Debati i plotë gjatë mbledhjes/ Shou në bashki me lekë e bidona

May 24, 2016 | 8:27
SHPËRNDAJE

Këshilli Bashkiak ka përjetuar tension në orët e para të mbledhjes maratonë. Për rreth një orë, përfaqësuesit e Parlamentit të Tiranës akuzat e përsëritura ndaj punëve e projekteve të bashkisë i shoqëruan me veprime që shkaktuan zhurmë e ilaritet në sallë.

veliaj, keshilli bashkiak

I gjithë ky shou ndodhi teksa kryebashkiaku Erion Veliaj po argumentonte projektvendimin për kalimin e disa pasurive nën administrimin e “Tirana Parking”.

Përmendja e dy personave, eksponentë të Partisë Demokratike, që kanë zaptuar sheshet e qytetit, zgjoi zemëratën e këshilltarëve të djathtë, të cilët në parim kishin rënë dakord se në krye të mbledhjes të ruanin qetësinë dhe etikën.

Por kjo nuk zgjati shumë. Në debat e sipër, kur Veliaj u rikujtoi kundërshtarëve politikë se nuk kanë të drejtë të flasin për të drejtat e qytetarëve, pasi ende nuk kanë thënë asnjë gjë për pallatin te diga, një reagim jo i pritshëm erdhi nga këshilltari Akil Kraja.

Nga ulësja e tij, ai hodhi 50 lekë në drejtim të kryebashkiakut, duke e cilësuar atë si të zotin e një “dasme”, të cilën po e dirigjonte vetë ai. Ndërsa Veliaj, në përpjekje për të ruajtur qetësinë, iu përgjigj se “aq vlen edhe nderi i presidentit tuaj”, teksa u bëri thirrje të distancohen nga ata që zaptuan qytetin.

“Keni rënë të gjithë në gropën e pallatit të digës. Rënia e bidonit nuk është alternativë. Nëse doni të vini në pushtet, silluni mirë e me edukatë. Largohuni nga shokët e partisë. Tirana nuk është as për Çimin e as për Bashkimin, por për qytetarët”.

Në kundërshtim për të dëgjuar ligjëratën e kryebashkiakut, duke e cilësuar një monolog të tepërt e në pamundësi për t’i hequr mikrofonin, këshilltarët e opozitës, të ngritur thuajse të gjithë në këmbë, bënë që mbledhja të ndërpritej disa herë.

ZARFI PËR NISHANIN

Duket se debati për pallatin te diga është zhvendosur nga Këshilli i Bashkisë në zyrën e televizionit “Ora News”. Në emisionin e Ilva Tares, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, ka injoruar padinë për shpifje të Presidentit Bujar Nishani, duke bërë gati një zarf me 100 lekë, të cilin tha se do t’ia nisë sot zyrës së presidentit.

“Presidenti do ta ketë 1 mijë lekëshin me zarf rekomande. Tani që u lamë dhe nderi i tij u kompensua, a mund të fokusohemi te gjërat më serioze?”, iu drejtua Veliaj drejtueses së emisionit. Në padinë e para disa ditëve, Presidenti Nishani i ka kërkuar kryebashkiakut Veliaj një dëmshpërblim prej 100 lekësh për akuzat që ky i fundit i ka drejtuar kreut të vendit.

VENDIMI PËR TAKSAT

Një nga projektvendimet më të rëndësishme në listën e gjatë me 26 pika ishin taksat e reja që prekin një sërë kategorish. Bëhet fjalë për pensionistët, veteranët, invalidët e punës dhe luftës, përfituesit e ndihmës ekonomike, të verbrit dhe para e tretraplegjikët, të cilët nga muaji që vjen nuk do të paguajnë më tarifën e pastrimit dhe taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore.

Për të përfituar nga kjo, kategoritë e sipërpërmendura duhet të dorëzojnë pranë zyrave të njësive administrative të Bashkisë së Tiranës dokumentet që vërtetojnë gjendjen e tyre. Paketa e re fiskale parashikon lehtësira edhe për bizneset e reja, duke i përjashtuar nga taksa e tabelës dhe tarifa e pastrimit për tre muajt e parë.

“Përjashtimisht për bizneset e krijuara të reja afati i pagesës së detyrimit është brenda tre muajve nga data e regjistrimit pranë QKR”. Është përcaktuar gjithashtu shuma që duhet të paguajnë qytetarët për ndikimin në infrastrukturë, e cila për pallate të reja është 8% e vlerës së investimit, për ndërtime të ndryshme brenda shtëpisë është 4%, ndërsa për ato me funksione publike është vetëm 2%. Ndryshime të ndjeshme kanë pësuar edhe linjat urbane, të cilat janë paraqitur me detaje në tabelën ngjitur shkrimit.

Spaho: Bashkia e Tiranës do të marrë para nga qytetarët që parkojnë në rrugë publike dhe nuk do të ketë asnjë përmirësim të infrastrukturës ose të numrit të vendeve të parkimit. Nuk mund të jemi dakord, pasi këto territore që duhej të ishin publike, do të përvetësohen nga Bashkia e Tiranës. Pak diferencë ka për qytetarët nëse ia paguajnë paratë bashkisë apo privatit.

Veliaj: Shpresoj të ishte lapsus. Nuk është njësoj të thuash që në tokën e bashkisë në 4 vitet e fundit u zaptua nga subjektet. Nëse këto para nuk i merr privati, por bashkia, e cila i kthen në investime, nuk mund të thuash se është e njëjta gjë.

Spaho: Nuk i merr qytetari, por bashkia.

Topollaj: Bëj një kënd lojërash, jo parking.

Veliaj: Edhe atë do ta bëj. Unë dua që publikja të marrë atë që i takon. Kush është privat ose ta paguajë, ose të gjejë një mënyrë alternative. Po marrim një shembull konkret me një person që unë dhe bashkia jemi ende në gjyq. Sot duhet ta pranosh që estetikisht vetëm sheshi duket më mirë. Për një herë të vetme të harrojmë militantizmin partiak dhe të themi shyqyr që kemi një bashki që ia heq nga dora një privati zaptues.

Spaho: Në asnjë mënyrë asnjë këshilltar s’ka mbrojtur zaptuesit e parkingjeve. Shumë mirë që i hiqni, por është e pavërtetë të thoni që iu kthehet qytetarëve. Iu kthehet vetëm në rast se ata kanë të drejtë të parkojnë në mënyrë të ligjshme, të lehtë dhe pa lekë. Nëse ti iu imponon taksë, atëherë ata nuk janë të lirë. Më parë ishin pa lekë. Pse duhet të jenë me pagesë?

Veliaj: Stadiumi “Dinamo” i Çim Babasit ishte i privatizuar e me lekë. Parkingu i Bashkim Ulajt te “Qemal Stafa” ishte me lekë. Nga njerëz të Partisë Demokratike distancohuni.

Kraja: Mos përmend emra, se do të bëhesh pishman. O zhurmues…

Veliaj: Publiku e mori sheshin “Italia”, janë 1200 makina që e përdorin atë dhe s’e përdor kompania e PD. Ju po thoni që Çim Babasi e Bashkim Ulaj i bënin nder qytetit. Sa të jem unë kryetar partie, shokët e bashkisë nuk do të marrin sheshet e Tiranës.

Kraja: Mbylle se le nam, turp, arrogant, i pashkolluar… Respekto qytetarin, hesht.

Veliaj: Sheshet që marrim nga privatët e nderojnë bashkinë, ju lajnë dhe ju nga mëkatet. Distancohuni nga njerëzit që e privatizuan.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura