“Kthimi në Shkodër ishte i trishtë për kompozitorin”- Dëshmia e rrallë e maestros së njohur për Prenk Jakovën: Vetëm pak kohë më vonë, në gjendje të rëndë depresive i dha fund jetës, sepse…

May 7, 2024 | 7:39
SHPËRNDAJE

prenk jakovaNga Alma Mile

Zhani Ciko: Si vrau veten Prenk Jakova, për operën “Skënderbeu”…?!

U deshën të kalonin 44 vjet, që opera “Skënderbeu” e Prenk Jakovës, të ri shihte dritën e skenës. Në 100-vjetorin e Pavarësisë, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, nxjerr nga arkivi këtë vepër, duke e risjellë atë në një dimension të ri, duke iu përshtatur jo vetëm kohës, por edhe përmasave e imazhit që shqiptarët kanë për Heroin Kombëtar. Ajo që të bën menjëherë përshtypje, është fakti që kjo opera, duhet të priste kaq gjatë, që të ri ngjitej në skenë…! Por opera “Skënderbeu”, ka një histori të komplikuar. E porositur me urdhër nga “lart”, thonë se vetë Enver Hoxha, e ka takuar personalisht Prenk Jakovën, dhe ia ka lënë porosi, opera u shkrua në një kohë rekord. Premierën erdhën ta ndiqnin gjithë krerët e shtetit dhe pritja ishte shumë e ftohtë.

Kompozitori, jo vetëm që nuk mori asnjë falënderim për punën kolosale, por i’u desh të përballej me një lumë kritikash, thashethemesh e, si mbyllje; një dyfaqësh të “zi” në gazetën “Zëri i Popullit”. Kjo ishte një goditje fatale për kompozitorin, i cili kishte kaluar një jetë plot peripeci dhe përndjekje, për shkak të pushkatimit të të vëllait nacionalist, nga diktatura komuniste. Kthimi në Shkodër, do të ishte i trishtë për kompozitorin, i cili vetëm pak kohë më vonë, në gjendje të rëndë depresive, i jep fund jetës, në moshën 52-vjeçare.

Më pas vepra u harrua. Vlonin temat e ditës me punëtorë e kooperativistë dhe “Skënderbeun” e mbuloi pluhuri. Pas 44 vitesh nga ai vit i largët 1968, drejtori i Teatrit Kombëtar i Operës dhe Baletit, maestro Zhani Ciko, që aso kohe ka qenë një djalë i ri, që sapo kishte vënë këmbët në opera, tregon historinë e saj, pritjen e kohës, arsyet pse u harrua dhe megaproduksionin, që do të ngjitej në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në vitin 2012, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë.

Ciko, pse opera “Skënderbeu”, duhet të priste 44 vjet, për të ardhur në skenë?!

Ishte një detyrim ndaj autorit, ndaj një vepre që ka shumë muzikë brenda, që të shtyn të zbulosh shumë gjëra interesante, plus që koincidon edhe me 100-vjetorin e Pavarësisë. Prej vitesh kam dashur t’i kthehem kësaj vepre, por e dija që ajo do të kishte kohën e duhur dhe është pikërisht ky vit, mbasi Skënderbeu mbetet vepra e parë historike e plotë, në muzikën shqiptare, që tregon një afresk të madh, të një epoke të lavdishme, në historinë kombëtare tonën.

Përse nuk u ngjit më vonë në skenë, në fund të fundit, ajo ishte një vepër për Heroin tonë Kombëtar…?

Përpara besoj se arsyet kanë qenë të shumta. Duke qenë se vepra nuk pati ndonjë sukses të madh, nuk u kujtuan më për të. Aso kohe ishte më shumë një prije ndaj temave të ditës. Pas Plenumit IV, orientimi ishte; fokusimi në temën e ditës dhe “Skënderbeu” quhej një kapitull i mbyllur, vetëm më vonë nga mesi i viteve ’80-të, u shfaq një vepër me temë legjendare, që ishte “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, por deri atëherë, edhe kur vepra kishte një kontekst letrar të fuqishëm, si “Lumi i vdekur” apo, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, maskoheshin pas titujve, si; “Para stuhisë”, “Tokë e pamposhtur”, pra sloganizoheshin përmbajtjet e veprave, në mënyrë artificiale. Por të gjitha këto, kanë pasur rolin e tyre në zhvillimin e muzikës shqiptare, i cili duhet konsideruar pozitiv, në një pjesë të rasteve.

Si do të vijë kjo vepër për publikun e vitit 2012?

Tashmë kemi mundësinë ta trajtojmë atë në gjithë gjerësinë që krijon, muzikalisht dhe skenikisht, me qëllim që të ngjitet në atë piedestal ku meriton të jetë, një “grand opera”, që në vizionin tonë, i afrohet të gjitha operave të tjera të repertorit botëror, që kanë personazhe historike të vërteta. Aq më shumë që “Skënderbeu”, duhet të ketë qenë një personazh shumë atraktiv, këtë e tregon dhe fakti që pas vdekjes së tij, iu dedikua një opera nga Vivaldi. Ky është një rast unik, jo vetëm për Shqipërinë por, në artin skenik në përgjithësi, pasi veprat e epokës baroke, merreshin me tema nga lashtësia ose mitologjia dhe nuk ka raste, që të kenë qenë personazhe të vërtetë.

Që këtu e kuptojmë që “Skënderbeu”, ka rrezatuar në Europë dhe ne do ta sjellim këtë rrezatim në veprën tonë. Por kemi dhe imazhin që kanë krijuar shqiptarët pasi kanë lexuar Barletin, Nolin, e vepra të tjera, kanë parë monumentet e Skënderbeut. Dhe ky imazh që ne kemi, nuk është ai që ka Europa vivaldiane, ku kemi aventurat kalorësiake, të heroit që ka dhe dramat e tij të brendshme, pra një plan tërësisht tjetër. Kurse këtu kemi një Skënderbe, personazh i një historie kombëtare, që ai e udhëheq mbi disa parime të mëdha, heroike, mbarëuropiane, mbarëkristiane. Të gjitha këto ndihen më shumë në muzikë, sesa në fjalë, pasi autorët i janë ruajtur atakimit të vazhdueshëm me kritizerët e kohës, që prisnin vetëm një fjalë, për t’i vënë kyçin operës.

Ky faktor ndihet në religjiozitetin e veprës, në fragmente korale, në qëllimin që kanë qëndrimet e Gjergj Kastriotit, në disa momente lapidare, si; “I madhi çast po vjen” apo, “Lirinë nuk ua solla unë”, që janë dhe skenat më të mëdha të veprës. Opera krijon mundësi, që t’i afrohesh epokës dhe për të mos e lënë “Skënderbeun”, siç është menduar në atë kohë, si prijës i turmave popullore, që u ndesh me një ushtri të rregullt e të sistemuar të Sulltan Muratit dhe e paskan mposhtur.

Kjo nuk është e vërtetë. Historia e Skënderbeut, njeh sa marrëdhëniet në fushën e diplomacisë, me shtete të tjera dhe aspektin e organizimit të një shteti, me princat e tjerë, të një ushtrie shqiptare, që bëri të mundur që të fitojë dhe të mposhtë për vite me radhë, ushtritë e Anadollit. Dhe të gjitha këto aspekte, janë pjesë e këtij megaproduksioni.

Pra vjen e riparë?

Ne e kemi riparë në të gjitha ato momente ku na lejohet, ku mund të penetrojmë, për të dhënë këtë kontekst të këtij “Skënderbeu”, sipas vizionit tonë dhe shpresojmë ta japim këtë afresk të madh të historisë sonë, 100 vjet nga krijimi i shtetit dhe mbi 400 të tjera, nga koha kur kanë ndodhur.

Ka arritur dot kjo vepër t’i mbijetojë kohës në rrafshin e vlerave që mbart?

Në këtë lexim të ri, pas kaq vitesh, nga një pozitë tjetër, gjej që ka faqe shumë të bukura. Opera tjetër e Prenkës, “Mrika”, është shumë e vlerësuar nga pikëpamja muzikore, kjo vepër e çon atë më përpara. Prenka, ka avancuar në konceptin e tij për të krijuar operën, ka përpunuar mjaft në strukturë, në dramaturgjinë muzikore, plus faktit që në çdo faqe që ka kompozuar, sidomos në ariet masive, ka derdhur shumë emocion dhe ka shumë muzikë brenda.

Përse keni zgjedhur një regjisor të huaj për rivënien e kësaj vepre?

Zgjedhja e regjisorit erdhi e detyruar, nga disa ngjarje të fundit. U detyruam të thërrisnim profesor Saletin, meqë ka eksperiencë me vënien e veprave masive. Është profesor në Akademinë e Veronës, atje është Arena, ku montohen shfaqje të mëdha dhe përgatiten shumë të rinj, për të furnizuar këtë skenë. Dhe përveç formimit të tij profesional dhe muzikor, njeh edhe këtë aspekt tjetër dhe do të dijë ta sjellë mirë, pa kaluar në ekzagjerime.

Ndërkohë që “Skënderbeun”, do e luajë një amerikan, nuk ka pak rrezik këtu?

“Skënderbeu”, u shkrua për një zë të veçantë, jo për çdo lloj tenori dhe atëherë ka pasur diskutime, nëse duhej të ishte tenor apo bariton. Duke parë se zë më të plotë dhe të veçantë, si dhe staturën e nevojshme e kishte Xhoni Athanas, u shkrua për të. Kështu që duhet të gjesh një tenor, që afron me tenorët vagnerianë, që të jetë potent edhe si zë, edhe si temperament. Në këtë kuadër, tenorët tanë janë më të përshtatshëm, për operat lirike. Rolin e “Lek Dukagjinit”, që ka arien më të bukur të tenorit, që atëherë e ka kënduar Gaqo Çako, do ta këndojë Armaldo Kllogjeri, rolin që ka kënduar Mentor Xhemali, do ta këndojë Ylber Gjini, etj.

Shumë roleve, ua kemi gjetur korrespondencën e tyre në teatër. Por në fund të fundit, ndërsa në filmin “Skënderbeu”, rolin e heroit e luan Akaki Orava, gjeorgjian, një amerikan sot, na vjen për shtat të gjithëve. Aq më tepër pasioni i tij i jashtëzakonshëm dhe përkushtimi ndaj kësaj vepre në gjuhën shqipe, e bën shumë të përshtatshëm. Ai do të këndojë në gjuhën shqipe. Është një artist me jetë shumë të pasur, që ka kënduar në teatrot më të mëdhenj në “Metropolitan”, në “La Scala”, në skenat gjermane, etj. Ka kënduar në 12 gjuhë dhe për të është një zbavitje më shumë.

Në planin historik, lidhja juaj me operën “Skënderbeu” është shumë më e hershme…?

Vepra “Skënderbeu” me libret të Llazar Siliqit, u kompozua enkas për festimet e 500-vjetorit të vdekjes së heroit, në vitin ’68. Në atë vit, unë sapo kisha ngjitur shkallët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, si violinist i parë dhe më ka qëlluar që jo vetëm ta nis punën time me këtë vepër, por dhe me të tjera, por e kam njohur nga afër, gjithçka ndodhi me këtë vepër dhe me Prenk Jakovën, që në atë kohë ishte një kompozitor, që gëzonte një autoritet të plotë në ambientet muzikore dhe pas një kalvar i gjatë familjar e përndjekjesh, kishte arritur të kristalizonte një pozicion të qëndrueshëm, falë autoritetit të tij dhe një pune kolosale, që bënte.

Si ka lindur kjo vepër?

Porosia për të shkruar këtë vepër, duhet të ketë qenë nga zyrtarë të lartë, së cilës Prenka, siç rezulton dhe prej arkivit familjar, i është përkushtuar me shumë dashuri shumë seriozitet, siç ishte dhe në natyrën e tij. Vepra ka njohur 4 punime të libretit, që nga libreti fillestar, që duhet të ketë qenë zanafilla e shkrimit të kësaj opere, ku ngjarjet që zhvillohen që nga ardhja e Skënderbeut në Krujë, kthimi i tij pas betejës me Huniadin dhe ngjarjet me radhë, deri në fitoren e tij të parë historike, në betejën e Torviollit. Llazar Siliqi në variantin e parë, e kishte parë “Skënderbeun”, si një sundimtar vasal të Sulltanit në Kalanë e Krujës, pra ngjarjet marrin një pikë fillim tjetër.

Në variantet e tjera, ndryshon fillimi i operës dhe ka një spostim skenash, me qëllim që autorët ta ruanin thelbin e veprës që kishin bërë dhe t’u përgjigjeshin vërejtjeve të vazhdueshme, që u ishin bërë në këshillat artistike dhe me siguri edhe në sferat më të larta të shtetit, që ishin të pashmangshme në atë kohë. Ndërsa aspekti muzikor i veprës, është ruajtur thuajse tërësisht dhe nuk ka as në arkivin e familjes, ndonjë variant tjetër të kompozitorit, me pjesë të hequra të veprës, madje përkundrazi, autorët i përballuan të gjitha vërejtjet dhe kanë pasur vështirësi, për të kapur datën e premierës. Këtë gjë e pagoi orkestrimi i veprës, pasi për shkak të kohës së ngushtë, vepra u nda në disa duar dhe u orkestrua edhe nga kompozitorë të tjerë.

Si u prit vepra në atë kohë?

Premiera u prit ftohtë. Ishin të gjithë hierarkët e kohës dhe vepra nuk pati atë pritjen e duhur, me gjithë përpjekjet e stafit të operës, për të sjellë një opera më të madhe se herët e tjera, ku mori pjesë edhe trupa e Baletit. Pra, për kohën, ishte një vepër me dimension të madh. Shfaqjet e mëvonshme, Prenk Jakova i ndoqi me shumë vëmendje, duke pritur edhe ndonjë vlerësim apo, ndonjë takim të mundshëm, për punën që kishte bërë. Por kjo nuk ndodhi dhe ai mundi të marrë vetëm kënaqësinë e publikut, duke nisur nga shfaqja e dytë. Pra, në një farë mënyre, u ngroh nga pritja e mirë e publikut të operës dhe miqve që e panë operën.

Si e përjetoi kompozitori këtë “dështim”?

Largimi i tij nga Tirana, ka qenë i trishtë, aq më tepër që ai u pasua nga një artikull i botuar pikërisht, ditën e largimit të tij dhe me gjasë, e ka lexuar në Shkodër. Një dyfaqësh i madh, në gazetën zyrtare “Zëri i Popullit”, që praktikisht e hidhte poshtë veprën. Natyra e Prenkës, nuk e pranonte dot elasticitetin. Ai ishte i gjatë, i qëndrueshëm, i fortë. Thjeshtësia e tij, fillonte në gjëra elementare, që nga shkrimi i parteve, tek zhvendosja e karrigeve, pritja e amatorëve, drejtimi, pra ka qenë një kapelmaestër i papërsëritshëm, i jetës shkodrane.

Shumë muzikantë të mirë ka nxjerrë Shkodra pas tij, por asnjëri nuk arriti t’i ngërthente të gjitha këto tipare. Siç duket, Prenka me personalitetin që kishte, plus dhe problemet personale që pati, të dramës që nuk arriti ta çonte atje ku dëshironte jetën e tij individuale, nuk e përballoi dot. Kjo ngjarje vijoi në gjendjen e trishtueshme të jetës personale të Prenk Jakovës dhe akti tjetër pas përfundimit të kësaj vepre, ishte akti i vetëvrasjes.

Thatë që vepra u prit ftohtë, madje edhe u sulmua, cilat ishin arsyet, çfarë nuk i pëlqeu udhëheqjes?

Në lidhje me këtë janë shkruar edhe libra, ndërkohë që ne do fillojmë sistemimin e arkivave të operës, por meqenëse kam qenë pjesë e kësaj opere dhe ndonëse kam qenë një djalë i ri, që brenda një kohe të shkurtër, do të isha dhe vetë subjekt i këtyre goditjeve, i kam ndjekur zhvillimet lidhur me të. Një pjesë e kritikave, ishin pjesë e tavolinave ku kërkohej diçka, po pa e kapur thelbin se përse bëheshin këto tryeza. Nuk është si bordet e sotshme. Atëherë duhet të ruhej raporti mes figurës së diktatorit dhe figurës së “Skënderbeut”. Kjo me shumë gjasë, nuk i ka pëlqyer atij, ose ndoshta e kishte menduar trajtimin e “Skënderbeut”, në një plan tjetër. Pra thelbi i së gjithës, nga njëra anë, duhet të ketë qenë raporti me pushtetin.

Nga ana tjetër ishte karakteri mbretëror i kësaj figure, i monarkut të ardhshëm të shtetit shqiptar, në një kohë që shteti aktual, i kishte hequr të gjitha spaletat e njerëzve, kishte vënë një barazitizëm të hatashëm, kishte ngritur zërin e masës, në çdo diskutim, kontrollin punëtor dhe të tjera parime, si ato monarkike, me zor i kanë duruar t’i shihnin në një opera, sado që të sfumuara. Një tjetër faktor ishte, ajo që ziente përbrenda nën dyshemenë e teatrit, xhelozitë, se përse duhej ta bënte ai atë opera, kush duhej të ishte autori zyrtar, etj. Dhe të gjitha këto, kanë luajtur rol në kritikën zyrtare.

Thonë se veprën e ka porositur vetë Enver Hoxha, si shpjegohet qëndrimi i tij paskëtaj?

Nuk e di se deri ku arriti kujdesi i tij, pasi nuk na ka ardhur ndonjë dokument, apo nuk kemi parë ndonjë letër, që ia ka çuar autorit. Mund të ketë qenë ndonjë përkrahje, nën rrogoz, por fakti që nuk e mbrojti, tregon se nuk ka qenë aq i përkushtuar. Distancat ishin përcaktuar. Ai qëndronte atje ku qëndronte, kurse autorët, ishin pjesë e anturazhit të tij minor, që i duheshin në një moment të caktuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura