Bizneset turistike vuajnë për punonjës, të rinjtë: Ja pse zgjedhim të emigrojmë

May 27, 2019 | 15:18
SHPËRNDAJE

LEZHE/ ELVIS HILA/ “Punë ka, por nuk ka profesionistë”. Deklarata e disa muajve më parë e Kryeministrit Edi Rama qëndron plotësisht, thonë biznesmenët.

Por, nga ana tjetër, të rinjtë e shkolluar me arsim profesional thonë se bizneset në vend ofrojnë vende pune shfrytëzuese me paga qesharake. Paga e ulët dhe kushtet e punës bëjnë që shumë biznese në Shëngjin të mos plotësojnë dot stafin në prag të nisjes së sezonit turistik. Një biznes i sapohapur nuk ka mundur ende të siguroje stafin.shengjin

Artan Ferrza, administrator biznesi, thotë se prej një muaji ka vendosur edhe njoftim, por nuk ka siguruar dot punonjësit që i nevojiten. “E kam hapur biznesin këtu në zonën turistike të Shëngjinit.

Ka 1 muaj që kamë bërë njoftimin për kamerierë dhe picajolë me një pagë që mendoj se është shumë e mirë dhe askush nuk po interesohet për punë. Shpresoj që të gjej zgjidhje e të ofrohen punonjës ose, në të kundërt, jam i detyruar ta bëj vetë punën”, thotë Ferrza.

Drejtori i shkollës profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë, Bardh Dedgjonaj, thotë se ka kërkesa nga bizneset për staf të kualifikuar, por nxënësit e kësaj shkolle e refuzojnë punën gjatë sezonit turistik.

“Duke qenë se jemi shkollë profesionale, ku kemi edhe degën e Hoteli-Turizmit, kërkesat për staf nga bizneset janë të shumta, por ne e kemi shumë të vështirë për t’ua siguruar. Në shumicën e rasteve, nxënësit tanë nuk pranojnë punën, pasi thonë se pagat janë shumë të ulëta.

Në këto kushte, bizneset duhet t’i rishikojnë pagat dhe kushtet e punës, pasi dhe konkurrenca është rritur dhe gjetja e punonjësve të kualifikuar është bërë shumë e vështirë. Shumë nxënës të shkollës sonë shkojnë dhe punojnë jashtë vendit gjatë sezonit të verës, pasi sigurojnë shume herë më shumë të ardhura se në Shqipëri”, shprehet Dedgjonaj. Një nxënëse e shkollës profesionale “Kolin Gjoka” thotë se ka punuar vitin që shkoi gjatë sezonit të verës, por nuk ka qenë aspak e kënaqur me pagën.

“Kam punuar në kuzhinë te një kompleks në Shëngjin vitin që shkoi, por nuk kam qenë aspak e kënaqur me punën. Paga ishte shumë e ulët, duke iu referuar punës që unë bëja. Kam pasur kërkesa edhe këtë vit që të punoj sërish në Shëngjin, por nuk kam pranuar. Kam vendosur që të shkoj në Greqi këtë sezon veror, pasi atje kam gjetur punë me pagë shumë herë më të lartë se këtu”, thotë Xhesika Përgjoni.

Niveli jo i mirë i shërbimit në restorantet dhe komplekset turistike në vend gjatë sezonit turistik vihet re çdo vit nga pushuesit.

Duket se kjo vjen për shkak se biznese,t me pagën që ofrojnë, punësojnë persona joprofesionistë, duke bërë që në fund pushuesit të mbeten të pakënaqur dhe për rrjedhojë, bizneset të mos kenë rritje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura