Biçoku: Shkelje penale në Durrës, ta ndjekë Prokuroria

May 26, 2014 | 13:27
SHPËRNDAJE

Arben Biçoku
Botimi i dokumenteve ngjall reagimin e Forumit

“Organet e akuzës të kishin ndërhyrë prej kohësh, krimi, para syve të qytetarëve”

Për të, ky është një “atentat” ndaj kulturës shqiptare. Arkitekti Arben Biçoku, gjithashtu anëtar i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, është ndër të parët që ka denoncuar shkatërrimin e lagjes romake në Durrës.
Qysh katër vjet më parë ai ka ngritur shqetësimin e tij si qytetar, por edhe si profesionist. Pas publikimit të disa dokumenteve dhe fotografive në gazetën “Panorama” që denoncojnë masakrën që ka ndodhur në Durrës, kjo ngjarje kthehet sërish në vëmendjen e opinionit publik. Veçse tani nuk ka më një lagje romake, por pallate të lartë. Në lidhje me këtë rast, arkitekti Arben Biçoku, thotë se kemi të bëjmë me një rast flagrant të shkeljes së Kodit Penal, çka duhet ndjekur nga Prokuroria. Madje, sipas tij, kjo e fundit duhej të kishte vepruar me kohë. “Këtu kemi të bëjmë me shkelje së pari të Kodit Penal, pasi është kryer një atentat mbi kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. Së dyti është shkelur ligji për trashëgiminë. Së treti është shkelur ligji për planifikimin e territorit. Organet e akuzës duhet të kishin ndërhyrë prej kohësh, pasi ky krim është bërë vazhdimisht prezent nga mediat, qysh prej vitit 2010. Është një krim që është ekzekutuar para syve të qytetarëve të Durrësit. Nuk ka nevojë për një denoncim që Prokuroria të merrej me këtë çështje”, thotë Biçoku, teksa vë theksin në rëndësinë që ky zbulim arkeologjik kishte për kulturën dhe historinë shqiptare.

Përgjegjësit
Dokumentet e publikuara pak ditë më parë e tregonin qartë se cilët ishin përgjegjësit për këtë masakër të ndodhur në qendër të Durrësit, duke filluar që nga ish-ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, tek arkeologët që kanë kryer operacionin e shpëtimit në këtë sit arkeologjik, në zonën B arkeologjike të Durrësit. “Institucioni përgjegjës është Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e vitit 2010, kur ndodhi edhe ky zbulim shumë i rëndësishëm arkeologjik. Dhe absurditeti qëndron se po në të njëjtin vit u lejua shkatërrimi i tij dhe betonizimi me pallate. Mund t’ju kujtoj faktin se në kopertinën e raportit vjetor të Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik ndodhej si arritja e atij viti (2010), pikërisht zbulimi i kësaj lagjeje. Por nuk është pa faj edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit”, thotë arkitekti, i cili shpreh keqardhjen për faktin se me gjithë rotacionin e pushteteve, vihet re e njëjta indiferencë dhe kulturë e pandëshkueshmërisë.

Firmat
Në vitin 2010, me firmën e ish-ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, të Institutit të Monumenteve të Kulturës Apollon Baçe dhe drejtorit të Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik Roland Olli, në qendër të qytetit të Durrësit, e cila njihet si ish-lulishte “1 Maji”, u pezullua një operacion shpëtimi dhe iu hap rruga një lejeje ndërtimi. Këtu nuk do të kishte asgjë të çuditshme, nëse pikërisht në zonën ku u dha kjo leje ndërtimi të mos shtrihej një lagje e tërë romake me një sipërfaqe prej 5 mijë metrash katrorë, me një rëndësi të jashtëzakonshme për arkeologjinë. Rrënojat e zbuluara nga arkeologët i përkisnin periudhave të ndryshme që në shek. II para Krishtit në shek VI-VII pas Krishtit. Absurditeti qëndron në faktin që firmat për shkatërrimin e kësaj lagjeje u hodhën në të njëjtin vit kur u prezantua si një nga zbulimet më të rëndësishme të 30 viteve të fundit. Ky vendim u firmos edhe nga drejtuesi i Shoqërisë Arkeologjike, që kishte marrë përsipër kryerjen e gërmimeve të shpëtimit në këtë zonë, “A.K.eR”, Gjergj Frashëri, kur vetë ky i fundit në një relacion të tijin dëshmonte për gjetje shumë të rëndësishme si mozaikë, punishte zejtarësh etj., por për t’i hapur rrugë ndërtimit, disa syresh duhet të zhvendoseshin. Të tjerat janë zhdukur nën ndërtesat shumëkatëshe që sot ngrihen mbi to.

Lagjia romake e zbuluar në Durrës, para ndërtimit të pallatit
Pallati që ngrihet sot mbi lagjen antike romake në qendër të Durrësit
Vendimi për pezullimin e operacionit të shpëtimit të lagjes romake në Durrës, firmosur nga Ferdinand Xhaferaj, Apollon Baçe, etj

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura