Blushi kundër ambasadorit të Ramës: Shkeli shtetin laik

Jan 30, 2014 | 13:26
SHPËRNDAJE

Ambasadorët dje në Komisionin e Jashtëm
Deputeti i PS konteston kandidatin, e mbështesin Dade e Dokle

Deputeti i PS: Ka qenë partizan i shamive nëpër shkolla

Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, si dhe anëtarë të tjerë të maxhorancës në Komisionin e Jashtëm, dolën dje kundër  propozimit të Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, për emërimin e ambasadorit Ermir Gjinishi në Arabinë Saudite.
 Socialisti Blushi tha se propozimi i Ministrisë së Jashtme vjen jo nga shërbimi diplomatik dhe se Gjinishi, i cili ka mbajtur postin e nënkryetarit të Komunitetit Mysliman, ka shkelur parimet kushtetuese të shtetit laik. Sipas socialistit, Ermir Gjinishi ka qenë një partizan i futjes së ferexheve në shkolla, në një kohë që Shqipëria në Kushtetutë sanksionohet si shtet laik. “Ne nuk kemi mundësi ta vlerësojmë zotin Gjinishi në performancën e vet në shërbimin diplomatik, sepse ai nuk e ka bërë ndonjëherë këtë punë. Çështja është që në disa raste unë e kam ndjekur aktivitetin e tij publik. Ai ka mbajtur disa qëndrime që, për hir të së vërtetës, kanë rënë ndesh me parimin e laicitetit të shtetit shqiptar. Shqipëria është shtet laik dhe kjo është e sanksionuar në Kushtetutë. Dhe pyetja ime është, sigurisht që mund të kemi mendime të ndryshme për laicitetin e Shqipërisë; Unë mendoj që Shqipëria duhet të vazhdojë të jetë shtet laik, zoti Gjinishi ka pretenduar të kundërtën. Pyetja ime është që: a mendon Ministria e Jashtme që njerëz që vijnë me këto pikëpamje në shërbimin diplomatik, si nëpunës të shtetit, e cenojnë misionin që ka marrë përsipër, apo jo?!”, u shpreh Blushi. Ndërkohë që gjatë replikës kandidati për ambasador në Arabinë Saudite ka thënë se: “Të gjithë debatet e mia për një periudhë deri para 2009-s kanë qenë të orientuara në hapësirat që krijon shteti laik, në ushtrimin dhe në të drejtat e njeriut. Në qoftë se mund dhe të ma kujtoni… S’kam refuzuar kurrë shtetin laik”. Ndërkohë që Blushi iu drejtua duke thënë: “Keni qenë partizan i futjes së shamive nëpër shkolla, apo jo? Bie ndesh me parimet e shtetit laik”. Ndërkohë që kritika janë adresuar dhe nga kryetarja e Komisionit, Arta Dade, e cila tha se kandidati për ambasador në vendet ku është emëruar, duhet të përfaqësojë politikat e Shqipërisë dhe jo bindje të caktuara fetare. Ndërsa, deputeti tjetër i PS-së, Namik Dokle, pasi vlerësoi dy emërimet, Ilir Boçkën në Serbi dhe Pëllumb Qazimin në Slloveni, tha për kandidatin Ermir Gjinishi se nuk ka asnjë njohuri për aktivitetin e tij. Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Qirjako Qirko, theksoi se Ermir Gjinishi është përzgjedhur për shkak të arsimit dhe njohjes së kulturës së vendeve arabe. “Dhe, në qoftë se në të kaluarën mund të ketë pasur ndonjë shprehje, dhe unë nuk e kam parasysh atë shqetësim që ngritët ju, por patjetër pozicioni i ri të detyron të veshësh një kostum të detyruar për ta mbajtur”, tha Qirko.

Emrat
Kaluan dje
1. Ilir Boçka- emërohet ambasador në Serbi, rezident

2. Pëllumb Qazimi- emërohet ambasador në Slloveni, rezident

3. Ermir Gjinishi- emërohet ambasador në Arabinë Saudite, rezident, si dhe ambasador jo rezident në Mbretërinë e Bahrejnit dhe në Sulltanatin e Omanit dhe Republikën e Jemenit.

Janë propozuar nga Ministria e Jashtme
Petrit Bushati- propozohet ambasador në Maqedoninë

Qemal Minxhozi- propozohet ambasador në Kosovën

Ardian Ndreca – propozohet ambasador në Vatikan

Debati në Komision
Arta Dade: Zoti Gjinishi është një kandidaturë jashtë sferës së diplomacisë. Dua t’ju them që duhet të bëni përpjekje maksimale, sepse sigurisht nuk do të jeni më përfaqësues i Komunitetit Mysliman, duke qenë që detyra juaj kryesore ka qenë e lidhur ngushtësisht me këtë detyrë që keni kryer deri tani. Sepse, marrëdhëniet mes shteteve, përtej faktit që mund të jenë të një besimi të caktuar, pa dyshim janë marrëdhënie ndërshtetërore dhe të shkëputura nga lidhjet apo marrëdhëniet në një fe të caktuar.
Ben Blushi: Dua të përgëzoj Ministrinë e Jashtme për zgjedhjen e dy kandidatëve, të cilët kam pasur rastin t’i njoh personalisht, zotin Qazimi dhe Boçka. Ne nuk kemi mundësi ta vlerësojmë zotin Gjinishi në performancën e vet në shërbimin diplomatik, sepse ai nuk e ka bërë ndonjëherë këtë punë. Çështja është që në disa raste unë e kam ndjekur aktivitetin e tij publik. Ai ka mbajtur disa qëndrime që, për hir të së vërtetës, kanë rënë ndesh me parimin e laicitetit të shtetit shqiptar. Shqipëria është shtet laik dhe kjo është e sanksionuar në Kushtetutë. Dhe pyetja ime është, sigurisht që mund të kemi mendime të ndryshme për laicitetin e Shqipërisë; Unë mendoj që Shqipëria duhet të vazhdojë të jetë shtet laik, zoti Gjinishi ka pretenduar të kundërtën. Pyetja ime është që: a mendon Ministria e Jashtme që njerëz që vijnë me këto pikëpamje në shërbimin diplomatik, si nëpunës të shtetit e cenojnë misionin që ka marrë përsipër apo jo?! Pavarësisht se në çfarë shteti ata do ta ushtrojnë funksionin e tyre. Pra, pyetja do të ishte, a mund të ishte zoti Gjinishi ambasador në Zvicër, Londër, në Kinë? Dhe refuzoj të them se çfarë mendoj vetë, e kam vetëm si pyetje dhe shpresoj që zoti Gjinishi i ka korrektuar pikëpamjet e veta për shtetin shqiptar.
Qirjako Qirko: Unë besoj që gjithkush që merr këto përgjegjësi, di mirë politikën e shtetit shqiptar, di mirë pozicionin e ambasadorit në këto vende. Dhe, në qoftë se në të kaluarën mund të ketë pasur ndonjë shprehje, dhe unë nuk e kam parasysh atë shqetësim që ngritët ju, por patjetër pozicioni i ri të detyron të veshësh një kostum të detyruar për ta mbajtur.
Ermir Gjinishi: Përveç angazhimeve të mia, gjithmonë kam qenë i predispozuar të ushtroj të gjitha liritë dhe të drejtat e individit të garantuara në Kushtetutën e vendit tim dhe në konventat ndërkombëtare. Nuk e di se cilit rast i referoheni, unë nuk mbaj mend ndonjëherë të kem refuzuar shtetin laik. Të gjitha debatet e mia kanë qenë për një periudhë deri para 2009-s, kanë qenë të orientuara në hapësirat që krijon shteti laik, në ushtrimin dhe në të drejtat e njeriut. Në qoftë se mund dhe të ma kujtoni… S’kam refuzuar kurrë shtetin laik.
Ben Blushi: Keni qenë partizan i futjes së shamive nëpër shkolla, apo jo? Bie ndesh me parimet e shtetit laik.
Ermir Gjinishi: Është ndryshe të thuash ke refuzuar shtetin laik dhe është ndryshe të tentosh të krijosh hapësira…
Ben Blushi: Shteti laik ndërtohet mbi bazën e disa principeve, apo jo?!… Të mos bëjmë debat se…
Arta Dade: Ishte një shqetësim që dhe unë e shpreha që në fillim. Unë besoj që me detyrën e re ju do ta shkëpusni veten nga detyrat që keni pasur më parë, sepse pa dyshim që diplomacia duhet të qëndrojë mbi të gjitha çështjet që i ndajnë njerëzit në bindje fetare apo dhe në kategori të tjera. Ju do të jeni përfaqësuesi i shtetit shqiptar dhe sigurisht në marrëdhënie dypalëshe, nuk ka të bëjë nëse ju, në periudha të veçanta të jetës, keni pasur një aksent më të fuqishëm në shërbimin që keni kryer për një komunitet të caktuar.
Namik Dokle: Duke shprehur të njëjtin mendim për paraqitjen e zotit Boçka, unë e kam njohur në punë e sipër në disa momente.  Dhe, po ashtu dhe zotin Qazimi, që disa detyra na kanë bashkuar dhe i njoh si njerëz korrektë e të denjë për të kryer detyra shtetërore dhe njerëz të ndershëm mbi të gjitha. Për këta të dy unë kam vlerësimet maksimale, ndërsa për kandidaturën e tretë nuk kam asnjë njohje, përveç asaj që lexova në CV, kështu që nuk mund të flas më gjatë.

Deputeti i LSI: Të mos shkarkohet Çejku, ose do kërkoj largimin e Bushatit

Përparim Spahiu
Deputeti i LSI-së në Komisionin e Jashtëm, Përparim Spahiu, doli dje kundër propozimit të qeverisë dhe propozimit të saj për të emëruar si ambasador në Maqedoni Petrit Bushatin. Përparim Spahiu u shpreh se qeveria “Rama” nuk duhet të shkarkojë ambasadorin aktual në Maqedoni, Arben Çejku. Spahiu theksoi se ai ka bërë një punë shumë të mirë, ndaj, për këtë arsye, nuk duhet të shkarkohet nga detyra. “Unë propozoj që ambasadori i Maqedonisë të mos shkarkohet nga detyra. Sepse ka bërë një punë mjaft të mirë”. Gjatë diskutimit, kryetari i PR-së Fatmir Mediu tha se deputeti i LSI-së mund të kërkojë dhe shkarkimin e ministrit Bushati. “Unë kam hall se do kërkosh dorëheqjen e ministrit të Jashtëm nesër”, theksoi Mediu. Ndërsa deputeti Spahiu tha se do ta kërkonte dhe dorëheqjen nëse nuk do pranohej kërkesa e LSI. “Në qoftë se bën, do e kërkoj”, theksoi Spahiu. Ndërsa për kryetaren e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade: “Po pse mos ta shkarkojmë? Ato s’janë punët tona. Por i ka kaluar mandati, unë them që ka mbi 4 apo 5 vjet. Do ta ngarkojmë me një punë tjetër, meqë ju mendoni se ka bërë një punë të mirë”. Në Komisionin e Jashtëm, veç Petrit Bushatit si ambasador në Maqedoni, është propozuar dhe Qemal Minxhozi si ambasador në Kosovë dhe Ardian Ndreca, ambasador në Vatikan. Për këto propozime, ish-ministri Aldo Bumçi tha se ministri Bushati ka nxjerrë në listë pritjeje 52 diplomatë karriere me 20 vjet eksperiencë, ndërkohë që propozon kandidatura jashtë shërbimit diplomatik.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura