Banka e Shqipërisë: Pse ra Euro gjatë fushatës

Aug 11, 2017 | 9:36
SHPËRNDAJE

Banka e Shqipërisë është optimiste për ekonominë dhe pret që inflacioni të arrijë në kuotat e parashikuara prej saj. Në raportin e politikës monetare të prezantuar dje, banka qartëson edhe ndikimin e kursit të këmbimit, zhvlerësimin e fortë të euros dhe efektet në çmimet e konsumit.

Banka e Shqiperise1

EKONOMIA

“Ecuria e aktivitetit ekonomik të tremujorëve të fundit ka qenë pozitive dhe pritjet tona janë për vijimin e kësaj tendence në afatin e mesëm. Stimuli monetar vlerë- sohet të jetë i mjaftueshëm për të mbështetur rritjen e ekonomisë drejt ekuilibrit dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2018. Megjithatë, balanca e rreziqeve për materializimin e kë- tyre pritjeve është e zhvendosur poshtë. Nisur nga këto konsiderata, politika monetare do të vazhdojë të mbetet stimuluese, ndërsa vetë intensiteti i stimulit monetar do të përshtatet me nevojat e ruajtjes së ekuilibrave makroekonomikë”, theksohet në raport.

Por banka parashikon që rritja e ekonomisë të ndikohet edhe nga ambienti i jashtëm. “Ambienti ekonomik botëror ka shfaqur përmirësim në vitin 2017. Aktiviteti ekonomik është përmirësuar, ndonëse në mënyrë të pabarabartë midis ekonomive të ndryshme. Rritja ekonomike pritet të vijojë përgjatë gjithë vitit në vazhdim. Ekonomitë e vendeve kryesore partnere tregtare të Shqipërisë, Italia dhe Greqia, kanë treguar përmirësim të aktivitetit ekonomik në tremujorin e parë të vitit. Ekonomia e Italisë ka përfituar nga rritja e shpenzimeve konsumatore dhe e investimeve. Ekonomia e Greqisë është rikthyer me rritje pozitive në tremujorin e parë të vitit, falë rritjes së fortë të investimeve dhe përmirësimit të shpenzimeve konsumatore. Rritja e ndjeshme e importeve ka ndikuar negativisht në rritjen ekonomike agregate”.

INFLACIONI

Banka pranon që euro pati një zhvlerësim të fortë në muajt e fushatës elektorale. “Forcimi i lekut kundrejt monedhës europiane ka qenë më i pranishëm në muajt maj dhe qershor. Kursi i këmbimit u shfaq i qëndrueshëm në periudhën shkurt-prill, rreth vlerës 135.5 lekë/euro, por ra në 134.6 lekë/ euro në muajin maj dhe, më tej, në 133.2 lekë/euro në muajin qershor. Në terma vjetorë, forcimi i lekut në këta dy muaj ishte përkatësisht 2.7% dhe 3.4%, nga mesatarisht 2.1% që ishte në katër muajt e parë të vitit.”

“Monedha vendase ka shfaqur një prirje mbiçmuese në raport me monedhat e vendeve kryesore partnere gjatë periudhës shtator 2015 – qershor 2017. Në terma efektivë nominalë, mbiçmimi mesatar vjetor rezulton rreth 3.1% për periudhën e lartpërmendur. Intensiteti i mbiçmimit ka ardhur në rritje: nga 3.3% në vitin 2016, në 4.2% për gjashtëmujorin e parë të vitit 2017. Mbiçmimi i lekut kundrejt euros, ka qenë kontribuuesi kryesor në këtë zhvillim për nga vetë pesha e madhe (rreth 80%) që kjo monedhë zë në shportën e monedhave kryesore. Leku është mbiçmuar mesatarisht me 1.7% dhe 2.3% kundrejt euros, përkatësisht gjatë vitit 2016 dhe gjatë 6 muajve të parë të vitit 2017. Kjo sjellje vlerësohet të ketë frenuar presionet e përgjithshme inflacioniste në ekonomi.”

Pra, sipas bankës, ka qenë zhvlerësimi i euros dhe monedhave të tjera, që kanë çuar në uljen dhe inflacionin, pra, në uljen e çmimit të mallrave të konsumit. Kjo është arsyeja, që rritja ekonomike gati në 4 për qind gjatë pjesës së parë të vitit, nuk solli rritje të inflacionit. Rritja ekonomike përkthehet në më shumë konsum dhe si rrjedhojë me çmime më të larta. Por duket se Shqipëria po jeton pjesën më të artë të ekonomisë, ka rritje ekonomike, rritje të kërkesës dhe çmime të ulëta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura