Dështon buxheti, gropë 100 milionë USD

Nov 25, 2015 | 13:50
SHPËRNDAJE

Edhe me planin e shkurtuar, të ardhurat nga Tatimet e Doganat kanë dështuar. Tabela e publikuar dje, me një vonesë të kthyer në rregull nga Financat, tregon një mungesë prej 10.9 miliardë lekësh në zërin e të ardhurave.

Në krahasim me planin fillestar, gropa në buxhet në 10 muajt e parë të vitit është 109 milionë USD, sipas kursit që përdorin ministrat, (1 USD-100 lekë). Ndërsa, në krahasim me planin fillestar, atë që kishte parashikuar në janar qeveria, mungesa e të ardhurave arrin në 24 miliardë lekë, ose 240 milionë USD.

Ministri i Financave duke folur ne Kuvend
Ministri i Financave duke folur ne Kuvend

Një shifër e frikshme. Të ardhurat tatimore kanë një deficit prej 70 milionë dollarësh në krahasim me planin e ndryshuar, ose 160 milionë USD në krahasim me planin fillestar. Duket se aksioni me gjoba e burg për biznesin nuk po funksionon, ose ekonomia ka qenë përgjithësisht formale, dhe administrata fiskale është e paaftë, dhe aksioni nuk po jep rezultat.

Shifra prej 360 milionë dollarësh, që përmendi ministri Cani, si e ardhur e pritshme nga formalizimi, është akoma një ëndërr. Ka edhe një mundësi tjetër, që është më fatzezë. Biznesi po formalizohet, por ekonomia po bie me ritme të frikshme. Kjo e fundit mund të jetë një arsye për të shpëtuar administruesit fiskalë. E gjendur përballë kësaj situate, qeveria ka ndaluar shpenzimet.

Buxheti i këtij viti po ndikon në rritjen e ekonomisë më pak sesa ai i vjetshmi. Shpenzimet në total janë shkurtuar me 220 milionë USD. Dhe zëri që preket më shumë, sigurisht janë investimet. Këto të fundit për 10 muaj janë realizuar vetëm 37 miliardë lekë.

Qeveria kishte në plan të shpenzonte 45 miliardë lekë. Pra, ka frenuar investimet me një vlerë prej 80 milionë USD. Duket se do të përsëritet sërish plani i vitit të kaluar, kur në dy muajt e fundit të vitit u tenderuan mbi 200 milionë USD. Edhe këtë vit, sipas planit, janë 670 milionë USD për investime. Deri tani janë shpenzuar vetëm 370 milionë dhe rreth 260 milionë USD do të tenderohen për 60 ditët e mbetura.

 

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura