Dentistja Etlinda Mucaj: Fëmijët jetimë kanë nevojë për një buzëqeshje të bukur

Feb 23, 2016 | 15:08
SHPËRNDAJE

Gjate javes menjëherë lajmi në rrjetet sociale se një dentiste kishte marrë përsipër të rregullonte dhëmbët e fëmijëve të Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”. Lajmi u shpërnda e u mirëprit gjithandej, veçse dentistja vetë, Etlinda Muçaj, nuk foli.

12745544_223399551337610_3190456807015429835_n
Dentistja Etlinda Muçaj, gjatë punës në klinikë

Mundet që mos ta kenë kërkuar, por as ajo vetë nuk se do shumë të ekspozohet. E bëri sot me të vetmin qëllim që kjo nismë e saj të zgjerohet edhe më…

Si ju ra ndër mend për fëmijët e Shtëpisë “Zyber Hallulli”, dua të them, a kishit informacion se kishin probleme me dhëmbët apo..?!

Së pari, duhet të them se nuk e prisja që kjo gjë të bëhej e madhe. I përmbahem thënies “të mirën bëje dhe hidhe në det”, megjithatë kjo nismë e imja nuk është gjë tjetër veçse një ndihmë për këta fëmijë që të marrin kujdesin e duhur dentar si çdo fëmijë tjetër. Secili prej tyre do të jetë i pajisur me kartelën personale dhe përshkrimi i çdo procedure që zhvillohet dhe anamneza e përgjithshme. Këta fëmijë do të marrin çdo kujdes të nevojshëm për dhëmbë të shëndetshëm. Gjithmonë kam qenë e ndjeshme karshi fëmijëve, fakti që sot jam nënë ma ka shumëfishuar këtë ndjenjë. Megjithatë, vendimin e mora pasi pashë një video të postuar nga aktori Bes Kallaku i “Portokallisë”, më përloti dhe e vetmja ndihmesë që mund të jepja duke vepruar konkretisht ishte përmes profesionit tim.

Në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”
Në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”

Në fakt, si ishte gjendja e tyre në këtë aspekt? Kush kujdeset për ta, në vijimësi, sa u përket dhëmbëve?

Nuk di se kush është kujdesur më parë për ta, por di që, pasi shkuam e u dhamë lajmin, e pritën të gjithë shumë mirë. Isha bashkë me Bes Kallakun dhe aktoren tjetër Delinda Zhupa dhe për këtë dua t’i falënderoj të dy. Nga e premtja, bashkë me stafin, sepse është e pamundur t’i menaxhosh e vetme, kemi nisur punën me grupin e parë të fëmijëve dhe jam e sigurt që gjithçka do të shkojë mirë.

Secili nga ne, kur ka shkuar te dentisti në atë moshë, përveç të qarave, kujton edhe prindin gjithnjë me vete për shkak të frikës. Kush i shoqëron fëmijët dhe si do të procedohet me ta?

Falë teknologjisë dhe metodave të reja stomatologjike, sot procedurat kryhen pa dhimbje, nuk ka vend as për frikë e as për një njeri mbi kokë. Ata janë të shoqëruar, por shpirtërisht i shoqëroj unë me 10-fishin e kujdesit. Qëllimi im është buzëqeshja e bukur e tyre dhe këtë nismë do ta çoj deri në fund. Do të jem e gatshme për çdo gjë, trajtimet do të jenë ndër më të mirat, si nga silantet (parandalim i kariesit) flourizimi dhe çdo gjë e nevojshme.

Aktorja e “Portokallisë”, Delinda Zhupa, me fëmijët e “Zyber Hallullit”
Aktorja e “Portokallisë”,
Delinda Zhupa, me fëmijët e “Zyber Hallullit”

Nga ana tjetër, kujtoj gjithashtu që gëzonim kur na thërriste dentisti i shkollës, sepse do të mungonim në një orë mësimi… Gëzimi mundte edhe frikën nga dentisti… A gëzojnë ata fëmijë se po dalin nga shtëpia e tyre e përhershme…

Mendoj që, për shkak të mënyrës se si janë rritur dhe kontrollit të vazhdueshëm, gëzojnë të dalin, pavarësisht se ku shkojnë. Jo vetëm prej të dalës, por edhe për të takuar njerëz të rinj, nuk janë më brenda mureve të përhershëm.

Uroj t’ju lexojnë edhe kolege tuajat dhe ta ktheni këtë në një rit që përsëritet një herë në kaq kohë… Ju do ta bëni sërish apo varet nga intensiteti punës?

Uroj që edhe kolegë të mitë të vazhdojnë këtë që unë nisa. Unë do ta bëj sërish sa herë të mundem dhe pasi të përfundojmë këtë kontratë do t’i vizitoj gjithmonë ata fëmijë, sa herë të mundem dhe do të nxis të tjerët për të kontribuar për këtë shtresë. Janë të shumtë ata që mund të ndihmojnë, si për shembull qendrat e mëdha tregtare, lokalet, supermarketet, dyqane, farmaci… Të gjithë bashkë mund të bëjmë një gjë të mirë, sepse i vetëm, me gjithë dëshirën, askush nuk mundet. Do të doja të përmendja edhe kolegun tim Franc Kume, i cili sapo mësoi për këtë gjë më ndihmoi me gjithë materialet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura