Dëshmorët të ishin gjallë, do na hidheshin për fyti…

Feb 13, 2024 | 7:37
SHPËRNDAJE

agim-jazajAGIM JAZAJ

“Mundet të rriten edhe pensionet, por janë të kushtëzuara nga kontributet, sepse kontributet këtu bëjnë poshtë e si mund të bëjnë pensionet lartë”, – arsyeton “Avokati”, avokat i pazgjedhur i qeverisë. Si mund t’i ngrejë pensionet qeveria”?! E njohin edhe origjinasit dhe shokët e tij patronazhistin e verbër: Votën Qorre, Jankon e shkretë! Mirëpo këto ditë, edhe sot qysh në sabah edhe Janko Avokatit, Bexho Rrapishtes, Xhevo Bexgës, Aldo Ferrës, Teno Drizës u ishin ngritur kujkujset në qiell dhe pyesnin. “Ku i gjeti kontributet qeveria për ngritjen e pagave të ministrusheve, deputetkave dhe gjyqtarkave në 7 milionë, ku nuk i kanë rroga në asnjë vend të botës, taborit të zyrtarucëve nga dyfish i pagës që marrin”? Dhe nuk paska të ardhura për ngritjen e pensioneve – pyeste edhe vetë Jankua? Kjo armatë pensionistësh, në taborin e Tufës; Votë Qorre, më thirri ditë më parë edhe miku im në rrugë Patrioti, (Votë Qorre) ndihen kur iu vjen e keqja te b… e tyre. Kur zjarri ka rënë te gjitoni, apo në rrugë, kjo tufë fërkon duart: Larg nga B… ime.

Eh milet i shkret, se ka hak lirinë!…

Edhe Bexho Rrapishtja, sikur i ka rënë kaplloqes dhe dërdëlliste në tribunën e lulishtes sot! “Qeveria bëri ngritje page, dyfishin për vete, sapo mori votat nga ne, na plaçin sytë dhe mend”, – grisi edhe teserën e “Rilindjes! “Po, kur të vijnë mend, nuk i hanë as qentë”, – thotë populli. “Bëjnë krahasimin me pagat e deputetëve të huaj, po përse nuk bëjnë krahasimin edhe me pagat dhe pensionet e qytetarëve të huaj?! Qoftë edhe me pensionet e bashkëkombësve tanë të Kosovës, që kanë qenë të pushtuar dhe ne mbetemi të pushtuar, shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e le më të italianëve, grekëve e më tutje”, – habitet dhe pyet edhe B. Rrapishtja dhe jo vetëm! Përse nuk bëjnë krahasimin edhe me numrin e popullsisë dhe numrin e deputetëve që kanë vendet e Europës, kur ne votojmë taborin me deputetë dhe me një qerre banorë! Përse nuk bëjnë krahasimin e numrit të popullsisë së Italisë, sa deputetë dhe sa ministra ka vendi fqinj dhe në krahasim me numrin e popullsisë dhe sa ka Shqipëria?! Taborët me deputetë, dredharakë, bredharakë e kredharakë dhe tufën me ministrusha, sikur të jemi mbi 50 milionë banorë?! Edhe Bexho Bexgës sikur i vijnë mend ditën dhe i fluturojnë natën! Pranon dhe lumturohet të jetojë i shtypur, i shfrytëzuar nga klasa, glasa e tij, që ka pushtuar vendin! “Jam familje dëshmori. Jam i mëngjër me PS-në, për PS-në do vdes, tundet, krekoset Bexho Rrapishtja dhe Xhevo Bexga. E sa e sa mendjefyej – të verbër! Një popull (milet) i varfër, i mjerë shfrytëzohet lehtësisht!

*Sikur dëshmorët të kishin rënë për Shqipërinë që ëndërruan dhe u flijuan dhe e shkretuan, e zbrazën, e shkatërruan dhe e poshtërojnë edhe sot ditën me diell, qeveritë – do na kishin lanetisur! Shumë nga kjo sërë; Votë Qorre besnik edhe përpara të pabesëve dhunojnë dhe abuzojnë edhe me gjakun e dëshmorëve, duke u krekosur: “Jam familje dëshmori dhe votoj PS”, duke ngatërruar partinë e quajtur parësore! Pra, mohojnë atdheun mbi të gjitha dhe i të gjithëve, duke mbetur stoik me abuzuesit dhe shfrytëzuesit me pushtetin, shëmtimin e racës shqiptare! Bijtë dhe bijat, etërit dhe gjyshërit e djeshëm, morën armët, dhanë edhe gjakun, për të fituar Lirinë! I thirri atdheu mbi të gjitha e jo partia. Ëndërruan atdheun e tyre si gjithë bota e përparuar, pa pushtues e zaptues të pushtetit, pa hajni dhe jo të rrënuar e të zbrazur, i mbytur nga krimi dhe abuzimi! Vota qorre, njehson partinë me luftën dhe aspiratën e partizanëve dhe urrejnë ata që i quajnë: Ballist e tradhtar! Ndoshta do të rezultonte edhe shumë më mirë të kishte fituar ideali i këtyre, atdhetaria! Për t’u çliruar nga pushtuesit e huaj dhe për të mos u sunduar nga sunduesit e vendit të një race, të paracë! Më kujtohen vargjet e një këngë që mori një nip, familje dëshmori në ditën e 5 Majit, kur shkuam e vendosëm kurorën me lule në vendorigjinën tonë, në kujtim të tyre:

Dëshmorët të ishin gjallë,
Do na hidheshin për fyti,
Për Atdheun e përdalë,
Që ka bërë syfet jeziti!

Militanti që ngacmoi me fjalën e mbajtur pranë lapidarit, teksa dëgjoi këngën gjatë ceremonisë ua mbathi këmbëve… A mos vallë dëshmorët e dhanë jetën për të çliruara atdheun nga gjermanët dhe të pushtoheshin nga shqiptarët? Të çliroheshin nga fashistët e ballistët dhe të sundoheshin nga komunistët! Dëshmorët sipas kësaj logjike diletante; mos e dhanë jetën, gjakun për PS e sotme, jo për atdheun e ëndërruar? Dëshmorët nuk i përkasin PS, po janë bij të atdheut dhe të mbarë kombit!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura