Blloshmi rrëfen 25 vite krijimtari, ironizon politikanët

Jan 22, 2016 | 14:54
SHPËRNDAJE

Ajo është Shiva, Perëndia e shkatërrimit dhe e transformimit. Askush nuk ia njeh fillimin dhe mbarimin. Për të, politikanët janë djaj me brirë, pasardhës të diktatorit, nacionalistë të rremë…

Lumturi Blloshmi, plot ironi, ndjek arenën politike shqiptare e si një Shivë transformon disa nga aktorët e saj. Këtë aftësi transformuese ajo e rrëfen në ekspozitën e saj retrospektivë, që u hap mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Kjo ekspozitë është një dëshmi e krijimtarisë më të mirë të saj në 25 vitet e fundit, e cila vjen në variantin e saj origjinal, ose përmes fotografive.

lume-shiva

Në këtë çerek shekulli, Lumturi Blloshmi ka spikatur kryesisht me instilacionet dhe performancat e saj, të cilat sot rivijnë për publikun, të shndërruara në një formë tjetër të artit pamor, në fotografi, të cilat i ka realizuar po ajo. Në këtë retrospektivë, të kuruar nga studiuesi Ylli Drishti, vijnë në një kolazh gjurmë të veprave si “Obsession – The Pyramid”; “The utopian Road”; “Ambiguity”; “The invasion of the space”; “Paradox”; “Duality”; “It’s a Wonderful Life”; “It’s a men’s world”, “Zarabanda” etj. Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani, e konsideron Blloshmin një artiste të vëmendshme, guximtare, që nuk i kalon në mënyrë tangenciale tablosë së jetës.

Ai e krahasoi atë me artisten Frida Kahlo për nga forca shprehëse e veprave të saj. Kuratori Ylli Drishti e quajti një artiste guximtare, që trajton në mënyrë të drejtpërdrejtë tema sociale. Ai do të ndalej veçanërisht në veprën “Është një botë burrash”. Bashkëpunë- tor dhe kurator i disa prej performancave të saj, Krenar Zejno do të ndalej gjatë në rrugëtimin krijues të Lumturi Blloshmit. Sipas tij, ajo ka lëvruar me sukses të gjitha zhanret, që nga vizatimi, grafika, vaji, instilacioni e performanca. Sipas tij, ky kalim nga njëri zhanër në tjetrin, nuk ka krijuar çarje në krijimtarinë e saj, por e ka bërë atë më të plotë dhe një nga eksponentët më të rëndësishëm të artit pamor shqiptar.

EKSPOZITA Lumturi Blloshmi është një nga ato artiste punëtore, që gjithçka mund ta kthejë në art. Nga lëkura të thara portokalli, që na kujtojnë të shkuarën, ajo mund të krijojë tablo mbresëlënëse, që herë i ngjajnë një arti primitiv, si ai i epokës së shpellave, e herë merr formën e tablove të artistëve të mëdhenj botërorë. Mund të flasë shumë për konsumerizmin dhe botën komerciale në të cilën jetojmë, grafomaninë dhe të vërtetat e informacionit. Por edhe për duhanpirjen…

Po pse jo edhe për Kama Sutrën, të cilën “e interpreton” përmes këmbësh bretkosash të skuqura, të cilat më pas ua servir në pjatë të ftuarve të saj. Ndërsa vendin kryesor në këtë ekspozitë e zë fotografia, nuk mungojnë edhe disa punë në vaj, si dhe kolazhe. Madje ekspozita hapet pikërisht me një të tillë, ku paraqitet vetë artistja e shtrirë, si një Krisht në varr. Të kujton paksa Epitafin e Gllavenicës. Por shenjtërisë së kryqit që mban mbi kokë, krijuar nga gërsheti i saj dhe peneli i piktorit, i ikën me një dekoratë, të vendosur mbi organin gjenital, si shenjë e premtimeve të pambajtura.

POLITIKA Ajo nuk merret me politikë, por është një vëzhguese e hollë e saj. Politikanët hyjnë e dalin në veprën e Lumturi Blloshmit. Si pjesë e ekspozitës personale, të hapur në GKA, ajo ka bërë edhe disa kolazhe, të realizuara dhe të publikuara më parë, që kanë si protagonistë disa prej politikanëve shqiptarë. Janë ndër ta Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Erion Braçe, Paskal Milo, Skënder Gjinushi etj. Të realizuara vite më parë, ajo i vendos ata në një kontekst të caktuar, dhe sot ata marrin një karakter historik.

Kështu, Edi Rama portretizohet si kryetari i Bashkisë së Tiranës, që si një Perëndi shumëgjymtyrëshe mban në duar çelësin e kryeqytetit apo mes pallateve të lyera në mënyrë të çuditshme, me në qendër “Pallatin me shigjeta”. Braçe me një jakë alla shekspiriane, në karrigen e kryeredaktorit të gazetës “Zëri i Popullit”, koka e Neritan Cekës, si një kokë antikiteti, për hir të kohëve të arkeologjisë, koka e Paskal Milos, në prehrin e diktatorit Enver Hoxha, Ilir Meta, me në krah Monika Kryemadhin, si Shote Galica etj…

Por kësaj galerie i është shtuar një tjetër kolazh: politikanë të majtë e të djathtë, personazhe nga më të spikaturat të këtyre dy viteve të fundit, të projektuara në fytyrat e Sali Berishës dhe Edi Ramës. Ata qëndrojnë përballë njëri-tjetrit, ndërsa së bashku me disa eksponentë të LSI-së, formojnë kornizën e një fotografie të Ilir Metës me bashkëshorten, Monika Kryemadhi.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura