Dashuria që u përjetësua në objekte

Nov 28, 2017 | 15:08
SHPËRNDAJE

“Nuk janë lavditë e së shkuarës ato që kanë rëndësi. Nuk janë sulltanët apo gjeneralët e mëdhenj, por njerëzit dhe objektet e tyre. Ia vlen të ruash detajet e veprimeve tona, të fjalëve dhe aromave tona. Sepse letërsia është arti i shndërrimit të së përditshmes dhe përkohshmes, në sublime dhe të përjetshme.

Ndaj, e ardhmja e muzeve është brenda shtëpive tona”. Këto janë fjalët që ka thënë shkrimtari turk, kur u hap në Stamboll “Muzeu i Pafajësisë”, disa kohë pas daljes së romanit të tij me të njëjtin titull. Muzeu i Pafajësisë, bashkë me dashurinë surreale të Kemalit e Fysunit, përshkruan historinë e trazuar të Stambollit të viteve ’70. Të gjitha objektet që gjenden në të, përveç të gjitha momenteve të hidhura e të lumtura që ushqenin nevojën e Kemalit për të pasur të dashurën pranë, tregojnë edhe fytyrën e Stambollit.muzeu-i-pafajesise

“Muzeun dhe romanin i mendova dhe ndërtova njëkohësisht. Nuk ishte libri që më bëri të mendoja për muzeun dhe as muzeu për librin. Mendoja njëkohësisht për to. Në këtë mënyrë, vjen historia edhe në roman. Kemali është shumë i dashuruar me Fysunin, por punët nuk i ecin ashtu siç ai do.

Në mënyrë që ta ruante raportin që kishte humbur, në mënyrë që ta përjetësonte vajzën e zemrës, Kemali nisi të mbledhë të gjitha rrobat, sendet, orenditë, kujtimet, në mënyrë obsesive, në emër të dashurisë së tij. Edhe unë në kohën që po shkruaja romanin, fillova të mblidhja sendet që shikoja përreth sepse doja t’i shikoja ato para se t’i fusja në roman dhe pastaj, pasi romani t’i kishte pranuar, t’i ekspozoja në këtë muze.

Kur mbarova romanin, shtëpia ime ishte e mbushur plot me gjëra dhe fillova të mendoja për mënyrën se si të gjitha këto kujtime, sende të dashurisë së Kemalit me Fysunin, do të mund t’i ekspozoja në muze. Në fund e gjeta mënyrën e ekspozimit. Romani ka 83 kapituj, po kaq është dhe numri i vitrinave dhe i kutive në muzeun tone”, ka shpjeguar Pamuk.

Përgjatë gjithë librit, të gjithë krijojmë në mendjen tonë atmosferën e Stambollit melankolik të viteve ’60 dhe ’70 dhe përftojmë një hapësirë nostalgjie dhe të pazakontë, përmes objekteve jetësore të vërteta dhe të zakonshme, që bëhen krejtësisht të prekshme kur hyn brenda në muze.

Në hyrje të tij, ndeshesh menjëherë me 4213 bishtat e cigareve që ka pirë Fysuni. Janë në të gjithë gjendjet e saj shpirtërore, dhimbja, pikëllimi, malli, nervozizmi… sepse ajo e i shprehte ato pa folur, ndërsa Kemali i kuptonte e i përkthente si donte, në çdo shtypje të bishtit të cigares. U deshën thuajse dy dekada për të realizuar muzeun që ndodhet në një banesë të shekullit të 19-të, ku janë vendosur 83 stenda dhe ekspozita për të pasqyruar 83 kapitujt e librit. Ashtu si në roman, ku vetë Pamuk shfaqet si një nga personazhet, shumë nga materialet në muze janë të vetë autorit.

Por vendndodhja e muzeut rrëfen një histori tjetër, atë të transformimit të Stambollit. Kur Pamuk bleu ndërtesën para 15 vjetësh, zona ishte e rrënuar dhe e varfër. Tani po bëhet me shpejtësi një nga zonat më moderne të qytetit, me galeri artesh dhe çmime të larta të godinave. “Lexuesit e parë turq të brezit të ri më thanë ‘zoti Pamuk, Stambolli im është shumë më i gëzueshëm.

Nuk është i trishtueshëm dhe melankolik’. Jam dakord me ta. Por mos u gënjeni nga 1 milion të lumturit në qendër të qytetit, që janë buzë Bosforit. Stambolli ka 13 milionë banorë. Ka qindra mijëra të papunë nëpër periferi që janë ende të varfër.” Edhe pse lexuesit e dinë që historitë janë trillime, në artin e romanit ekziston dhe mendimi se gjithçka është e vërtetë.

Njerëzit lexojnë, pa dyshim e dinë se çfarë është romani dhe se ajo që lexojnë është një trillim i shkrimtarit, por pasi lexojnë 5 faqe, fillojnë të veprojnë, të mendojnë sikur ajo që lexojnë është e vërtetë. Kaq shumë përfshihen, ndihen pjesë, nëse u pëlqen libri, sigurisht. Kjo lidhje mes së vërtetës dhe imagjinatës është e ekspozuar në Muzeun e Pafajsisë, atje ku mund të hysh pa biletë, nëse ke lexuar librin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura