lehtësisht në Shqipëri dhe ka hasur vetëm rezistencën e përgjegjësve të Triportit, që nuk e kanë lejuar fillimisht të marrë skafin, pasi nuk kishte dokumentacion. Por Moisi Habilaj e ka marrë skafin dhe ka udhëtuar drejt Italisë, së bashku me dy mekanikë që kanë qëndruar atje me shpenzimet e ish-ministrit dhe janë kthyer disa ditë më vonë në Shqipëri. Riparimi i skafit shkoi në vlerën e 40 mijë eurove, ndërkohë që ishte blerë për vetëm 15 mijë euro. Skafi është riparuar në Brindizi.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura