Çmimi Nobel në Ekonomi 2016, Oliver Hart, Bengt Holmström

Oct 12, 2016 | 11:00
SHPËRNDAJE

anastas-angjeliPROF. ANASTAS ANGJELI

Ditën e hënë, 10 tetor, Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave shpalli dhënien e çmimit “Nobel” në Ekonomi. Si çdo vit, “Nobeli” në Ekonomi pasoi dhënien e çmimit prestigjioz në fushat e tjera, të Mjekësisë, Fizikës, Kimisë, dhe çmimit “Nobel” për Paqen. Ceremonia e djeshme do të pasohet nga dhënia e çmimit “Nobel” në Letërsi. “Nobeli” në Ekonomi, ashtu siç ndodh edhe me atë të të gjitha fushave të sipërpërmendura, është një nga vlerësimet më të mëdha që mund t’i bëhet një studiuesi të kësaj shkence.

Dhe po, siç ndodh edhe me Çmimin “Nobel” në fushën e Letërsisë, edhe ai i Ekonomisë paraprihet nga parashikime të shumta, por edhe pasohet nga debate dhe diskutime të shumta. Për këtë vit, Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave vendosi që çmimi “Nobel” në Ekonomi t’u jepet profesorëve Oliver Hart dhe Berngt Holmstrom, duke vlerësuar kontributin e tyre për teorinë e kontratave. Oliver Hart ka lindur në Londër në vitin 1948 dhe është diplomuar në Universitetin e Princeton-it. Që prej vitit 1993, është profesor i Ekonomisë në Universitetin e Harvard-it.

Në studimet e tij është përqendruar kryesisht në teorinë e kontratave, teorinë e korporatave dhe në financat e korporatave me një interes të veçantë në rolin që struktura e pronësisë dhe rregullimet kontraktuale luajnë në qeverisjen e korporatave. Studimi i tij “Firms, Contracts, and Financial Structure” është një tekst bazë që përdoret në universitete anembanë globit. Berngt Holmstrom ka lindur në 1949-n në Helsinki dhe është diplomuar në Universitetin e Stanfordit.

Që prej vitit 1994 është profesor i Ekonomisë dhe Menaxhimit në Massachusetts Institute of Technology. Është një teoricien i mikroekonomisë i fokusuar kryesisht në teorinë e kontratave, teorinë e korporatave, qeverisjen e korporatave etj. Ka publikuar një sërë punimesh shkencore, të cilat janë botuar në disa nga revistat shkencore më prestigjioze në fushën e ekonomisë. Sivjet, çmimi “Nobel” për Ekonominë, ose më mirë “Çmimi i Bankës Kombëtare të Suedisë i Shkencave Ekonomike në kujtim të Alfred Nobel” iu akordua profesorëve Hart dhe Holmstron për studimet e tyre në teoritë e kontratave.

Analizat e tyre dhe mjetet teorike të elaboruara nga ta janë konsideruar shumë të vlefshme për kuptimin e kontratave të ndryshme, si dhe institucioneve, por edhe për problematikat që mbart përpilimi i kontratave. Teoria e përpiluar nga dy fituesit e sivjetshëm është përdorur për analizimin e një sërë çështjesh që lidhen me përpilimin e kontratave, si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik. Studimet e tyre kanë hedhur bazat teorike për përpilimin e politikave në fusha të ndryshme, që nga legjislacioni për falimentimin e deri te e drejta kushtetuese.

Kontributi i kërkimit shkencor të dy fituesve të sivjetshëm është thelbësor në kuptimin e funksionimit të ekonomisë moderne. Teoria e kontratave elaboron koncepte për kuptimin e përpilimit të kontratave. Qëllimi kryesor i kësaj teorie është shpjegimi i arsyeve se pse kontratat kanë forma të ndryshme dhe përpilime të ndryshme. Gjithashtu, nëpërmjet kësaj teorie synohet nga njëra anë përpilimi i kontratave optimale dhe nga ana tjetër, përmirësimi i institucioneve. Çështje që trajtohen nga kjo teori janë thelbësorë për funksionimin e shoqërive moderne.

Kështu, një nga më kryesoret është se: A duhet institucione të rëndësishme, si shkollat, spitalet apo edhe burgjet, të jenë në pronësi publike apo private? Gjithashtu: A duhet që nëpunësit në institucionet e mësipërme të paguhen me paga fikse apo në bazë të performancës së tyre? Siç shpjegon edhe deklarata e komitetit të akordimit të çmimit “Nobel”, nëpërmjet studimeve të tij Bengt Holmstrom tregoi se si duhet përpiluar një kontratë optimale, duke përdorur parimin që Holmstrom e përkufizoi si “Parimi i informativitetit”.

Holmstrom është fokusuar edhe në çështje më konkrete, si në rastet kur punonjësit nuk shpërblehen vetëm me pagë, por edhe me rritje në detyrë; kur nëpunësit merren më shumë çështje njëkohësisht, ndërsa drejtuesit vëzhgojnë vetëm disa dimensione të performancës; ose kur anëtarët e një grupi pune mund përfitojnë në kurriz të anëtarëve të tjerë të grupit. Oliver Hart, nga ana tjetër, nëpërmjet studimeve të tij ka dhënë një kontribut të vyer në një fushë të caktuar të teorisë së kontratave, e cila fokusohet në rastet e kontratave të paplotësuara.

Kjo fushë e teorisë parashikon alokimet optimale të të drejtave të kontrollit, pra se cila palë e kontratës duhet të ketë të drejtën për të marrë vendime dhe në cilat rrethana. Studimet e thelluara të Oliver Hart kanë analizuar në një këndvështrim të ri çështje që lidhen me pronësinë dhe kontrollin e biznesit dhe kanë pasur një ndikim të rëndësishëm, jo vetëm në degë të ndryshme të shkencës ekonomike, por edhe në disiplina të tjera, si shkencat politike apo shkencat juridike.

Mjetet konceptuale dhe teorike të elaboruara nga Oliver Hart përdoren për të studiuar çështje shumë të rëndësishme si lidhja që ekziston midis borxhit dhe rritjes së kapitalit apo si çështja shumë e rëndë- sishme dhe e shumëdebatuar se a duhet institucione të ndryshme (si p.sh. institucione arsimore apo institucion penitenciare) të jenë publike apo private. Siç e përmenda më sipër, çdo vit dhënia e çmimit “Nobel” në Ekonomi diskutohet gjerësisht nga studiuesit e shkencës ekonomike. Kuptohet që, parashikimet nuk mungojnë, ashtu si edhe komentet dhe debatet në lidhje me arsyet që Akademia akordon këtë çmim studiuesve të caktuar.

Çmimi “Nobel” shërben jo vetëm si një kurorë- zim i punës kërkimore -shkencore të studiuesve të caktuar, por edhe si një nevojë jo vetëm e shkencës, por edhe e politikëbërjes për t’u fokusuar në tematika të caktuara të rëndësishme për mirëfunksionimin e sistemit ekonomik. Le të mos harrojmë se një sistem ekonomik (por edhe politik dhe social), ka nevojë për rregulla të mirëpërcaktuara, për marrëveshje të mirëhartuara që parashikojnë të drejtat dhe detyrimet e secilës nga palët nënshkruese. Teoria e kontratave (dhe studimet e thelluara të dy laureatëve të sivjetshëm) na ndihmon pikërisht të kuptojmë rëndësinë që ka respektimi i kontratave dhe në përgjithësi i rregullave të lojës për funksionimin e gjithë sistemit.

Mjafton të përmendim këtu faktin se më punën e tyre kërkimore-shkencore Holmstrom dhe Hart kanë përcaktuar parimet që ndihmojnë kompanitë dhe firmat e biznesit të përpilojnë kontrata të tilla, në mënyrë që të sigurohen se drejtuesit nuk sakrifikojnë stabilitetin afatgjatë të firmës për përfitimet e bonuseve të tyre që lidhen me performancën afatshkurtër. Dhe ishte pikërisht marrja e një risku shumë të madh nga drejtues të ndryshëm të bankave me qëllim përfitimin e bonuseve të fundvitit një nga shkaqet që solli krizën financiare të 2008-s.

Ky fakt na rikujton edhe një herë se sa shumë është e lidhur shkenca e ekonomisë me praktikën ekonomike dhe sa shumë kjo e fundit ndikon jetën e përditshme të gjithsecilit nga ne. Prandaj çmimi “Nobel” në Ekonomi edhe këtë vit iu akordua studiuesve që nuk e harrojnë këtë parim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura