Berisha: Rama “Mr. Sherri”, mban antiplumb dhe na prishi me Greqinë

May 29, 2015 | 16:29
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, në një intervistë për “TV Klan” ka akuzuar kryeministrin Rama si një politikan problematik që po hap konflikte të reja me fqinjët. Sipas Berishës, Rama, duke njohur natyrën e tij problematike, ka nisur të mbajë edhe antiplumb.

Ish-kryeministri, Sali Berisha

Berisha kritikoi ashpër deklaratën e kryeministrit për marrëdhëniet me Greqinë, ditën e vizitës së kryeministrit Vuçiç në Shqipëri.

Sipas tij, ishte e pavend që të flitej për Greqinë në atë takim. Më tej, Berisha vlerësoi vizitën e Vuçiçit, duke thënë se marrëdhniet e mira mes Shqipërisë dhe Serbisë janë shumë të rëndësishme.

-Intervista e Plotë- 

Zoti Berisha ju kemi parë të distancuar nga fushata elektorale por nga ana tjetër jeni shumkë aktiv në Parlament  ku drejtoni të gjithë aksionit politik të opozitës. A lidhet kjo me ndonjë vendim tuajin?

Çdo betejë ka një komandant. Komandanti i kësaj beteje është kryetari i Partisë Demokratike. Unë nuk marr pjesë në fushatë, përpiqem anësisht të jap kontributin tim me qëndrimet e mia në Parlament, me prononcimet e mia në FB, me mendime kur më pyesin, por kam qëndruar dhe do qëndroj jashtë fushatës. Kam dhënë dorëheqjen dhe dorëheqja ime nuk shkon me fushatën.

Ndërsa ju flisni për problem konkrete në parlament duket sikur oferta e PD për këto zgjedhje më shumë se sa e bazuar tek problematika që ka në fakt pushteti vendor duket si një betejë për zgjedhjet parlamentare, flitet për ulje të çmimit të energjisë elektrike, flitet për ulje të çmimit të naftës, që të gjitha këto në fakt janë atribute të qeverisjes qendrore?

Po, por kemi parasysh një moment. PD dhe kryetari i saj i drejtohet elektoratit më të mashtruar në historinë e vendit pas diktaturës, elektoratit më të mashtruar në Europë. I drejtohet një elektorati i cili po përjeton një varfëri të frikshme në rritje, një papunësi të frikshme në rritje, po përjeton një ndëshkim të pamerituar me çmime që shkojnë në stratosferë, me çmimin e energjisë dhe çmime të tjera dhe së shpejti edhe çmimi i ujit. Atëherë është i detyruar dhe e ka mision të parë, të ngjallë shpresën, ti ftojë qytetarët që të japin me votën e tyre verdikttin, se nuk janë dakord me një politikë të tillë.

Ndërkohë lokalisht, p.sh unë ndjek fushatën e Dr Halim Kosovës, një fushatë e tëra e përkushtuar si asnjëherë tjetër më qytetarin dhe për qytetarin, një fushatë e cila i adresohet e tëra shërbimeve, menaxhimit të qytetit. Natyrisht një lider politik qendror ka zgjedhur të bëj një fushatë shpresëndjellëse për shqiptarët, pasi ky (Rama) ka vrarë shpresën. Pse po ndodh eksodi. Eksodi ndodh se njerëzit nuk kanë shpresë se në këtë vend mund të jetojnë më.

A nuk ju duket në fakt se po lihen në dorë të dytë programet e kandidatëve sepse në fund do ti votbesojnë shqiptarët, sepse kjo është një votë për kandidatët?

Jo. Kandidatët kanë secili programin e tyre. Tirana ka të vetin, Durrësi, Vlora, Shkodra, Korça, Elbasani, Fieri kanë të tyret, me specifikat e veta, por të gjitha kanë një gjë të përbashkët, se nesër të fituar, secili prej tyre ka mundësi të plotë  të uli taksat, brenda ligjit 30% dhe unë i përgëzoj që e premtojnë këtë.

Po fushatën e kundërshtarit si e shikoni?

Unë mund të them se Edi Rama po përsërit plazhin publik lakuriq në një formë tjetër. Natyrisht po del i veshur, madje me antiplumb. E saktë kjo. Por po shkon si afrodiziak, po shkon si një njëri me psikozë seksuale, kun çdo takim shqipëron fjalë që smund t’i thotë kurrë një burrë në publik, si psh të zhvesh gruaja cullak kur hyn Brenda apo çështje të trajtimit dhe çështje të tjera që janë të papranueshme për staturën e një njeriu normal. Nuk është një estradë ajo, nuk është një skeç, nuk është një shfaqje afrodiziake.

Kjo është një fushatë elektorale, ka etikën e vet. Ju e keni vënë re, dy gjëra ka ai në këtë fushatë. Së pari, burri thotë kshu gruaja thotë kshu, burri është pijanec, gruaja ta mbledh dhe kjo është i gjithë togfjalëshi i tij i varfër dhe së dyti, letrat e mashtrimit, letrat pa vlerë, letrat e legalizimit të cilat janë absolutisht pa vlerë.

Sepse ky në fushatë tha se Enver Hoxha të zgjohet nga varri nuk do ja u prek shtëpitë, ndaj ato letra nuk kanë asnjë vlerë tjetër vetëm të mos u preket shtëpia. Po ky s’ka asnjë garanci sepse nuk i qëndron asnjë fjale. Së dyti, ky po pregatit ligjin. Brenda 6 muajve nëse nuk bën pagesën, dhe pagesat i ka të kripura, ky do tu konfiskojë shtëpitë. Çka ne nuk do ta lejojmë. Deshi të konfiskonte shtëpinë edhe për energjinë po e pa që s’mund të bëhej, por ky ka gati ligjin se do u konfiskojë shtëpitë po nuk paguan.

Për t’u rikthyer tek një çështje shumë e rëndësishme, marrëveshja e 24 dhjetorit për dekriminalizimin duket sikur ka mbetur në letër. Në fakt kjo kauzë u trumbetua me forcë të madhe nga PD. Çfarë do bëj PD për këtë aksion? Në dijeninë tuaj a ka kandidatë në listën për kryetarë bashkish apo këshilltarë bashkiak me rekorde kriminale? Kam parasysh këtu deklaratën e ambasadorit amerikan Donald Lu i cili tha se i kishte vënë në dijeni partitë politike për prezencën e këtyre individëve me rekorde kriminale.

Ajo çka unë mund t’ju siguroj janë së pari, PD ka vullnet të hekurt për ti shkuar deri në fund këtij problem mbi bazën e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Parlamenti Europian dhe një mbështetje të fuqishme nga ambasada e SHBA dhe vendeve partnere. Kështu që PD nuk ka të ndalur, ajo do të udhëheqë këtë proces me vendosmërinë më të madhe. Së dyti, ky process ka një pengesë absolute kryesore, Edi Ramën dhe lidhjet e tij të tmerrshme me krimin.

Është Edi Rama i cili deri sot nuk pranon të prononcojë fjalën dekriminalizim, i cili sapo do ta prononcojë atë i del pallati 900 m2, 5 katësh, për të cilën e shoqja e tij nuk ka një faturë të vetme financiare, bankare, tatimore, doganore për ti treguar. I del vila 600 m2 ndërtim me 57m themele të gjata, për të cilën Edi Rama ka theksuar se ka gjithsej 3 mijë euro në llogari bankare dhe më vonë është thënë se u bë me paratë e “Kurbanit”.

I dalin lidhjet e tij me krimin, dhe ai nuk mund të pranojë, ai është vet shtylla e krimit të këtij vendi. Kjo është arsyeja që ai nuk përmend dot, për të mos thënë rastin e bërë publik të Mark Frrokut në Laprakë, thirrjen për ekstradimin e tij në Belgjikë etj.

Por dhe unë them që opozita do të vazhdojë këtë proces me vendosmërinë më të madhe. Ambasada amerikane po ndihmon në mënyrë të jashtëzakonshme dhe unë di që procesi është në vazhdim, nuk ka të ndalur.

Në dijeninë tuaj a ka kandidatë në listën për kryetarë bashkish apo këshilltarë bashkiak me rekorde kriminale?

Gjithçka po verifikohet. Të them haptas. Gjithçka është në verifikimm por n  një verifikim transparent në të cilin partnerët po japin një ndihmë shumë thelbësore.

Denoncimi i skandalit me ilaçet. Çfarë fshihet mbrapa, kush?

Prapa saj fshihet një mega aferë në të cilën ne jemi në fillesa. Deri tani, komisioni i kontrollit të Kryeministrisë ka gjetur 150 milionë lekë të reja të vjedhura me receta false. Vetëm me insulinën, është konstatuar nga një kontroll tjetër, jo i qeverisë, 388 mln e 320 mijë lekë vjedhje të pastra.

Më është thënë, se janë disa ministra që marrin rroga nga kjo aferë, sepse këtu janë miliona e miliona euro. Unë citova vetëm një kompani, Omegafarma, që është shumë e dashur për ministrin e shëndetësisë, shumë e afërt, ka vjedhur me insulinën 388 milionë lekë po është rimbursuar me falsitet edhe 50 milionë lekë të tjera. Këto janë që i peshkojnë ministrat.

Kemi ndonjë emër ministri?

Beqaj po. Sepse Beqja është drejtori i fondit të sigurimeve shëndetësore, për definicion ai ka hapur shtigjet nëpërmjet vendimeve të tij që të ndodhë ky proces. të tjerat po hetohen.

Si e komentoni vizitën e Kryeministrit serb në Shqipëri, i pari në një vizitë zyrtare pas 70 vitesh?

Unë s’besoj se Paniçi ishte kroat apo slloven, ai ishte kryeministër i Serbisë që në atë periudhë kishte dhe Malin e Zi. Po këta rendin pas historisë, janë apasionantë pas historisë. Unë vizitën e komentoj si një akt të mirë, por historia ka një problem, ka përmbajtjen, historia është përmbajtje dhe jo fasadë.

Kështu që në këtë kontekst vizita s’pati një përmbajtje e cila vërtet mund të shënonte hapa konkret, por është pozitive padiskutim dhe ajo çka mua më pëlqeu, sepse atë që duhet të bënin para se të shkonin në Beograd, u bë këtu. Pra palët ranë dakord që të mbajnë qëndrimet e veta dhe qëndrimet kundërshtare s’mund të bëhen shkas kur negociohet as për gjeste, as për akte, secili mban qëndrimin e vet. Erdhi këtu Vuçiç dhe tha atë që ne s’ja pranojmë kurrë, por që ne prapë s’e ndalojmë dot ta thotë atë.

Pala shqiptare tha mendimin e saj. Në këtë kontekst unë e quaj pozitive dhe çdo vizitë ka padiskutim në vetvete pozitivitetin e vet. Historia pastaj është gjë tjetër. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të rëndësishme, në marrëdhëniet mes dy vendeve ka vakum dhe çdo hap, cilido qoftë ai është i mirëpritur. Ne ecim drejt BE dhe jemi të detyruar të bëjmë shumë përpjekje për marrëdhënie sa më normale me fqinjët tanë, natyrisht Kosova është në linjë të parë të marrëdhënieve me Serbinë, kjo s’duhet harruar.

A ka  një tension të ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, si i komentoni ju zhvillimet e fundit?

Këta qeveritarë kanë një problem të tmerrshëm, këta janë mashtrues. Pse e them këtë sepse para këtyre kishte dy gjëra të tjera të rënda. Së pari ishte Presidenti i Turqisë, vizitë shumë e rëndësishme, Turqia është një vend mik, shumë mik, por mashtrimet e Edi Ramës të bëra përpara zgjedhjeve krijuan ato keqkuptime që ishin krejt të panevojshme, sepse Edi Rama kishte marrë përsipër që të fshinte nga faqja e Shqipërisë institucionet e lëvizjes “Hyzmet”.

Shkon në Gjermani e pret Shtajnmajeri Ditmir Bushatin, nderimi më i madh, e priti ministri i Jashtëm doli me të në konferencë për shtyp, çfarë i solli, mashtrimin. Ministri i Jashtëm gjerman kërkoi hetim ndërkombëtar për Kumanovën dhe këtë jua serviri shqiptarëve në FB e vet Kryeministri, çka e detyroi ministrin e Jashtëm gjerman jo ta përgënjeshtrojë me shkrim, por me video, është shumë e rëndë.

Ishte e gabuar, qartësisht e gabuar, ndërhyrja e tij për Maqedoninë, zhvillimet në Kumanovë ishin thellësisht revoltuese, me të vërtetë të papranueshme, por mesazhi i Ramës pas një jave, se ditët e para s’reagoi fare, se të harrojë Maqedonia NATO-n tregoi se ai s’është kurrkund, ai as nuk njeh NATO-n, as Maqedoninë.

 Maqedonia është në një moment shumë kritik dhe problemi i parë është që vendet fqinje të mos përzihen. Aty Shqipëria duhet të lobojë fuqishëm, Kosova fuqishëm, Bullgaria të lobojë fuqishëm, të gjithë fqinjët, SHBA dhe BE që kanë firmos Marrëveshjen e Ohrit të ulen me palët dhe pastaj të japin një kontribut sepse situata është absolutisht kritike.

Nacionalizmi maqedonas aktual është ndofta më primitivi, më i çmenduri që ka ekzistuar ndonjëherë. Nikolla Gruevski e ka shndërruar Maqedoninë në laboratorin e prodhimit dhe gjenerimit të nacionalizmit, i cili në vetvete në këtë formë është barut. E ka shndërruar Maqedoninë në një minë me sahat siç e pamë. Por e domosdoshme është që komuniteti ndërkombëtar të ulet në mënyrën më serioze.

 Unë kur kam qenë në vizitën e fundit në atë vend, tre vjet më parë, jam kthyer në Shqipëri me idenë se isha në dy vende të ndryshme, jo miqësore. Ishte shumë i gabuar veprimi i Ramës ndaj Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit, nuk janë ushtarë të Tiranës ata.

Ata janë udhëheqës politikë të shqiptarëve të Maqedonisë në të gjithë plus minuset si çdo politikan tjetër, nuk thirren ata për të dështuar në Pogradec takimi. Ata thirren pasi përgatitet mirë takimi. Tirana sigurisht i thërret për të kontribuar, jo në atë mënyrë diletantekse. Këta që pretenduan për zero probleme me fqinjët, këta praktikisht kanë bërë zero zgjidhje dhe në qoftë se ka një parim artificial, për të mos thënë antikombëtar  është ky parim.

Marrim Greqinë, nuk i ka krijuar Edi Rama marrëdhëniet me Greqinë, marrëdhëniet me Greqinë janë marrëdhënie që kanë njohur progresin e tyre, por kanë dhe problematikën e tyre të madhe për t’u zgjidhur. Me fqinjët gjithmonë ke probleme, gjithmonë krijohen probleme, por gjithmonë zgjidhen me dialog, zgjidhen me mirëkuptim, me vullnet për t’i zvogëluar dhe jo për t’u fryrë atyre.

Por të dalësh në krah të Kryeministrit serb në konferencë shtypi dhe t’i përgjigjesh zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke bën një gjest të pamatur, qoftë në rrafshin protokollar, diplomatik, qoftë në rrafshin etik dhe çdo rrafsh tjetër. Çfarë do t’i thoshte ai Ciprasit, se tani që kam Vuçiçin s’të pyes se ti je. Ç’punë kishte ajo përgjigje ndaj palës greke në krah të Kryeministrit serb. Këto janë forma të papranueshme, të vjetra, por kur i përdor këto pastaj quhesh “mister sherri”.
Dhe ne s’duhet të jemi “mister sherri”, por të përpiqemi me fqinjët tanë me durim. Me Greqinë ka probleme, Greqia është një vend anëtar i NATO-s, BE, me Greqinë bëhet dialog, trajtohen, bëhen zgjidhje, jo në këtë mënyrë, ndaj dhe në disa aspekte Rama përbën një problem të madh për marrëdhëniet në tërësi me fqinjët, s’ka një ekuilibër. Se si do ja prishte vizitën vetes ai, kishte një mik, ishte mikpritës i Kryeministrit të Serbisë, ça donte t’i thoshte Ciprasit, ja ku jam tani unë. Shumë e gabuar, megjithatë uroj që dialogu të vendoset sa më shpejt.

Them s’i ka krijuar qeveria shqiptare problemet, shumica e tyre janë krijuar atje, por edhe pala jonë duhet të jetë e vendosur se ku i ka, të jetë e vendosur të kontribuojë, nuk mund të jetë hipokrit, të thotë që Greqia është një partner strategjik. Si qenka partner startegjik, një vend i cili ka ligjin e luftës me ty, pse do të bësh hipokrizi ti, urdhëro të heqim ligjin e luftës, ka një traktat dhe Greqia duhet ta zbatojë, dhe Shqipëria duhet ta zbatojë traktatin, ose ta zëvendësojë me një dokument tjetër. Por marrëdhëniet duhet të ecin mbi bazën e një vullneti të hekurt për t’u përmirësuar dhe mbi bazën e dokumenteve, të cilat i konsolidojnë ato.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura