Goditet banda shqiptare që grabiste “lojërat e fatit” në Itali, 4 të dënuar. Pjesë e grupit edhe 3 femra

Feb 27, 2015 | 14:02
SHPËRNDAJE

Drejtësia italiane ka dënuar disa anëtarë të bandës shqiptare që grabiste kompjuterët e lojërave të fatit nëpër lokale dhe qendra tregtare në Udine.

Lajmi në mediat italiane

Sipas medias italiane nga dhjetori 2011 deri në prill 2012, gjatë ditës anëtarët e bandës shkonin nëpër lokale dhe qendra tregtare dhe luanin në kompjutera lojërash fati, kurse gjatë natës ktheheshin për t’i grabitur ato.

Pas muajsh hetimesh policia në Udine ka zbuluar veprimtarinë kriminale të bandës. Sipas mediave italiane janë nëntë të pandehur, pothuajse të gjithë të rinj shqiptarë, 4 u dënuan dje me burg, kurse 5 të tjerë u çuan për gjykim. 

Dënimi më i lartë 1 vit e 4 muaj burg dhe 500 euro gjobë u dha për shqiptarin Nuri Xhemali, 30 vjeç, i ndjekur nga 1 vit e 2 muaj dhe 600 euro gjobë për Mirjana Abddyli, 24 vjeçe, gjithashtu shqiptare, 1 vit dhe 400 € për Alice Versolato, 25 vjeçe, e vetmja italiane në bandë, 4 muaj dhe 600 € për Gazmed Zeneli, 28 vjeç, shqiptar. Për Versolato-n dhe Abdylin dënimi u pezullua me kusht. 

Sakaq raportohet se i është dhënë pafajësi e plotë Agim Tolës, shqiptarit 48-vjeçar, i zhdukur pa lënë gjurmë.

Në gjykim janë edhe anëtarët e tjerë të grupit. Dritan Prenga, 35 vjeç, shqiptar, Arben Gjelili, 39 vjeç, maqedonas, Vjollca Alushi, 46 vjeçe, Ilirjan Isufi 29 vjeç, Florim Sejdija 39 vjeç. Prengës i ishte dhënë masa e sigurisë “arrest shtëpie”, por ai sapo ka mundur është arratisur nga Friuli dhe ende sot rezulton i shpallur në kërkim.

Vendimi është lëshuar nga gjyqtari i gjykatës së Udines, Roberto Venditti, në fund të seancës paraprake dëgjimore të kryer për të akuzuarit, disa prej të cilëve janë zhdukur pa lënë gjurmë.

Për të gjithë, akuza ishte për vjedhje në rrethana të rënduara. Shtatë prej tyre u përgjigjën për bashkëautorësi në kryerje krimi, me qëllim pikërisht grabitjen e lokaleve dhe pikave të tjera biznesi, si ato të shkëmbimit të parave dhe makinat e lojërave të fatit, kurse (katër prej tyre) për zotërim të një furgoni dhe një makine që rezultonin të vjedhura. Në aktakuzë, janë përfshirë 24 palë të dëmtuara.

Meshkujt pikasnin lojërat e fatit, kurse femrat bënin ‘asistenën logjistike” duke i shoqëruar ata nëpër lokale.

Baza e grupit ishte apartamenti i Zenelit, ku disa prej anëtarëve të bandës jetonin. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura