Bisedime deri në mesnatë, zbardhen prapaskenat e largimit të Memës. Trajneri e takoi 3 herë Halilin dhe mori…

Oct 25, 2019 | 8:45
SHPËRNDAJE

Ardian Mema largohet nga drejtimi i Tiranës. Stoli i bardhebluve qëndroi në ajër 24 orë dhe 60 minuta para mesnate, palët arritën marrëveshjen dhe Ardian Mema nuk do të jetë më trajneri i bardhebluve. Pas një viti në krye të ekipit, Mema do të largohet nga drejtimi i skuadrës. Situata e djeshme te Tirana ka qenë kaotike, me drejtuesit që mbyllnin gojën, ndërsa Mema nuk u bashkua me ekipin dhe lojtarët që ishin të paqartë për të ardhmen. 

halili mema

STËRVITJA – Paradite dhe pasdite, situata në “Skënder Halili” ishte kaotike me 24 herë kampionët të turbulluar. Pas humbjes ndaj Bylisit e me rezultatin 3-1, trajneri Ardian Mema nuk doli dje në stërvitje, për të përgatitur skuadrën për sfidën e radhës ndaj Luftëtarit në transfertë. Në stërvitjen e djeshme kanë qenë të pranishëm vetëm zëvendëstrajneri Erjon Xhafa, trajneri i portierëve Emanuel Egbo si dhe përgatitësi atletik Kosta Jani.

Në fakt, lojtarët ishin në stërvitje, por në orën 16:30 përgatitjet nuk nisën dhe u shtynë disa minuta. Drejtori sportiv dhe menaxheri i skuadrës mblodhën ekipin në dhomat e zhveshjeve dhe njoftuan se stërvitjen do ta drejtonin ndihmësit, ndërkohë që Ardian Mema nuk është më trajner i Tiranës, por zyrtarizimi do të bëhet në orët në vazhdim. Pas pesë minutave mbledhje, ekipi ka dalë në fushën e lojës dhe ka punuar. Një pjesë e lojtarëve, më saktë ata që kishin luajtur, morën shumë pak ngarkesë, ndërsa pjesa tjetër punoi nën drejtimin e Xhafës.

tirana

TRAJNERI I VJETËR – Menjëherë me të vërtetuar se Ardian Mema nuk kishte dalë në stërvitje, filluan supozimet, ku shumica e fjalëve e jepnin Memën të larguar nga Tirana, pa specifikuar largim nga vetë trajneri apo shkarkim prej Refik Halilit. Fakt është që deri në mbrëmje nuk kishte asnjë zyrtarizim për largimin e Memës nga Tirana. Palët kanë diskutuar deri në mbrëmje vonë për marrëveshjen, pasi në mes ishin paratë dhe mes palëve ishte ky modalitet për t’u saktësuar mes Memës dhe Halilit.

Për “Panorama Sport”, si Halili dhe Mema janë rezervuar që të flasin deri në orët e vona të mbrëmjes, pasi marrëveshja nuk ishte mbyllur. Gjithçka kish mbetur peng te shuma që duhej paguar nga ana e presidentit të Tiranës. Saktësisht, palët ishin të pakënaqura me njëra-tjetrën dhe nuk kishte asnjë lloj zyrtarizimi deri në orën 23:00. Fakt është që Memën nuk e jepnin më trajner të Tiranës, por ishte ngërçi i marrëveshjes që kish bllokuar zyrarizmin e largimit të trajnerit.

ardian memaa

PRAPASKENAT – Ardian Mema dhe presidenti Refik Halili janë takuar dje të paktën tri herë. Është diskutuar shumë gjatë për mënyrën se si do të mbyllej bashkëpunimi. Pas diskutimeve të gjata, Halili ka vendosur që të mbyllë marrëveshjen, duke i paguar një pjesë të rrogave ish-trajnerit të bardhebluve. Në fund, një marrëveshje xhentëlmenësh. Nga ora 23:00 e ditës së djeshme, Ardian Mema nuk është më trajner i Tiranës. Tani duhet të zbulohet trajneri i ri i ekipit bardheblu…

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura