Basha: Do kërkojmë votën për drejtësi të pakapur nga Rama

Jun 25, 2016 | 12:32
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke përsëritur kushtin e panegociueshëm të opozitës për Reformën në Drejtësi, deklaroi sot se nëse shumica do veprojë njëanshëm duke provokuar destabilitet, demokratët do të kërkojnë votën e shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme për të realizuar reformën në drejtësi të pakapur nga Rama.

basha

“Platforma jonë është rruga e daljes nga kriza e gjithanshme. Jemi të bashkuar në vlera dhe në zgjidhje. Shqipëria do të ketë një sistem zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Pyetja është a do t’ia dalim bashkë me sovranin sot? Apo do t’i bëjmë thirrje sovranit për zgjedhje të parakohshme? Ne e kemi thënë fjalën tonë, nuk kërkojmë asgjë më shumë se rekomandimi 88. Nëse kjo mazhoranca është vendosur ta sabotojë reformën ne drjetësi, ne paralajmërojmë shqiptarët se opozita votën në zgjedhjet e ardhshme do ta kërkojë edhe për një refomë në drejtësi larg duarve të Edi Ramës dhe sipas standardeve të Venecias”, tha Basha.

Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Republikane, Basha akuzoi Ramën për keqqeverisje gjatë këtyre tre vite, pas paktit që ai lidhi me krimin.

“Pakti me krimin në vitin 2013 filloi të japë rezultatin e saj pas zgjedhjeve. Me një shtet të kriminalizuar të shoqërisë nuk ka si luftohet korrupsioni, por arrin nivele të paimagjinueshme”- tha ai.

Sipas Bashës, “pyetja është a do të imponojmë kësaj oligarkie, modelit Rama e Roshit, të Prengës me shokë, të Ahmetajt me cartër, të Tahirit dhe gjirizeve të tij të krimit, të Elisave në dogana, drejtësi të pavarur, e të pakapur, duke zbatuar të vetmin kusht të opozitës plotësimin e rekomandimit 88 të plotë e jo të pjesshëm, si rruga që u ofron shqiptarëve drejtësi të pavarur, të pakapur nga maxhoranca aktuale dhe aksionet e saj të jashtëzakonshme”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura