Bregu: Orientimi seksual në Kushtetutë, pa lidhje me Reformën

May 30, 2016 | 13:32
SHPËRNDAJE

Kryetarja e Komisionit të Integrimit në Kuvend, Majlinda Bregu, i sheh të panevojshme amendamentet kushtetuese që nuk lidhen me Reformën në Drejtësi. Për deputeten demokrate, fokusi i ndryshimeve kushtetuese duhet të jetë vetëm te Reforma në Drejtësi.

Majlinda Bregu
Majlinda Bregu

Në një prononcim për “Panoramën”, Bregu thekson se ndryshimet e propozuara për Preambulën e Kushtetutës, ku përfshihen “vlerat europiane”, si dhe shtimi i nenit që kërkon zbatim të legjislacionit europian pas hyrjes në BE nga Shqipëria, nuk kanë lidhje me Reformën në Drejtësi.

“Ndryshimet në fjalë nuk kanë asnjë lidhje me Reformën në Drejtësi. Njësoj siç nuk kanë asnjë lidhje me këtë paketë ndryshimet e propozuara kur Shqipëria të jetë vend anëtar në BE. Thuajse të gjitha vendet e anëtarësuara, që nga koha kur nisi Procesi i StabilizimAsociimit, ndryshimet kushtetuese që lidhen me anëtarësimin i kanë votuar në përmbyllje të procesit të negociatave. Ndërkohë që vendi as që e ka nisur këtë proces. Për më tepër, kur vetë Bashkimi Europian është krejt i pasigurt në raport me të ardhmen e vet”, sqaron Bregu.

Deputetja demokrate është kundër edhe për ndryshimet kushtetuese, të cilat lidhet me mosdiskriminimin, ku është shtuar edhe “orientimi seksual”. Sipas kryetares së Komisionit të Integrimit në Kuvend, edhe ky ndryshim që propozohet në draftin e ekspertëve sërish është jashtë kontekstit për të cilin po ndërhyhet në Kushtetutë.

“Edhe ndryshimet në lidhje me mosdiskriminimin sa u takon orientimeve seksuale nuk kanë asnjë lidhje me paketën e ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi”, shprehet Bregu. Edhe në mbledhjet e Grupit Parlamentar të PD, ndryshimet e propozuara në Kushtetutë janë kontestuar nga një pjesë e anëtarëve të Grupit Parlamentar.

Në një kohë që Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi ka miratuar në parim draftin me amendamentet kushtetuese, opozita ka ofruar një tjetër draft, i cili sipas ekspertëve të PD-së jep zgjidhje për çështjet që kërkojnë diskutim politik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura