Rama i heq tenderat ministrave: Nuk do kenë asnjë lidhje! Jo prokurime për dërrasa të zeza apo tavolina zyre!

May 7, 2024 | 11:59
SHPËRNDAJE

Nga data 25 prill asnjë ministër apo institucion varësie nuk mund të merret më me tendera. Kjo u bë e ditur nga kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes me deputetët dhe ministrat.

Në fjalën e tij të gjatë, kreu i qeverisë tha se ministrat do merret me politikat sektoriale. AI u shpreh se kjo është një politike e ndërtuar sipas  modeleve më të mira evropiane.

Po ashtu kryeministri Edi Rama u shpreh se nuk do ketë më tendera për blerje të vogla, por theksoi se “operatori i blerjeve të përqendruara po ndërton një katalog dixhital të blerjeve të vogla që të mos bëjnë tendera për cdo dërrasë të zezë, për cdo karrige apo tavolina zyre, por të blejnë  direkt nga katalogu, i quajtur “agzonë” një lloj amazon i mallrave për të gjitha  shërbimet mbështetëse të institucioneve, duke kursyer kohë, para dhe duke i mbyllur derën korrupsionit”.

“Ndërkohë që e përsëris, lufta është larg së qeni e fituar. Prandaj duke u kthyer te prokurimet publike, ne nuk na mjafton kaq dhe shifrat që dhashë nuk duan të thonë që në prokurimet publike s’ka korrupsion. Absolutisht jo! Ne kemi hedhur një hap tjetër përpara. E ka hedhur kjo shumicë me propozim të qeverisë, me votë të këtij Grupi Parlamentar, për të krijuar Shoqërinë Publike të Operatorit të Blerjeve të Përqendruar e cila ka filluar punën zyrtarisht në 25 prill dhe do t’i kryejë ajo të gjitha prokurimet e ministrive dhe të institucioneve tyre të varësisë pra e thënë troç, asnjë ministër dhe asnjë strukturë e varësisë së tij, nuk do të ketë më asnjë lidhje me tendera, por do të merret vetëm me politikat sektoriale. Kjo shoqëri e ndërtuar sipas modeleve më të mira europiane, do të asistohet nga shoqëri partnere europiane, do të ofrojë shërbimet e veta dhe për të gjitha njësitë e pushtetit vendor, apo për institucionet e tjera jashtë varësisë së pushtetit ekzekutiv, të cilat ne nuk i detyrojmë dot me ligj, që të heqin dorë nga organizimi i tenderave.

Po ashtu, operatori i blerjeve të përqendruara, po ndërton një katalog digjital blerjesh të vogla për të gjitha institucionet publike që të mos bëjnë tendera për çdo tabelë të zezë, për çdo karrige zyre, për çdo tavolinë, po të blejnë direkt nga katalogu i quajtur “Albzone’, një lloj “Amazon-i” i mallrave për të gjitha shërbimet mbështetëse për të gjitha institucionet e shtetit, duke kursyer kohë, duke kursyer para, por mbi të gjitha duke i mbyllur derën korrupsionit.

Nga ana tjetër, po punohet nga AKSHI në bashkëpunim me Microsoft dhe me ndihmën e vyer të ekipit të Mira Muratit, për modelin revolucionar të prokurimeve me inteligjencë artificiale, i cili do ta mbyllë përfundimisht dhe epokën e vështirë, problematike të ngritjes çdo vit të mesatarisht 5 mijë komisione tenderash, me 3 deri në 4-5 veta. Pra le të themi, mesatarisht 20 mijë njerëz në gjithë administratën shtetërore, futen nëpër komisione, vlerësojnë oferta që jepen nga të 4 anët, për të realizuar shërbimet kapitale, shpenzimet operative dhe parafytyroni vetë, se nga çfarë barre burokratike dhe sa shumë andralla të lidhura jo vetëm me korrupsionin, por dhe me pamundësinë e njohjes së plotë juridike të procesit të Prokurorimit nga 20 mijë veta që janë vlerësues ofertash, po as me ligj nuk është e detyruar të jenë të gjithë juristë, gjë që krijon probleme nga më të ndryshmet, përfshirë dhe përhapjen e frikës së fundmi, për të firmosur edhe për gjëra bazike, si rezultat i rritjes së presionit të drejtësisë.

Ky model prokurimi me inteligjencë artificiale, do të jetë një shkelm dërmues për korrupsionin. Do ta bëjë Shqipërinë një shembull ekzemplar, të shkëlqyer, mes shembujve të vendeve në zhvillim, ku teknologjia digjitale mundëson çudira gjithnjë e më të paimagjinueshme deri vetëm pak vite më parë, dhe ku pikërisht vende si Shqipëria, mund të lëvizin shumë më shpejt përpara sepse nuk kanë institucione dhe mekanizma burokratikë të konsoliduar me shekuj si vendet më të zhvilluara të Europës”, tha nder te tjera Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura