Bashkëshortja rrëfen jetën me Aleksandër Lalon: Si u njohëm në Kukës, pse ishte dashuri me shikim të parë

Jul 4, 2019 | 16:24
SHPËRNDAJE

Në tastet e bardha të pianos vërehen gjurmët e cigares. Nëse do të ishte aty, me siguri duke qeshur do diktonte dhe të tjerat në tastet e zeza apo në karriget përbri. Tani në të luan i nipi, Joeli, i cili provon melodinë e fundit që ka mësuar dhe Lalo e shikon nga çdo kënd i shtëpisë.

Në një nga fotot e kompozitorit, vëllezërit Laço kanë dashur t’i lënë një mesazh për datëlindje, atë 27 prill, kur po jetonte ditë të mbushura te “Kënga ime”: “Bashkë me fëmijët, jetofsh gjithmonë i gëzuar, mes njerëzve dhe me Margën”. Jeta e Aleksandër Lalos u ndërpre papritur afro 2 vite më parë, por ai kishte kohë që e kishte fituar përjetësinë te fëmijët, bashkëshortja Marga e njerëzit. Shpesh, me gëzimin prej fëmije, do të kthehej në shtëpi t’i rrëfente së shoqes se si e kishin ndalë dhe fjalët që i kishin thënë. “Po sa shumë më duan njerëzit moj Marga”, do t’i përsëriste si të kishte marrë gjithë shpërblimin e dëshiruar.

aleksander lalo

Ndërkohë që tingujt e pianos kanë pushtuar dhomën, dëgjojmë djaloshin të pëshpëritë: “Gabova një notë”, e ia nis me këmbëngulje përsëri, ndërsa Marga e tij përpiqet të fshehë lotët. E tyrja ka qenë një dashuri e madhe, të cilën Lalo do të na e rrëfente me krenari disa vite më parë te “Piano bar”, pranë shtëpisë. “Më shprehte çdo moment dashurinë,- thotë ajo me zërin që i dridhet,- më thoshte se ndihej me fat”. Do t’ia thoshte fjalët “Të dua” gruas që ndau me të ëndrrat e ndjenjat edhe përmes këngës dedikim, e cila mban emrin e saj. Historia e tyre nisi në fundin e viteve ’70, ku artistin e kishin “qarkulluar” pas Festivalit të 11-të. Për kompozitorin ishte dashuri me shikim të parë.

Zonja Marga, cila është zanafilla e historisë suaj me kompozitorin Aleksandër Lalo?

Pasi përfundova shkollën, mua më caktuan në Kukës. Aty ndodhej edhe Sandri, që pas Festivalit të 11-të. Mëngjeseve kur shkoja në punë këmbehesha me të, por ende nuk ishim prezantuar. Më kujtohet se gjatë asaj periudhe shfaqej të shtunave filmi “Emblema e dikurshme”. Nuk më tërhiqte shumë si film, veçse më bënte shumë përshtypje muzika. Kështu, teksa e shikoja Sandrin në atë qytet, mendoja me vete: “Si ka mundësi që këtë njeri që bën një muzikë kaq të bukur, e lënë këtu. Është mëkat!” Mirëpo, ndodhi që do të merrte transferimin për në Tiranë dhe para se të largohej, i kishin caktuar ndër të tjera edhe detyrën që të ngrinte një grup artistik, ku përfshihej edhe kori i spitalit.

Ishte verë. Drejtori i spitalit përzgjodhi pothuajse të gjitha vajzat që vinin nga Tirana, mes të cilave isha dhe unë. Do të shkonim në Qendrën e Kulturës për të bërë provat e zërit dhe Sandri do të bënte vlerësimin. Kur erdhi radha ime më kërkoi që të këndoja një varg, por unë nuk kam vesh muzike. Kështu, i thashë: “Po unë s’di të këndoj”. “Po atëherë, përse ke ardhur”, më pyet. “Na dërgoi drejtori me pahir”,– i them me sinqeritet. Siç më tregon më vonë, atij ky moment i ishte fiksuar. Dhe e tija qe dashuri me shikim të parë.

Capture

Si u afruat më tej?

Do t’ia rrëfente ndjesitë e tij të para Zehrudin Dokles. “Më ka ngel mendja te një nga gocat nga Tirana që është në kor”, i kishte thënë mikut të tij. Ai ishte gëzuar, sepse Sandri nuk ishte ngatërruar me vajza, as në Kukës. Dhe e kishte marrë përsipër që të ma thoshte mua këtë, si dhe të bënte të mundur që ne të njiheshim. Dhe në fakt, kështu bën. Vjen e më thotë: “Marga, kam një kushëririn tim që është mjek në Tiranë, kur të rastisim ndonjëherë të tre bashkë dua të të prezantoj me të”. Unë, duke menduar se ne të tre bashkë nuk kemi si rastisim, për mirësjellje i them mirë. U gëzua shumë. Menjëherë pas kësaj, më thotë: “Sot me Kleopatrën (Kleopatra Skarco, më vonë bashkëshortja e Dokles) do dalim te hotel ‘Turizmi’ të pimë nga një gotë bozë, eja dhe ti”. Dolëm dhe ulemi të tre.

Te banaku, në këmbë, rrinte Sandri. Diçka po pinte. Zehrudini e fton në tavolinë, por unë as që dyshoja për diçka më shumë. Sandri dhe shokët e tij që kishin ardhur nga Tirana, për të përballuar situatën, pinin ndonjë gotë, pa e tepruar. Ai, në kohën kur e dërguan në Kukës punonte në “Radio Televizion” dhe kishte drejtuar Orkestrën e Cirkut. Pra, ishte në valën e punës dhe ndryshimi nuk ishte aq i lehtë. Nisur edhe nga kjo, kishte atë ndjenjën e humorit dhe e mbante bisedën të gjallë me batuta. Mirëpo, deri këtu mua nuk kishte se si më shkonte në mendje se “mjeku nga Tirana” mund të ishte Sandri. Derisa kjo situatë u përsërit edhe disa herë të tjera.

Kur e kuptuat se kushëriri-mjek i Zehrudin Dokles ishte Sandri?

Një mbrëmje në Kukës, teksa po bënim xhiro të katërt, Sandri shkëputet me Kleopatrën pak hapa më tutje, ndërsa unë po bisedoja me Zehrudinin. E kujtoj shumë mirë, ishim duke bërë ecejake në sense të kundërta. Aty Zehrudini më pyet: “E merr me mend se kush është djali për të cilin jam duke të folur?”. Jo, – i them,- sepse ende nuk e kisha kuptuar. Ai pastaj u kthye nga Sandri e më thotë: “Për të”. Diçka e tillë më kapi në befasi, aq sa fjala e parë që unë i them ishte: “Po unë nuk kuptoj asgjë nga muzika”. Ai qeshi dhe më thotë me humor: “Muzikën e bën vetë ai”. Sandri e kishte dashuri me shikim të parë, por nga ana tjetër, edhe unë shikoja tek ai një njeri krejt unik. Më dukej e mahnitshme që një njeri të bënte melodi të tilla, muzikë për film. Pra, ai kishte një dhunti që nuk fitohej me punë, diçka e lindur./PANORAMA

VIJON

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura