Cana në mesfushë? Bulku e snobon

Oct 10, 2012 | 15:37
SHPËRNDAJE
Ervin Bulku

Ervin Bulku beson se për të goditur kundërshtarin, më parë duhet zbuluar pika e fortë dhe e dobët, ndërsa shtoi se konkurrencën në ekip e shikon si një gjë që është për të mirën e skuadrës. “Morali i skuadrës është i lartë, pasi kemi fituar një ndeshje me kundërshtarin tonë direkt, i cili është Qipro dhe tashmë gjendemi përballë dy ndeshjeve të radhës. E rëndësishme për ne është që të futemi në fushë për tri pikë, sepse edhe Islanda është një ekip si Qipro pak a shumë dhe ata janë kundërshtarët tanë direktë. Si çdo skuadër, edhe Irlanda ka pikat e dobëta dhe të forta të saj, prandaj i takon trajnerit për ta projektuar ndeshjen dhe ne lojtarët më pas duhet t’i zbatojmë me përpikëri detyrat që do të na caktojë ai. Rikthimi i Canës në mesfushë? Nuk është një pyetje së cilës unë mund t’i përgjigjem. Konkurrenca në çdo repart është shumë e mirë dhe jo vetëm në skuadrën tonë, por edhe në të tjera konkurrenca e madhe bën mirë. Çdo lojtar që është pjesë e ekipit kombëtar mundohet të japë maksimumin, por në fund është trajneri që i zgjedh lojtarët”, – u shpreh Bulku. Ndërkohë, mesfushori nuk ka lënë pa përmendur edhe faktin se kalimi në Iran te Sepahan i ka dhënë një tjetër shtysë karrierës së tij. “Jo vetëm në Iran, por në të gjithë botën nuk është se ka ndryshim të madh dhe do të thosha se luhet një futboll i shpejtë teknik, që ndiqet dhe që ka një nivel më të lartë se kampionati që luaja një vit më parë. Do mundohem të jap më të mirën për skuadrën time të re dhe nuk do ta veçoja nga kampionatet më të forta”, – përfundoi mesfushori. Ndërkohë kujtojmë se në stërvitjen e djeshme trajneri De Biazi ka lënë mesfushorin me ekipin e rezervave, duke aktivizuar në vendin e tij mesfushorin e Skënderbeut, Sabjen Lilaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura