Artistët e mëdhenj hungarezë ekspozohen në GKA

Jun 22, 2016 | 12:14
SHPËRNDAJE

Mjeshtërit e artit bashkëkohor hungarez mbërrijnë në Tiranë. Ditën e premte Galeria Kombëtare e Arteve dhe Muzeu Ludwig, Muzeu i Artit Bashkëkohor, Budapest, do të prezantojë për publikun ekspozitën “Ideale dhe vepra arti/Një përzgjedhje veprash nga koleksioni i Muzeut Ludwig, Budapest”.

ilustruese
ilustruese

Ekspozita vjen si rezultat i një bashkëpunimi të vazhdueshëm prej më se 2 vjetësh mes Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Muzeut Ludwig, Muzeu i Artit Bashkëkohor, Hungari.

Mësohet se përzgjedhja që përfshin disa nga artistët më të njohur bashkëkohorë hungarezë të tillë si László Fehér, László Lakner, Dóra Maurer, Sándor Pinczehelyi e të tjerë, pasqyron të kaluarën e afërt dhe artin bashkëkohor të Hungarisë përmes veprash, kryesisht në fotografi dhe multimedia e që shpesh përfshijnë figurën e artistit.

Sipas kuratores së ekspozitës, Krisztina Szipõcs, pika kryesore e ekspozitës është të zbulojë “idetë dhe mendimet pas çdo vepre, të tilla si ideologjitë, qëllimet dhe idealet, mes tyre komunizmi, shoqëria e konsumit, nacionalizmi, idealet mbi të bukurën, mendimi fetar, liria, të cilat kanë ndryshuar shumë këto 40 vjetët e fundit.

Veprat e ekspozuara janë dokumente të një epoke, gjurmë të idealeve dhe vlerave që përshkojnë jetën e përditshme dhe artin”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura