Dashuri dhe hakmarrje diktatori

Nov 9, 2022 | 7:55
SHPËRNDAJE

SHPENDI TOPOLLAJSHPENDI TOPOLLAJ

Xhevat Mustafa bën pjesë tek ajo kategori gazetarësh dhe shkrimtarësh që gjithë talentin e tyre, gjatë këtyre tri dekadave demokraci, e vunë me guxim në shërbim të demaskimit të asaj që ndodhi në vendin tonë gjatë gati gjysmë shekulli diktaturë komuniste. Ai vrulli i fillimit për zbulimin dhe evidentimin e krimeve të kryera ndaj popullit tonë nga regjimi gjakatar i Enver Hoxhës me shokë, dhe kryesisht fati tragjik që i ndoqi kundërshtarët politikë, nacionalistët, intelektualët, të kamurit, njerëzit me mendime të lira dhe properëndimore apo edhe ata midis radhëve të vetë drejtuesve partizanë gjatë luftës dhe pas çlirimit duket se pak nga pak po fashitet.

Po krijohet përshtypja se kanë qenë të mjaftueshme kujtimet e disa të burgosurve dhe të internuarve, pra, të atyre që e pësuan më keq apo e disa veprave mjaft të arrira letrare në gjini të ndryshme, si ato të At Zef Pllumit, Arshi Pipës, Uran Kalakullës, Pjetër Arbnorit, Visar Zhitit, Dhora Lekës, Fatos Lubonjës, Saimir Malokut, Uran Kostrecit, Gëzim Medollit, Halim Ramohitos, Spartak Ngjelës, Hysen Haxhiajt, Agim Mustës, Maks Velos, Vera Bekteshit etj. Mjaft cilësorë dhe domethënës janë dokumentarët televizivë të realizuar me aq përkushtim nga autorët e njohur Dashnor Kaloçi e Kastriot Dervishi, por edhe ato janë të pamjaftueshme. Dikush ka dhe mendimin se ajo që ndodhi i duhet lënë historisë dhe nuk kemi pse merremi më tej me të. Pra, duhet të shohim përpara.

Për të mos shkuar më larg; se ka zëra që shprehen se ai sistem kishte edhe gjëra të mira, për të mos folur pastaj për nostalgjikët apo brezin e ri, i cili as i ka parë, as i ka jetuar dhe natyrshëm që e ka të vështirë t’i besojë ato që hoqëm. Mirëpo, në raport me krimet e kryera dhe katandisjen e atdheut në një mjerim e varfëri që çuditi botën mbarë, deri tani është folur e shkruar fare pak. Për këtë kohë, historianët jemi ne. Kanë kaluar dy mijë vjet dhe bëmat e perandorit romak Neronit; shthurja morale, vrasja e nënës së tij, Agripinës, ekzekutimet pa gjyq të komplotistëve të drejtuar nga Pizoni, çuarja në vetëvrasje e mësuesit të tij Senekës, përndjekja e egër ndaj të krishterëve, djegia e Romës etj. ende diskutohen. E pra, shihni të gjithë jetën e Enver bukuroshit tonë dhe do të kuptoni se sa ngjan ajo me atë përbindësh etalon. Këtë ka dashur të vërtetojë edhe Xhevat Mustafa në romanin e tij “Dashuri diktatori”, mbështetur kryesisht te “Brenga ime shqiptare” të italianit Aldo Terrusi, i cili ka tridhjetë vjet që kërkon eshtrat e babait të tij, që vuajti dhe vdiq në burgjet shqiptare nga hakmarrja e pashpirt e nxënësit besnik të Stalinit, Enver Hoxhës. Po pse e gjithë kjo: nga kundërvënia politike, nga urrejtja, nga smira, nga zilia, nga frika se mos i marrin pushtetin?

Jo! Vetëm nga dashuria e refuzuar. Kjo patjetër që duket absurde. Por për diktatorin, absurdja konsiderohet normale. Me të rrëmbyer pushtetin, ai bëhet i paparashikueshëm, prepotent, arrogant, autokrat, paranojak. Zhvishet nga ndjenjat njerëzore. Për të kujtimet dhe emocionet nuk luajnë ndonjë rol. Ato ai i quan dobësi për një udhëheqës. Ndaj, jo vetëm ndaj italianes së bukur e të ndershme Aurelia që nuk i qe përgjigjur dashurisë së tij në Gjirokastër, por edhe ndaj Sabihasë në Korçë e Drita Kosturit ai tregohet i pamëshirshëm.

Nuk di ç’të them për devijimet seksuale të Enverit dhe as se ai shkonte me të përdala apo luante si zhigolo kur qe student në Paris. Por ka ca gjëra që askush nuk i vë në dyshim; që ai nuk kreu dot shkollën në Francë ku e dërguan, aq sa iu pre bursa, që kunati i tij Bahri Omari e mbante me para dhe ai e pushkatoi, që atyre atdhetarëve që e kishin strehuar e ndihmuar gjatë ilegalitetit, pa asnjë arsye ua lidhi duart me tela me gjemba dhe pasi i vrau pa asnjë procedurë ligjore, i varrosi në gropë të përbashkët, që shokëve të afërt të fëmijërisë dhe atyre të shkollës apo kolegëve ose iu mbyll goja ose u burgosën ose u shkuan në plumb. Dhe goditja nuk mbeti vetëm tek ata, por u shtri edhe te gratë, fëmijët e të afërmit e tyre. Dhe kjo, jo një vit e dy, por gjersa Zoti u kujtua se ai s’kishte më vend mes të gjallëve. Ja, rreth këtyre historive vërtiten ngjarjet e romanit të Xhevat Mustafës. Instinkti i Aurelias i parathosh asaj se do të gabonte po ta lidhte jetën me një spitullaq, megaloman e Narcis si Enveri. Shumë – shumë, ajo mund të kishte shoqëri me të si komshinj që ishin. Ndaj martohet me bankierin italian Zhuzepe, me të cilin lindi djalin e saj Aldon. Ishin të lumtur në familjen e tyre të ndershme, gjersa Enveri u bë i pari i Shqipërisë.

Se ai nuk harronte kollaj, ndaj i vuri detyrë bishës që mbante pranë që t’ua shkatërronte jetën duke akuzuar poshtërsisht e duke e burgosur Zhuzepen. Drama e Aurelias ecën paralel me gjithë tragjeditë e tjera; ajo nuk është e ndarë nga tërë zhvillimet neroniane në vendin tonë. Dhe autori ka zgjedhur të krijojë si sfond ngjarjet pas asaj “bombës” të 19 shkurtit të vitit 1951 që u hodh në oborrin e ambasadës sovjetike. Rrjedhën e atyre që përshkruan, shkrimtari Xh. Mustafa na e jep me mjeshtëri kronologjikisht, në formë ditari, pra me data të sakta. Sikurse edhe emrat e persekutorëve dhe të persekutuarve janë të vërtetë. Madje, të vërtetë janë edhe personazhet e dorës së dytë dhe që kur ata janë në shërbim të xhelatit të madh, shndërrohen në Enverë të vegjël.

I gjen ata kapadainj të pagdhendur, pa asgjë njerëzore dhe që nuk e njohin keqardhjen për ata që janë në fatkeqësi. Hetuesit, policët, prokurorët, gjyqtarët e deri rojat ua shtojnë sa të mundin vuajtjet, përbuzjen dhe torturat. I fyejnë për t’i depersonalizuar dhe kënaqen kur ndonjëri vdes. Qeshin duke u zgërdhirë teksa shprehjen më të preferuar për rastin kanë: “Ja dhe një armik më pak”. As që u shkon mendja se ai “armiku” është një i pafajshëm që ashtu si ata, ka familjen e tij, gruan e fëmijët e vegjël që e presin me ankth e drithërima. Dhe sa e turpshme dhe e neveritshme, kur sheh se ata horra, duke shfrytëzuar vështirësinë në të cilën ndodhet Aurelia, duan të përfitojnë nga bukuria e saj. Po si do të jenë sado pak humanë ata, kur Komandanti i madh i tyre çdo ditë sajon e ndëshkon armiq që rrezikojnë socializmin qesharak dhe tregohet cinik edhe para përgjërimeve të së motrës, nënës, atyre që paskej dashuruar apo edhe shokut të tij udhëheqës, Nako Spirus. Hipokrizia e tij është e pafund dhe e paanë, kur thotë se ndjenjat personale nuk janë asgjë para interesave të gjithë vendit dhe se këto punë i sheh drejtësia e popullit. Cilit popull? Atij që e shndërruan në skllav të bindur dhe që ulëret sa mundet “armiqtë në litar”, duke harruar barkun bosh të fëmijëve të tyre. Dhe çfarë makabriteti kur sheh se njerëzit dinjitozë dhe trima si Jonuz Kaceli, i cili me zgjuarsi ia përplasi revoltën në sy Mehmet Shehut, ua marrin jetën duke i hedhur nga dritarja dhe pastaj arkivolin e hipin në kamion së bashku me të gjallët që pasi i kishin arrestuar në mes të natës pa bërë asgjë, do të pushkatoheshin.

Sa e dhimbshme është kur autori përshkruan edhe fundin e shkencëtares iktiologe Sabiha Kasimatit, që e kishin përfshirë mes atyre intelektualëve të nderuar që patën studiuar nëpër Evropë. Të mbetet në mendje gjakftohtësia dhe fjalët e saj teksa po i çonin te vendi i ekzekutimit: “A po mbaheni si burra Dibre?” dhe “Po ju të dy nga Kosova, përse bashkë me ne, o vëllezër?”. Dhe diçka shekspiriane vijon kur Sabihaja pas urdhrit për zjarr, e plagosur, ishte ende gjallë. “Sipas… një ligji të vjetër … ndërkombëtar… më … falet… jeta!”. Po kush donte t’ia dinte për ligjet ndërkombëtare, xhahili Arqile, i cili besnik i verbër i partisë së Enver Hoxhës, pasi ia shkreh në ballë automatikun, ulëret: “Ik tani, rruga e mbarë, Sabiha Kasimati! Na shkatërrove nervat dhe na lodhe me vite! Paske pasur shtatë shpirtra!”. Ndërkohë, Aurelia pasi kishte dështuar në përpjekjet e saj për ta liruar të shoqin nga burgu i Burrelit, ku po hiqte të zitë e ullirit dhe për të cilin nuk mundi të bënte gjë as reputacioni i të vëllait të Aurelias, portierit të famshëm të kombëtares sonë, Xhakomino Pozeli, pas shumë peripecish, ishte riatdhesuar me të birin në Itali. Vazhdonte të shpresonte se një ditë, ai, Xhuzepja i saj i dashur, do të kthehej, gjersa i erdhi mandata, se ai kishte vdekur. Kishte vdekur për të mos ju gjetur as varri, prej nga i biri, të paktën si ngushëllim, të mund të kthente në vendlindje eshtrat e tij.

Është e pamundur ta lexosh një libër të shkruar me kaq të vërteta dhe të mos të të vijnë në mendje ato që shkruan A. Sollzhenjicini tek “Arkipelagu Gulag”. Ja si thotë diku ai: “Por vetë ata, të cilët na kishin vënë prangat në duar, tashmë qetësisht ngrinin duart dhe thoshin: “Nuk duhet!.. Nuk duhet ngacmuar e kaluara!… Kush përmend të vjetrën… atij i duhet nxjerrë njëri sy!”. Mirëpo, fjala e urtë përfundon: “Atij që harron… i duhen nxjerrë të dy!”. Për hir të kësaj domosdoshmërie, shkrimtari Xhevat Mustafa e ka shkruar këtë libër, duke na dhënë të njëjtin Enver, por nga një këndvështrim ndryshe nga ai që jemi mësuar ta njohim dhe gjykojmë. Perversiteti, meskiniteti dhe cinizmi i karakterit të tij janë boll për të kuptuar gjithë prapësitë që ai i bëri këtij vendi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura