Atentati i dytë ndaj biznesmenit, Aleksandër Deda u qëllua nga një makinë në lëvizje! Çfarë fshihet pas pritës së parë ndaj 45-vjeçarit

Mar 9, 2022 | 11:38
SHPËRNDAJE

Një biznesmen në Lezhë ra pre e një atentati me armë zjarri për herë të dytë në harkun kohor të dy viteve, por fatmirësisht nuk mori lëndime.

aleksanderdeda

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14 e 15 minuta të së hënës, në një lokal në dalje të qytetit të Lezhës, por është raportuar nga Policia rreth mesnatës të së hënës. Shënjestër e sulmit me armë ishte 43-vjeçari Aleksandër Deda.

Sipas Policisë, ka qenë vetë biznesmeni, i cili ka denoncuar atë çfarë i ka ndodhur dhe shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe krehjes së zonës, blutë nuk kanë konstatuar gëzhoja, por, sipas të dhënave, në drejtim të biznesmenit Deda është qëlluar disa herë më pistoletë nga një person që ndodhej në një makinë në lëvizje.

Fatmirësisht, asnjë nga plumbat nuk e preku 43-vjeçarin, ndërsa autorët arritën të largohen dhe ende nuk janë identifikuar nga Policia. Në vendin e ngjarjes janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar kamerat e sigurisë të disa bizneseve në zonë, të cilat kanë filmuar ngjarjen dhe po analizohen me qëllim identifikimin e autorëve.

ATENTATI I PARË

Kjo është hera e dytë që biznesmeni Aleksandër Deda bie pre e sulmit me armë zjarrit. Më 2 dhjetor të vitit 2020, ai mbeti i plagosur në shpatull, pasi u qëllua teksa lëvizte me makinën e tij në superstradën Lezhë-Laç, në afërsi të kryqëzimit të Markatomajve.

Ndonëse i plagosur, ai arriti të largohej, duke shkuar vetë në urgjencën e Spitalit Rajonal të Lezhës, ku edhe mori ndihmën e parë mjekësore, ndërsa autorët u larguan me shpejtësi dhe automjeti i tyre tip “Audi” u gjet i djegur në fshatin Pllanë të Lezhës.

Mjeti rezultonte i vjedhur në qytetin e Lushnjës disa javë përpara ngjarjes, ndërsa targat ishin vjedhur në qytetin e Lezhës. Autorët janë kujdesur me detaje për të organizuar atentatin, por fati ishte me shënjestrën. Ndërkohë, nga këqyrja e automjetit të djegur, Policia ka gjetur totalisht të shkatërruar automatikun kallashnikov dhe një sasi gëzhojash ta plasura brenda në makinë.

Aleksandër Deda, i njohur ndryshe dhe me nofkën “Leksi i Druve”, nuk njihet si personazh problematik dhe me precedentë penalë në Shqipëri. Deda rezulton i dënuar në Itali, ndërkohë gëzon disa pasuri të konsiderueshme në Lezhë e Shëngjin. Pjesën më të madhe të pasurisë, Aleksandër Deda e ka në emër të vëllait të tij, Bledar Deda.

Pavarësisht hetimeve, Policia nuk ka arritur të zbardhë ende atentatet e përsëritura ndaj tij, të cilave u ka shpëtuar për mrekulli. Aleksandër Deda ishte rikthyer ditët e fundit në Shqipëri, pasi prej disa kohësh ishte larguar jashtë vendit ku kishte jetuar dhe më parë për një kohë të gjatë.

Hetimet janë përqendruar te ndonjë konflikt që ai mund të ketë si jashtë apo brenda vendit, ndërsa në lidhje me ngjarjen ende nuk ka asnjë person të shoqëruar në Polici si të dyshuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura