“Bajerni i ka të gjitha kartat”, Musiala u shpall “luftë” rivalëve: Marrim Champions-in

Mar 28, 2024 | 14:30
SHPËRNDAJE

Pavarësisht pretendimeve fillestare për tripletë, Bajern Mynih i ka mbetur vetëm Liga e Kampionëve për të shpëtuar sezonin pa trofe, e cila do i kthente një dekadë më parë. Xhamal Musiala shprehet i bindur se kampionët e Bundesligës i kanë të gjitha “kartat” për t’i shkuar deri në fund kompeticionit më të rëndësishëm në rang klubesh, Champions-it. Më tej talenti 21-vjeçar ka analizuar edhe kundërshtarin e ardhshëm në fazën çerekfinale, konkretisht është skuadra e Mikel Artetës, Arsenali.

musiala

RIVALI-“Martin Odegard është regjisor i shkëlqyer i shpërndarjes së lojës dhe krijimit të korridoreve në zona të ngushta. Ai është një katalizator i nivelit të lartë. Por është vetëm një nga komponentët e Arsenalit. Deklan Rais merr një rol protagonisti në mesfushën e anglezëve. Nëse i referohemi fazës ofensive, Saka, Martineli dhe Haverc janë aty, të gatshëm për të shënuar në pozicione të ndryshme. Ata kanë shumë nyje ku mund të zgjidhin ndeshjen, ama kjo nuk do të thotë se janë të pathyeshëm. Klubi ynë në javët e fundit po bënë shumë mirë, kemi kapur formën dhe mund të përballemi me çdo skuadër. Sigurisht s’do jetë e lehtë me Arsenalin, megjithatë ne e kemi misionin e qartë, fitimin e trofeut. Ndeshja e kthimit në ‘Allianz Arena’ ka për të vulosur kualifikimin tonë drejt gjysmëfinaleve”, vijoi futbollisti me numër “42” te rekordmenët e Gjermanisë.

CHAMPIONS-“Avancimi për në fazën tjetër do na vendos përballë një tjetër finale të parakohshme, midis Realit ose Mançester Sitit. Duke e njohur ekipin tim dhe pikat e forta, kam siguri të plotë se i kemi shanset maksimale për t’i shtuar një tjetër trofe të Ligës së Kampionëve palmaresit tonë. Mos të harrojmë se kemi në kontingjent sulmuesin më në formë të Europës, krahët e repartit ofensiv po tregojnë vendosmëri dhe efikasitet. Të njëjtën linjë mban mesfusha dhe mbrojtja. Patjetër që fati do të luajë rolin e tij”, e mbylli Musiala.

SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura