Rama, ekspozitë me skica në Berlin

Apr 27, 2015 | 7:13
SHPËRNDAJE

Kryeministri Rama hapi në Berlin ekspozitën me 115 piktura dhe vizatime, të kryera në fletët e axhendës së tij gjatë viteve që ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Përmes 40 fotografive, kreu i qeverisë shqiptare ka treguar në adresën e tij në Facebook atmosferën e krijuar në galerinë e artit modern “Michael Schultz”, ku është bërë prezantimi i punimeve të tij. 

Dje gjatë ekspozitës në Berlin

“Një mbrëmje kulture në kryeqytetin gjerman”, shkruan Rama në Facebook. Ai tregon për interesin që këto punime kanë ngjallur te koleksionistë të ndryshëm gjermanë. 

“Mbrëmë në Berlin, në Galerinë prestigjioze të artit modern ‘Michael Schultz’, ku u çel në prani të shumë koleksionistëve e artdashësve ekspozita me 115 piktura të bëra gjatë viteve në tryezën e zyrës. Dy muzeume të artit në Gjermani shfaqën interesin për ta ekspozuar koleksionin në mjediset e tyre. Një kontribut modestisht pozitiv edhe për imazhin e Shqipërisë”, shkruan Rama në adresën e tij në Facebook. Rama ka prezantuar edhe librin e tij, ku janë përmbledhur skicimet e tij nën titullin “Lulet e Kalendarit”, të botuar në dy gjuhë, në frëngjisht dhe gjermanisht. 

Vetë Rama, i pyetur nga revista “Psikologjia” për këtë pasion të tij, është shprehur se vijon të mos shkë putet nga arti, duke skicuar politikën me ngjyra artistike. “Është e vërtetë se kam ndërruar jetë kur kam kapërcyer pragun e politikës aktive. Por është po kaq e vërtetë se arti ka vijuar të mbetet pjesë e mënyrës sime të të parit e të të përjetuarit të gjërave, qoftë edhe të atyre më të shëmtuarave që jeta politike shqiptare t’i vë përpara pa asnjë kursim. Të vizatuarit, të ngjyrosurit, të krijuarit e formave e të hapësirave nuk ka ndalur së qeni pjesë e përditshmërisë sime. Mbi letrat e tavolinës së zyrës, ku ka lindur edhe një libër në bashkëpunim me Anri Salën”, është shprehur Rama pak vite më parë. 

Kjo përmbledhje, sot që Edi Rama është Kryeministër i Shqipërisë, rrit interesin e koleksionistëve të veprave të artit tashmë që Rama është i njohur edhe në Berlin. Përmbledhja, e cila u promovua në galerinë e Universitetit së Arteve pak vite më parë, kur Edi Rama ishte kryetar Bashkie dhe sapo kishte marrë drejtimin e Partisë Socialiste, u vlerësua nga Maks Velo, Piro Misha dhe Vladimir Myrtezai.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura