Dëmi në bashki e komuna, KLSH 20 kallëzime penale

Jun 30, 2013 | 10:41
SHPËRNDAJE

Bujar Leskaj
Kontrolli i Lartë i Shtetit është fokusuar gjatë këtyre muajve në auditimin e institucioneve vendore, bashki dhe komuna, dhe si rezultat i kësaj në Prokurori kanë përfunduar me dhjetëra dosje. Periudha për të cilën është ushtuar kontrolli përfshin dy vite nga aktiviteti institucional, vitin 2011 dhe 2012.

BASHKITË
Në Bashkinë e Kavajës KLSH ka konstatuar një dëm ekonomik në vlerën 25 milionë lekë. Kryesisht ky dëm ka ardhur si rezultat i moszbatimit korrekt të ligjit për prokurimet publike. Sikurse theksohet në raport, vihet re që në disa raste janë skualifikuar operatorët me çmime më të ulëta, duke favorizuar ato me çmime më të larta. Një tjetër precedent është ajo e rritjes së fondit limit për punime që duhet të kryheshin, apo më keq akoma, pagesa për punë të pakryera fare. Lidhur me të gjitha këto shkelje, KLSH ka kallëzuar në Prokurori për 6 persona punonjës të Bashkisë Kavajë. Një tjetër bashki që ka kaluar në “sitën” e KSLHsë është edhe ajo e Kuçovës, ku audituesit janë ndeshur me një sërë praktikash abuzive që i kanë shkaktuar buxhetit të Bashkisë një dëm 5.8 milionë lekë. Të grupuara këto shkelje konsistonin në mangësi në zbatimin e legjislacionit si në drejtim të administrimit material e monetar, ashtu dhe në drejtim të prokurimeve publike dhe kontrollit të territorit. Në disa raste punonjësit e kësaj bashkie kishin përfituar pagesa shtesë në kundërshtim me atë që sanksionojnë ligjet në vend. Në Prokurori kanë përfunduar kallëzimet për tre punonjës, mes të cilëve drejtori i Ndërmarrjes Komunale, përgjegjësja e financës dhe drejtori i Shërbimeve të Transportit të Bashkisë Kuçovë.

KOMUNAT
Abuzimi te prokurimet publike duket të jetë shkelja tipike që KLSH ka hasur në komunën Gjinar të qarkut të Elbasanit. Në fillim të prillit të këtij viti, kur përfundoi kontrolli, audituesit kanë konstatuar një dëm prej 11.8 milionë lekësh, kjo e lidhur me ndërtimin e ujësjellësit. Bëhet fjalë për ujësjellësin Garxhe-Pashtresh-Xibër- Kafer-Valesh-Gjinar-Elbasan, ku komisioni i komunës ka skualifikuar një ofertë dukshëm më të lirë dhe ka favorizuar një tjetër. Në këto kushte, KLSH ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan për 4 punonjës të kësaj komune. Në komunën Levan të Fierit shkeljet e hasura nga ana e KLSH-së kanë rezultuar me një dëm ekonomik prej 8.8 milionë lekësh. Ndër të tjera, shkeljet lidhen me administrimin e aseteve të komunës, qiradhënie, kryeja e pagesave të paargumentuara ose me dokumentacion të plotë dhe shkelje në prokurime publike. Për këto shkelje KLSH ka kaluar në Prokurori 7 persona.

Nertila Maho 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura