Çashku: Pse nuk u angazhova në politikë, por në të drejtat e njeriut

May 19, 2016 | 18:01
SHPËRNDAJE

Përpara një auditori prej 5 mijë vetash, kineasti shqiptar, aktivisti i të drejtave të njeriut, Kujtim Çashku, u nderua me titullin e lartë të karrierës “Doktor of Letters Honoris Causa”.

Më datën 8 maj, në Auditoriumin e qytetit të Utica-s në New York, u mbajt ceremonia e diplomimit të studentëve të Utica College, si dhe nderimi i një prej personaliteteve të artit shqiptar.

Presidenti i universitetit, Todd Hutton dhe presidentja e Senior Class, Courtney Hryniowski, do të përshëndesnin studentët dhe do t’u uronin rrugëtim të mbarë në një kapitull të ri të jetës së tyre, ku Utica College do të vazhdonte të ishte pjesë e pandarë.

Më tej, presidenti Hutton shpalli vendimin e marrë nga Bordi i të Besuarve dhe Fakulteti i Universitetit të Utica-s së shtetit të New York-ut për dhënien e titullit “Doktor of Letters Honoris Causa”

Kujtim Çashku

z. Kujtim Çashku dhe titullin “Doctor of Sacred Theology Honoris Causa” Father Paul Drobin, më datë 8 maj 2016, firmosur dhe vulosur nga Utica College. Profesor Emeritus of Human Rights Scholarship & Advocacy, Dr. Theodore Orlin, u bëri një prezantim të pranishmëve lidhur me personalitetin dhe karrierën e Kujtim Çashkut, jo vetëm si kineast, por edhe si aktivist i të drejtave të njeriut.

“Që prej vitit 1992 kam bashkëpunuar ngushtësisht me z. Çashku në fushën e të drejtave të njeriut, duke vizituar burgjet dhe zonat e internimeve të regjimit komunist. Më 2004 ai krijoi shkollën e parë të filmit dhe multimedias në vendin tij. Gjithashtu edhe lidhjet e ngushta të tij me Utica College në 2006, në Festivalin e Filmit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut.

Z. Çashku ka dëshmuar me aktivizimin dhe karrierën tij gjatë tranzicionit të një vendi totalitarist kurajë dhe devotshmëri për arritjen e standardeve ndërkombëtare që Shqipëria i meriton”, është shprehur Orlin. Më pas, kryetari i Bordit të të Besuarve, Mark Pilipezuk, lexoi dedikimin e diplomës, ndërsa presidenti Hutton i dorëzoi z. Çashku titullin “Doctor of Letters Honoris Causa”, duke i vënë në qafë shallin simbolik të titullit të merituar.

Titulli i dytë “Doctor of Sacred Theology Honoris Causa” për vitin 2016 iu dha Father Paul Drobin për meritën e shërbesave dhe kurajën e mbrojtjes së principeve të diversitetit dhe vëllazërimit si një pasuri e botës sonë.

Kineast dhe aktivist i të drejtave të njeriut, Çashku ka kryer studimet në I.L. të Arteve në Tiranë në Institutin e Filmit dhe Teatrit I. L. Caragiale në Bukuresht dhe më pas kreu studimet postuniversitare në Universitetin e Columbias NYC. Është një nga themeluesit e Forumit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, sot Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Ai është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare me filmat “Ballë për ballë”, “Kolonel Bunker” apo “Lotët e Kosovës”.

Është rektori dhe themeluesit i Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”, si dhe drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut. Ai mban titujt “Artist i Merituar”, “Kavalier i Urdhrit të Artit dhe Letrave” të Republikës Franceze, “Komandues i Urdhrit të Meritës Civile” të Mbretërisë së Spanjës. Është anëtar i Akademisë Europiane të Filmit dhe së fundi “Doktor i Letrave Honoris Causa” të Utica College NY.

Sapo jeni nderuar “Doktor i Letrave Honoris Causa” nga Utica College në NY, që besoj duhet të ketë qenë rezultat i një bashkëpunimi të gjatë, si ka lindur?

Në vitin 1992 së bashku me prof. Theodore Orlin, pedagog në Utica College, kryem një investigim në lidhje me të burgosurit politikë në Shqipëri. Ky ishte angazhimi im i parë dhe bashkëpunimi me këtë universitet. Vitet rrodhën dhe unë realizova “Kolonel Bunker”, dhe Ted Orlin organizoi shfaqjen e tij në Utica College, duke u marrë në analizë nga studentët. Kjo ndodhi edhe me “Lotët e Kosovës”, realizuar në vitin 1998, xhirimet e të cilit i kam realizuar në kufi. Kjo përbënte prezencën time si artist dhe si aktivist i të drejtave të njeriut. Unë kam shkuar 4-5 herë atje, kam zhvilluar dhe master-class, mbi tema që lidhen me censurën dhe autocensurën apo mbi konceptin e krijimit të një filmi dokumentar, duke u mbështetur në dy filmat që ishin shfaqur tashmë atje. Më tej Utica College u bë një nga partnerët e Festivalit Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut dhe Ted Orlin është President Nderi. Ndërkohë që ne kemi nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbim profesorësh. Shumë me rëndësi ishte edhe krijimi i festivalit, po për të drejtat e njeriut, në Utica të New York-ut, “Unspoken”. Dhe në vazhdën e këtij bashkëpunimi, fakulteti, Senati dhe Bordi i të Besuarve, vendosën, dhe një ditë, marr një telefonatë surprizë nga presidenti i Utica College, i cili më njofton se do të më jepej një titull nderi për bashkëpunimin e gjithë këtyre viteve.

U nderuat përpara një salle me 5 mijë të pranishëm, përbënte kuriozitet fakti që ju vinit nga një vend i vogël ballkanik?

Mes 5 mijë vetash që gjendeshin në sallë, unë shqova flamurin shqiptar dhe pata një moment emocional. Ndërsa luhej himni amerikan, diku syri më zuri një flamur shqiptar. E ndoshta kjo ishte edhe më emocionuese se momenti kur m’u dha titulli. Sirakuza dhe Utica nuk janë shumë larg dhe një pjesë e pjesëmarrësve kanë parë filmat “Kolonel Bunker” apo “Syri magjik”, kur i kam shfaqur në Festivalin e Sirakuzës. Aq më tepër që në programet e tyre mësimore janë futur “Kolonel Bunker” dhe “Lotët e Kosovës”. Njëri dëshmon periudhën totalitare dhe post-totalitare të Shqipërisë dhe tjetri për ngjarjet e Kosovës, për të cilat ka një sensibilitet në gjithë botën amerikane, për shkak se Kosova u çlirua falë një mbështetjeje të jashtëzakonshme të SHBA-ve. Ndërkohë që në Utica janë vendosur shumë të ikur nga ish-Jugosllavia, pas shpërbërjes së saj, si nga Bosnjë-Hercegovina, kështu që filmi “Lotët e Kosovës” lidhej edhe me fatet e këtyre njerëzve. Por do të nënvizoja që në këtë universitet studiojnë 7 studentë nga Shqipëria dhe Kosova.

Cili është hapi i mëtejshëm i bashkëpunimit tuaj me Utica College?

Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin në fushën akademike dhe të të drejtave të njeriut dhe nga java tjetër, ne presim të na vizitojë presidenti i Utica-s, për të intensifikuar marrëdhëniet jo vetëm me Akademinë “Marubi”, por me botën akademike shqiptare në përgjithësi. Pra shohim një zgjerim të marrëdhënieve reciproke…

Meqë është angazhimi me çështjet e të drejtave të njeriut që ju çoi drejt këtij nderimi, si ka zënë fill ky interes juaji?

Në vitet ’90 unë nuk u angazhova në politikë, në kuptimin politik të saj, por një angazhim politik të të drejtave të njeriut. Jam nga themeluesit e Forumit të të Drejtave të Njeriut dhe nuk e kam shkëputur kurrë nga jeta ime këtë kombinim të filmit me aktivizmin, ku vazhdoj të jap kontributin tim modest. Tashmë u bë 25 vjet Komiteti i Helsinkit dhe kur rendit vitet, njeriu bën një bilanc të jetës së tij. Dhe kur pyes veten se ç’ishte kjo jetë që bëra në këtë vend, mund ta përmbledh: bëra disa filma, hapa një shkollë filmi dhe u mora me të drejtat e njeriut. Kjo është jeta e njeriut përmbledhur në një frazë të vetme.

Dhe nuk është pak. Shumë do të ishin kënaqur të kishin përmbushur vetëm një segment të këtij rrugëtimi…

Ndonjëherë them me veten time: sikur të isha marrë me politikë, të isha përfshirë në ndonjë parti politike, a do të isha ky njeri që jam? Nuk di nëse do të kisha bërë këto gjëra që kam bërë. Pa mohuar kontributin e politikanëve që përfaqësojnë interesin e partive, Shqipëria ka nevojë për atë lloj politike, që zbret në planin qytetar dhe kërkon energji nga ata individë që mund të japin shumë më shumë për vendin e tyre, pa qenë nevoja për t’u identifikuar me një forcë të caktuar politike.

Kredon tuaj ju e keni shprehur edhe përmes filmave, madje edhe gjatë diktaturës, pavarësisht se ishit i detyruar të respektonit disa korniza…

Në konceptet e mia arti nuk njeh sisteme, nuk njeh regjime. Kur flasim për art, flasim për vlera universale dhe shpeshherë interpretimet që i bëhen artit në funksion të politikës, dalin përtej asaj që arti përfaqëson në vetvete. Unë kam bërë filmin “Ballë për ballë” me Pirro Milkanin, frymë- zuar nga vepra e Kadaresë, por mendoj se aktualisht ai film ka një vlerë historike shumë më të madhe se çdo lloj konteksti kohor në të cilin mund ta vendosim. Sot ai ka një vlerë historike, e cila projektohet në ndërgjegjen tonë kombëtare, si vendi i parë që u largua nga Traktati i Varshavës.

Mos të harrojmë për kontekstet historike, se ç’rëndësi kanë hartat dhe interesat e vjetra, të cilat vazhdojnë të jenë të pranishme edhe në Ballkanin ku ne jetojmë. Janë të njohura interesat gjeostrategjike ruse për dalje në Adriatik, politikat neootomaniste, të cilat janë po ashtu në funksion, por për herë të parë ne u përkasim rrënjëve tona, për t’u identifikuar me Europën Perëndimore. Dhe në këtë kuptim, filmi nuk vendoset thjesht në një kontekst propagandistik, por shumë më të gjerë, sepse ne jemi një vend që jemi shkëputur nga kjo pjesë e gjeostrategjisë, e kësaj harte interesash politike, që në forma të ndryshme e ndeshim edhe sot.

Po kështu, edhe “Balada e Kurbinit” mund të riaktualizohet në një kontekst neootomanist. Ai flet për periudhën kur shqiptarët kristianë u detyruan nga Perandoria Osmane të identifikohen me botën islame. Pra këta filma, edhe pse janë realizuar gjatë periudhës së regjimit, pavarësisht se nga kush janë krijuar, i thërrasin ndërgjegjes sonë kombëtare, në një kontekst tjetër. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për “Kolonel Bunker”, të cilin kur ua shfaq studentëve të mi 20-vjeçarë, mendojnë se bunkerët janë një dekor i krijuar për filmin, por në fakt janë 500 mijë syresh, që sot nuk e kemi shumë të lehtë t’i gjejmë ku janë, pasi thuajse janë shuar në këtë peizazh të ri tonin.

Pra, vepra artistike ndonjëherë merr një kontekst shumë më të rëndësishëm për historinë e një vendi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura