Banesat e dëmtuara nga tërmeti, banorët: Punimet, pa cilësi! Objektet s’po ndërtohen sipas projekteve të qeverisë

Jan 13, 2022 | 12:29
SHPËRNDAJE

ELVIS HILA/ Banorët e një blloku pallatesh të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Laç ngrenë dyshime për cilësinë e punimeve për rikonstruksionin e shtëpive.

demet nga termeti

Ata u ngritën në protestë, me pretendimin se punimet që kanë nisur nuk po realizohen siç duhet. “Ky ka ikur si mur, kërkojmë specialistë ta shohin që të futen brenda njerëzit”, thotë një banor. Katër pallatet, ngjitur me njëri-tjetrin, kanë pësuar dëmtime që ende janë të dukshme. Banorët kërkojnë që të bëhet transparent projekti i rikonstruksionit të tyre, pasi thonë se nuk kanë siguri që të jetojnë aty.

“Themelet nuk i kanë hapur tamam, projekti është me u shembur të gjitha ballkonet, themelet i kanë lënë pa futur, hekurin. Të bëhet pallati sipas projektit të shtetit ose të ndalojnë punimet. Nuk kemi aspak siguri që të jetojmë me familjet tona aty. Kërkojmë sa më parë që të vinë inxhinierët e të na japin shpjegim. Si mund të nisë puna pa paraqitur më parë projektin dhe afishuar te kantieri. Kjo është e papranueshme dhe ne jemi totalisht kundra”, thotë një banor.

Ndërsa një tjetër banor tregon se nuk do të lejojnë që të vijojnë punimet, nëse nuk do t’ju bëhet publik projekti. “Ne e kemi pritur prej dy vitesh këtë ditë, por s’po dimë se çfarë po bëhet këtu. Nuk jemi kundra punimeve, por kërkojmë që projekti të bëhet transparent, pasi siç e dini, pallati është dëmtuar nga brenda dhe jashtë. Ka pasur dëmtime serioze dhe nuk kemi aspak siguri që të jetojmë aty. Nuk po përforcohet fare struktura dhe kjo është e papranueshme”, thotë një tjetër banor.

“BASHKIA E KURBINIT NUK NA PËRGJIGJET”

Shqetësimin thonë se e kanë ngritur edhe në Bashkinë e Kurbinit, por nuk kanë marrë përgjigje. “Kemi shkuar disa herë dhe jemi ankuar në Bashkinë e Kurbinit, por kryetarja nuk e vë ujin në zjarr për këtë punë. E kanë për detyrë të sqarojnë banorët, jeta jonë është në rrezik. Nuk e kuptoj pse na lënë në mëshirë të fatit, derisa e kanë për detyre të na japin përgjigje. Shpresojmë në një reagim të shpejtë, ose në të kundërt, nuk do të lejojmë firmën që të vijojë punimet, pasi kemi të bëjmë me jetën tonë. Si mund të kemi siguri të hymë në shtëpi, pa ditur a po bëhen siç duhet punimet. Gjithashtu kërkojmë që edhe apartamentet brenda të riparohen sipas shkallës së dëmtimit”, thotë një tjetër banore.

ÇFARË THONË AUTORITETET

I kontaktuar përmes telefonit në lidhje me këtë çështje, drejtori i Planifikimit Urban në Bashkinë Kurbin, Benard Pali, rrëzon pretendimet e banorëve. Ai thotë se pallatet e dëmtuara nga tërmeti po rikonstruktohen brenda të gjitha parametrave teknikë, duke dhënë garanci për jetën e banorëve. Ndërkohë, në këtë bllok pallatesh janë 48 familje të cilat kanë mbi 2 vjet që banojnë me qira. Bashkia e Kurbinit ishte një ndër zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 dhe deri më tani ka përfunduar rindërtimi i vetëm 520 apartamenteve, me financim të qeverisë turke.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura