Azilkërkuesit, policët kthehen në psikologë për të zbuluar ata që duan të ikin. Nuk kalojnë kufirin qytetarët me pasaporta të reja

Apr 27, 2015 | 18:52
SHPËRNDAJE

Prej më shumë se dy javësh, Policia Kufitare ka shtuar masat e kontrollet për të parandaluar fenomenin e azilkërkuesve. Me masa shtesë, të paktën teorikisht, kuptohet një prezencë më e madhe e policëve në kufi, kontrolle të imtësishme fizike, dokumentesh e bagazhesh.

Por praktikisht duket se asgjë nuk ka ndryshuar në lidhje me këto procedura. Janë po ato që kanë qenë edhe para se qytetarët që largoheshin nga Shqipëria për të kërkuar azil të ktheheshin në një problem.

Pasagjere ne port

Kërkohen të njëjtat dokumente, bëhet i njëjti kontroll fizik dhe bagazhesh. Ajo që të paktën ne kuptojmë, por edhe na e thonë vetë efektivët e kufirit, është fakti që punonjësit e Policisë janë bërë më vigjilentë, deri diku janë kthyer edhe në psikologë.

“Qytetarëve nuk u kërkohet asnjë dokument shtesë, asgjë më shumë nga ato që i kërkoheshin më parë. Thjesht u duhet një dokument që të justifikojë zyrtarisht qëllimin e udhëtimit të tyre jashtë Shqipërisë, siç parashikohet në nenin 13 të ligjit për Policinë Kufitare. Ne nuk kemi shpikur asgjë të re. Është e njëjta procedurë. Por jemi bërë më vigjilentë. I testojmë psikologjikisht udhëtarët, pasi na ndodh që të zbulojmë gënjeshtrat e tyre. Pjesa më e madhe e atyre që udhëtojnë për azil, kanë pasaporta të reja, pa asnjë vulë, që i kanë marrë ditët e fundit, madje me procedurë të përshpejtuar”, na thotë një kontrollor në brendësinë e terminalit të Portit të Durrësit.

Policia Kufitare ka përgatitur një formular të posaçëm, që plotësohet për të gjithë ata që u refuzohet kalimi i kufirit. Kjo shkresë është zyrtare, mban logon e Ministrisë së Brendshme dhe aty shënohen të gjitha të dhënat dhe arsyet e kthimit të një udhëtari. Personi që merr këtë dokument, mund ta përdorë edhe për ta ndjekur në rrugë ligjore pengesën që i kanë bërë në kufi, duke iu drejtuar gjykatës. 

BISEDAT ME KONTROLLORËT
Jemi në Portin e Durrësit. Ora është 20:00 dhe udhëtarët sapo janë afruar në terminal, ku kanë nisur të dorëzojnë pasaportat e biletat. Një efektiv i Policisë Kufitare na thotë se numri i udhëtarëve jashtë Shqipërisë ka pësuar rënie që pasi Policia deklaroi se ka marrë masa për frenimin e azilit në vendet e BE. Megjithatë, me aq sa shohim, për ne ende ka një fluks udhëtarësh, që po drejtohen për të hipur në dy tragetet që kanë si destinacion Italinë.

Efektivi i kufirit na tregoi pak a shumë se si i “testojnë” udhëtarët për të kuptuar kush mund të jetë azilkërkues e kush jo. Por edhe vetë ne, teksa vëzhgojmë procedurën e kalimit të kufirit, arrijmë të kuptojmë që nga larg se cilët janë udhëtarët që do kthehen mbrapsht. Mjafton të dëgjosh bisedën e secilit prej tyre me punonjësin e Policisë. Ka nga ata që emocionohen së tepërmi. Dhe këto emocione nuk i kanë pse po udhëtojnë për herë të parë jashtë Shqipërisë, por duket se kanë frikë se mos zbulohen. Disa skuqen menjëherë sapo janë përballë policit. Të tjerëve u merret goja e fillojnë të belbëzojnë. Madje, ka edhe nga ata që me një kartëmonedhë 50 euroshe, të futur në mes të pasaportës, tentojnë të korruptojnë policin, e në fund jo vetëm që nuk e kalojnë dot kufirin, por përfundojnë të prangosur.

Pa ndonjë statistikë zyrtare, por thjesht nga konstatimi ynë, kuptojmë se, kur nga Porti i Durrësit largohet edhe trageti i fundit drejt Italisë, mbi 30 udhëtarë nuk janë lejuar të kalojnë kufirin me pretendimin se mund të kërkojnë azil. 

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura