“Arturo Ui” njëherësh në skenën e “Kujtim Spahivoglit” e Metropolit

Mar 19, 2015 | 16:59
SHPËRNDAJE

E njëjta vepër në dy versione, në dy skena të ndryshme, do të shfaqen javën e parë të prillit në Tiranë. Një frymëzim i përbashkët ka përfshirë dy regjisorë, Kiço London dhe Armando Borën, të cilët kanë vendosur të ngjisin në skenë dramën e shkruar nga Bertolt Brecht, “Arturo Ui”.

Nga provat e “Arturo Ui” në Teatrin e Metropolit

Një alegori e thekur satirike për liderin nazist, Hitlerin, shkruar në kohë reale, ndërsa nazizmi po njihte kulmin e tij, jo vetëm në Europë. E ngjitur për herë të parë në skenën shqiptare nga regjisori Pirro Mani, me shumë sukses, vepra që i ka munguar teatrit shqiptar prej vitesh rikthehet njëherësh në dy skena teatrore: Në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe në Teatrin e Metropolit.

TKEKS tashmë ka publikuar edhe posterin e shfaqjes, e cila nuk ka se si të mos bjerë në sy: pesë djem të rinj, të zhveshur, që mbulohen vetëm me një rul letër higjienike. Që në këtë poster, regjisori i veprës Kiço Londo lajmëron se shfaqja do të jetë provokuese. Data e premierës është përcaktuar më 4 prill. Ndërkohë edhe Teatri i Metropolit ka njoftuar se javën e parë të prillit do të jetë premiera e dramës.

“Së shpejti në Teatrin e Metropolit vjen për ju ‘Arturo Ui’! Që historia të mos përsëritet: kurrsesi nuk duhen harruar se barku nga ata dolën, ende nuk është shterpëzuar”, njofton Teatri i Metropolit, duke u përpjekur të “gërvishtë” disi jo vetëm kuriozitetin, por edhe ndërgjegjen e shikuesve. Se cili prej koncepteve do t’i përshtatet më mirë aktualitetit dhe do të tërheqë më shumë vë- mendjen e publikut, kjo mbetet për t’u provuar në skenë.

Sa i përket synimit të regjisorëve, është ai i përcjelljes së mesazhit që e shkuara nuk duhet harruar kurrë. E fatkeqësisht shqiptarët harrojnë shpejt.

“Për të pushtuar lehtësisht një komb, duhet fillimisht t’i shkatërrosh atij qytetarinë. Thënë kjo nga Adolf Hitler dhe zbatuar gjerë- sisht nga të gjithë diktatorët modernë, ‘Arturo Ui’ është vepra që i kujton qytetarit detyrën e tij ndaj kombit”, theksojnë realizuesit e veprës në Teatrin e Metropolit.

DY VËNIET

“Arturi Ui” është sjellë në shqip prej mjeshtrit të përkthimit nga gjuha gjermane, Robert Shvarc. Regjisori Kiço Londo ka vendosur ta rimarrë këtë vepër e ta sjellë në aktualitetin e sotshëm shqiptar. Me skenografi të Kristo Çalës dhe kostume të Sofi Karës, regjisori ngjit në skenë 21 aktorë (Denis Kurushi, Fatjon Mici, Rezart Barjoti, Ergys Çekrezi, Erjon Hinaj, Amir Hasanlliu… etj.). Janë djem e vajza të rinj, të cilët Londo po i aktivizon në projektet e Teatrit Kombëtar Eksperimental, që ai drejton.

Ndërsa regjisori Armando Bora ia ka besuar interpretimin e veprës një kasti aktorësh me përvojë, si Alfred Trebicka, Suela Konjari, e cila i rikthehet skenës së aktrimit pas një kohe të gjatë mungese, Rozi Kostani, Violeta Banushi etj.

Mësohet se Bora do të sjellë një variant mes dramës e muzikalit dhe aktorët po punojnë jo vetëm mbi tekstin dhe aktrimin, por edhe në këndim, kërcim, madje kanë marrë edhe mësime karateje. Me këtë vepër, regjisori kërkon të vërë gishtin në plagë, jo të na sjellë një histori gangsterësh, por se ku gabon shoqëria, që u hap rrugën atyre. E së fundmi histori gangsterësh kemi dëgjuar jo pak.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura