Bllokohet KLP, nuk kandidon asnjë prokuror nga Apelet

Oct 14, 2018 | 18:41
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Prokuroria e Përgjithshme është detyruar të bëjë edhe një herë shpallje për vakancat në kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Afati 15-ditor i thirrjes së parë për kandidatë nga prokuroritë e Apelit dështoi, ndërsa asnjë i tillë nuk shfaqi interes. Kjo rrezikon seriozisht ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili është institucion jetik për Reformën në Drejtësi dhe që ka një rol kyç në zgjedhjen e kreut të Prokurorisë.kpk-f

Në një kohë që vetingun e ka kaluar vetëm një prokuror nga Apeli, në KLP duhen dy të tillë. Kështu, për Këshillin e Lartë të Prokurorisë ka pasur 19 kandidatë nga prokuroritë shqiptare, ku nga këta kanë kaluar tetë vetingun, shtatë janë shkarkuar dhe tre janë ende në proces, ndërsa Arta Marku u tërhoq.

Ligji parashikon që Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të ketë 11 anëtarë, nga të cilët gjashtë janë nga radhët e Prokurorisë dhe pesë nga radhët e avokatëve, shoqërisë civile, akademikëve etj..

Nga këta, gjashtë anëtarë prokurorë, tre duhet të jenë nga prokuroritë e shkallëve të para, nga të cilët njëri duhet të jetë prokuror nga rrethet. Po kështu, dy duhet të jenë nga Apeli, njëri prej të cilëve nga Apeli i rretheve dhe një nga Prokuroria e Përgjithshme. Deri më tani, vetingun e kanë kaluar pesë prokurorë nga Shkalla e Parë, dy prej të cilëve janë nga Prokuroria e Tiranës dhe tre nga Prokuroritë në rrethe. Sa i përket Apelit, në garë kanë qenë katër prokurorë për dy vende: Arben Dollapaj nga Prokuroria e Apelit Shkodër, Besa Nikëhasani nga Prokuroria e Apelit Shkodër, Luan Kaloçi nga Prokuroria e Apelit Tiranë dhe Bujar Hoti nga Prokuroria e Apelit Durrës. Nga këta, vetingun e ka kaluar vetëm Arben Dollapaj, ndërsa Nikëhasani dhe Kaloçi janë shkarkuar edhe me vendim të formës së prerë.

Kjo solli qëProkuroria e Përgjithshme të shpallte vakancën 15 ditë më parë, duke kërkuar kandidatë nga prokurorët e Apelit në rrethe. Mirëpo, asnjë syresh nuk paraqiti interes. Prokuroria e Përgjithshme ka bërë shpallen e dytë më 12 tetor 2018, e cila skadon më 27 tetor 2018.

KRIETERET

Prokuroria e Përgjithshme ka publikuar edhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët e interesuar për nga Apelet për KLP.

Të interesuarit, krahas kërkesës me shkrim, të bashkëngjisin dhe dokumentet e mëposhtme:

a) jetëshkrimin e përditësuar;

b) deklaratat individuale të prokurorëve që i kanë mbështetur, të nënshkruara rregullisht; c) formularin e vetëdeklarimit, sipas kërkesave të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”;

ç) një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin në qoftë se zgjidhen;

d) një deklaratë individuale të nënshkruar, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, që nuk kanë qenë anëtarë ose bashkëpunëtorë të shërbimeve të inteligjencës përpara 2 korrikut 1991;

dh) një deklaratë individuale të nënshkruar, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, se nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve sekrete;

e) informacion mbi të afërmit e shkallës së dytë, nip/ mbesë, gjysh/gjyshe, gjysmë vëlla/motër dhe të afërmit e shkallës së parë të bashkëshortit/bashkëjetuesit, prindër, fëmijë dhe vëllezër/motra që ushtrojnë në mënyrë aktive profesionin e avokatit ose janë pronarë ose drejtues ekzekutivë në subjektet ekonomike, të cilat klasifikohen si tatimpagues të mëdhenj nga autoriteti tatimor.

ë) lista e personave të lidhur, sipas kuptimit të ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”;

g) Formularin e Autoritetit për Informim mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Këto duhen plotësuar brenda 15 ditëve nga shpallja e thirrjes për paraqitjen e shprehjeve të interesit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura