Çfarë më duhet t’i shpjegoj z. Barbullushi?

Apr 24, 2015 | 12:45
SHPËRNDAJE

ARTAN FUGA

   Në një shkrim të botuar dje te gazeta “Panorama”, doktor Myftar Barbullushi kritikon dikë, të panominuar, që sipas tij paska bërë një gabim të madh , meqë në një media paska thënë se botimet në revista, qofshin edhe ato të huaja, nuk janë një kriter i mjaftueshëm për të treguar performancën shkencore të profesoratit në kërkimin shkencor, dhe aq më pak nuk janë aspak të mjaftueshme për të marrë tituj shkencorë. Zoti Barbullushi, pse nuk e përmendni emrin tim, ndonëse keni dhënë aq të dhëna, sa të kuptohet së paku nga unë dhe nga rrethi i publikut të interesuar që ky person që e sulmoni pastaj në planin personal, jam unë, Artan Fuga?
Është në moralitetin e të shprehurit publik transparenca e atij që sulmohet, duke i dhënë epitete të ndryshme, si fyerje për egocentrizëm, papërgjegjshmëri etj. etj. etj.
Pse nuk jeni i guximshëm për të bërë ballazi debat akademik e shkencor, por e hidhni gurin dhe fshihni tabelën e qitjes të cilën godisni?
Po ashtu, morali i të shprehurit publik kërkon që të paraqiteni sikurse jeni, edhe si pjesëtar i asaj skuadre që shkroi tekstin e projektligjit dhe që bota universitare në dokumente zyrtare po kritikon dhe unë personalisht, në mendimin tim të lirë, e konsideroj si një format të keq, që, po qe se aprovohet, do ta shkatërrojë përfundimisht arsimin e lartë në Shqipëri.
Nuk e kuptoj se përse fshiheni!
Nuk ka asnjë arsye.
Edhe e bëni projektligjin, edhe e mbroni, edhe sulmoni në planin personal ata që nuk janë dakord me ju dhe me tekstin e të cilit jeni autor, edhe paraqiteni në media sikur jeni një zë i pavarur nga modeli i reformës që na paraqisni.
Nuk është etike.
Argumente, zoti Myftar Barbullushi, argumente. Nuk është fare e edukuar, e sjellshme dhe e qytetëruar që, në vend të tyre, të sillni sharje dhe ofendime, fyerje dhe supozime ndaj atyre që nuk janë dakord me ju dhe që nuk i përdorin këto mjete.
Tani, ta kaloj këtë pjesë, sepse nuk ka pikë rëndësie për mua. Nëse me ato teknika aspak të qytetëruara, sepse kisha imazh tjetër për ju, mendoni se ju apo ata që qëndrojnë pas jush, mund të më bëjnë të mos përfitoj nga liria ime akademike për të thënë mendimet e mia për gjendjen e arsimit të lartë, gaboheni rëndë dhe harxhoni kohën kot.
Të vij te thelbi i problemit.
Po, prej dhjetë vitesh mbroj tezën se kriteret e vlerësimit të performancës për të marrë tituj shkencorë, për t’u bërë profesorë e doktorë, janë të gabuara, kanë prodhuar inflacion titujsh, kanë bërë të derdhen buxhete, pa ndikim pozitiv aq sa duhet, në jetën reale dhe në përparimin e kombit. Projektligji që ju keni përgatitur, nuk e prek këtë anë, e ligjëron dhe nuk e ndryshon, pra pajtohet me vulgaritetin dhe mediokritetin, në dëm të interesit të përgjithshëm, duke mbrojtur rehatinë dhe amullinë tonë intelektuale.  
Cila është ideja ime, që e mbështes në praktikat më të mira perëndimore sot?
Nuk mjafton të botosh në revista, qofshin edhe ndërkombëtare ose të huaja, për t’i quajtur pastaj këto botime si të dhëna të padiskutueshme, të panegociueshme, si elemente apriori të dosjeve për të marrë titujt profesor etj.
Këta artikuj a punime shkencore shumë mirë që botohen, por edhe ato duhet të bëhen objekt reflektimesh, oponencash nga juritë dhe komisionet e akordimit të titujve dhe jo të merren e të konsiderohen automatikisht si arritje, sikur ndodh tani.
Mos harroni se projektligji juaj i heq fare juritë e specializuara në rang fakultetesh dhe departamentesh për t’u bërë oponenca punimeve shkencore, çka do të çojë në një rrënim edhe më të rëndë të nivelit intelektual të shoqërisë sonë sot.       
Edhe ju do të jeni përgjegjës për këtë.
Sado i mirë të jetë një artikull shkencor, qoftë edhe i botuar jashtë, ai duhet të bëhet objekt oponencash në mjediset shkencore. Ju citoni ndonjë shkrimtar, por menaxhimi i shkencës nuk është poezi dhe prozë artistike. Ju ndofta nuk i njihni fare teoritë e Burdies, Kuhnit, Fayerabendit etj., sipas të cilit mbivendosja e kritereve mediatike dhe mass-komunikative mbi kriteret e përbrendshme shkencore të komunitetit shkencor e shkatërron shkencën dhe kërkimin shkencor. Nuk ju vë faj, sepse nuk është detyra juaj ta njihni menaxhimin e kërkimit shkencor, që është shkencë më vete.
Për një mijë arsye, qoftë edhe për të parë nëse ato arritje janë origjinale ose jo, kanë ose jo origjinalitet, qoftë edhe për të ngjallur debat, ose për të parë se sa koherente është ajo krijimtari dhe ato rezultate që paraqiten, duhet hequr dorë nga injorimi i oponencave edhe mbi artikujt shkencorë tashmë të botuar.  
Nga kriteret mediokre dhe pa kuptim që kemi, juritë e mbrojtjes të titujve janë kthyer thjesht në regjistruese të numrit të artikujve të botuar, dhe askush nuk debaton rreth tyre.
Nga ana tjetër, matja e punës shkencore vetëm me komunikime, qofshin edhe në revista shkencore të huaja, ka bërë që shumë parametra të tjerë të lihen krejt pas dore dhe projektligji juaj e injoron këtë plagë të madhe të botës shkencore shqiptare. Duhet matur me përparësi edhe aktiviteti mësimor i profesorëve, si edhe impakti real i shkencës në jetën shqiptare. Shkenca në ndihmë të administrimit të ekonomisë, ligjvënësve, në përpunimin e modeleve statistikore, në arritjet drejt zhvillimit teknik e teknologjik, shprehur në forma të ndryshme, është lënë krejt mënjanë. Kjo ka sjellë që ne doktorë e profesorë të kemi plot e gjendja reale e shoqërisë nuk ndien pothuajse asnjë impakt emancipues që të vijë prej andej.
Mbajtja vetëm e kritereve botuese dhe komunikative për të vlerësuar performancën shkencore të dikujt, ka bërë që të lulëzojë tregu i blerjes së hapësirave botuese nga autorët, duke rendur pas revistave fantazmë, që sot në botë po bëjnë tregti të pisët, duke botuar reciprokisht nga vendi në vend pikërisht dhe duke përfituar nga prapambetja e vendeve të Lindjes apo vendeve arabe në kriteret e vlerësimit të performancës shkencore të dosjeve të paraqitura.
E kam ngritur me forcë këtë çështje në KVTA e kaluar, pra në kohën e qeverisë së Partisë Demokratike, por zëri im ra në vesh të shurdhër. Kujtova se KVTA e tanishme do ta ndryshonte situatën, por mjerisht konstatoj se vazhdon e njëjta praktikë false, hipokrite, e bërjes dhe dhënies të titujve me lopatë, duke fyer vlerat e vërteta të shkencës shqiptare që nuk mungojnë. Dhe pikërisht kur pritej që individë me reputacion ta sulmonin këtë praktikë mjerane, ngrihen zëra që i vihen në mbrojtje.
Ka ndryshuar bota e komunikimit masiv, zoti Barbullushi, ju ndofta nuk e dini, sepse nuk është profesioni juaj, por sot çdo shkencëtar mund të krijojë median e vet, por nuk mjafton të botosh në të. Duhet të vlerësohesh jo vetëm në plan planetar, por edhe për kontekstin e vendit nga merret terreni i kërkimit, nga stadi i kërkimit në atë vend, dhe prandaj duhet vlerësim nga strukturat e këtushme të vlerësimit të performancës shkencore dhe nuk mjafton botimi vetëm në revista shkencore të huaja.
A keni ju si skuadër shkruese e projektligjit një statistikë të botimeve shkencore shqiptare në botë? A e ka Ministria e Arsimit? A jemi në gjendje ta analizojmë?
Hiç, zero.
Këtë po kërkoj prej kohësh dhe jo të servilosemi.
Nëse ju ka shokuar dalja ime edhe në “Portokalli”, kuptojeni zoti Barbullushi një gjë, që ndoshta nuk keni si ta dini. Sot është trend mbështjellja e lajmit serioz edhe me humor.  
Aq më shumë të bësh humor me shprehje nëpunësish që shkelin dinjitetin e nëpunësit të Republikës.  
Dhe është një gjë serioze të bësh humor në emisione humori, ndërsa është qesharake kur transformon në sharje dhe fyerje një debat që duhet mbështetur në argument, qoftë edhe në një media që ka format serioz.
Unë e kam dhënë një shpjegim se përse nga ndonjë anëtar komisioni o nëpunës vijnë fyerje dhe ofendime për ata që kundërshtojnë projektligjin. Janë shenja lodhjeje nga debati, prandaj kalohet në sulme personale, kërkohet eliminimi simbolik i debatuesit, jeni lodhur me këtë punë, i keni hyrë detit në këmbë në rrugë të gabuar; E, kur lodhesh, nis të shash…
Dhe, në vend të argumenteve, nis e gjuan me pështyma, me fjalë, e me mjete të tjera rrethanore.
Mjerim i madh…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura