“Arrestimi i Spiro Kserës, nuk pati prapavijë politike”

Feb 2, 2016 | 7:15
SHPËRNDAJE
Adriatik Llalla
Adriatik Llalla

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, tha dje se arrestimi i ish-ministrit Spiro Ksera nuk ka asnjë prapavijë politike.

Kryeprokurori shpjegoi se hetimi për këtë rast konkludoi pas një padie të bërë nga KLSH-ja ndaj zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Punës, por që nga puna e Prokurorisë u gjetën provat e tjera shtesë.

Në një intervistë në emisionin “TOP Story”, drejtuar nga Sokol Balla në “Top Channel”, kryeprokurori tha se nuk ka pasur në asnjë rast presion politik mbi institucionin që ai drejton.

Gjatë intervistës, Llalla shprehu dhe qëndrimin e tij mbi Reformën në Drejtësi, duke theksuar si të padrejtë dominimin e Këshillit të Prokurorisë nga anëtarët e tjerë dhe jo nga prokurorët.

Kryeprokurori deklaroi se është pushuar hetimi për përgjimet me pajisjen përgjuese të Shërbimit Informativ të Ushtrisë.

Më poshtë zbardhet pjesërisht intervista e kryeprokurorit dhënë mbrëmë për Sokol Ballën.

Deri ku shkojnë hetimet për rastin Ksera dhe sa do të zgjerohen ato?

Nga të dhënat e deritanishme dyshohet se ish-ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta gjatë kohës së ushtrimit të detyrës në bashkëpunim edhe me punonjës të tjerë të ministrisë që drejtonte, ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, “korrupsionit”, apo dhe të veprave të tjera penale që mund të dalin gjatë procesit të hetimit. Çështja vijon. Detaje të mëtejshme në lidhje me rastin konkret nuk mund të jepen në këtë fazë.

Do të ketë arrestime të tjera apo jo? Deri në ç’pikë zgjerohen këto hetime?

Lidhur me rastin konkret janë dhe dy masa të tjera sigurimi ende të paekzekutuara nga Policia, pasi dy të dyshuarit i janë fshehur kërkimit policor. Këto janë raste që pritet të ekzekutohen. Mund të ketë edhe të dyshuar të tjerë që mund të dalin gjatë procesit të hetimit, por deri në këtë fazë janë këta të dyshuar.

A ka pasur presion politik mbi këtë arrestim? Pse ndodhi pikërisht tani, pasi padia ka kohë që është bërë?

Rasti konkret ka një gjë të veçantë. Fillimisht çështja nisi në bazë të kallëzimit të KLSH-së mbi ish-drejtorin e kabinetit të z. Ksera, i cili po vuan dy dënime. Gjatë hetimeve të rastit konkret, Prokuroria arriti të zbulonte se krahas veprimeve të kundraligjshme të kryera nga Bitro, kishte dhe shkelje të tjera ligjore nga ana e punonjësve të kësaj ministrie, përfshi edhe ministrin Ksera. Ishin rezultatet e punës hetimore nga Prokuroria që arritën të evidentonin shkeljet e gjithë pjesës tjetër të stafit. Hetimet për rastin konkret janë evidentuar rreth 4-5 muaj më parë.

Ka pasur presion politik?

Absolutisht nuk ka asnjë rast presioni politik mbi institucionin e Prokurorisë. Vendimi është marrë pikërisht tani, si rezultat i përfundimit të shumë veprimeve hetimore, që konkluduan se ndaj të dyshuarve duhet të procedohet me masat ndalimi, sigurimi apo masa të tjera që dje u vendosën nga Gjykata.

Pesë vjet nga “21 janari”, familjarët mendojnë se Prokuroria ka prova të mjaftueshme për rihapjen e procesit. Prokuroria duket se nuk po bën asgjë në këtë drejtim.

Rasti i “21 janarit” është hetuar nga Prokuroria para se unë të vija në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe nga të dhënat që kam parë në materialet që disponohen për ngjarjen konstatohet se nga organi i Prokurorisë është kryer punë e lavdërueshme. Të dyshuarit, tashmë të dënuar, janë marrë në përgjegjësi penale dhe akuzuar nga Prokuroria për “vrasje me dashje”, kërkesë e paraqitur në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe në Apel. Pavarësisht kërkesës sonë, Gjykata ka mbajtur tjetër qëndrim për kualifikimin ligjor të veprës penale. Rekursi është në Gjykatën e Lartë në proces shqyrtimi. Rasti i “21 janarit” ka të pazbardhur vrasjen e të ndjerit Aleks Nikaj. Pas kryerjes së veprimeve hetimore, Prokuroria nuk ka mundur të zbulojë autorin.

Pse shkoi çështja “Fullani” drejt mbylljes? A pati një tejkalim jo të rastësishëm të afateve të rekursit?

Rasti i z. Fullani, për të cilin Prokuroria vijoi hetimet në bazë të rrethanave të bëra publike dhe ka kërkuar dënimin e tij si në Gjykatën e Shkallës së Parë, edhe në Apel për veprën për të cilën e pati akuzuar. Si Gjykata e Shkallës së Parë, edhe Apeli vlerësuan se për Fullanin nuk ishin provat e mjaftueshme për ta dënuar për veprën penale për të cilën ne e akuzuam. Në këto rrethana, pasi u shqyrtuan vendimet gjyqësore, nuk u gjetën shkaqe ligjore për të bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.

A po kërkon dikush që mandati juaj të ndërpritet?

Unë jam thuajse në përfundim të mandatit tim. Kam edhe një vit e gjysmë deri në përfundim të mandatit dhe do të vijoj të ushtroj detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm deri në atë moment që ligjvënësi do të vlerësojë se unë duhet të vijoj të ushtroj atë detyrë.

Ka pasur kritika të drejtpërdrejta nga kryeministri i vendit për Prokurorinë, nga ministri i Brendshëm.

Mendoj se ato kritika kanë qenë në fillimet e marrjes së pushtetit, kur ende nuk janë njohur me rezultatet e punës sonë dhe problematikat e punës sonë. Prokuroria punon në kushte problematike, me një ngarkesë të jashtëzakonshme pune.

A ka një qëndrim Prokurori i Përgjithshëm lidhur me faktin që kjo Reformë në Drejtësi synon ndërprerjen e mandatit të tij?

Dua të theksoj faktin se Prokuroria e Përgjithshme, unë personalisht kam vlerësuar iniciativën e Presidentit të Republikës për fillimin e procesit të Reformës në Drejtësi.

Ka funksionuar bashkëpunimi me ekspertët tuaj?

Ekspertët tanë kanë qenë të pranishëm në të gjitha rastet ku kanë qenë të ftuar.

Opinioni juaj për këtë reformë?

Ajo që parashikohet si risi në mënyrën e organizimit të funksionimit të Prokurorisë është ndër të tjera Këshilli i Prokurorisë, mënyra se si do të funksionojë ky këshill. Ajo që unë vlerësoj që është si e padrejtë, ose e zgjidhur në mënyrë jo të drejtë, është ajo që parashikon që ky këshill të mos drejtohet nga prokurorë, por këshilli të dominohej nga pjesa më e madhe pedagogë, përfshi dhe avokatë, apo persona të tjerë që nuk janë brenda institucionit të Prokurorisë. Mendoj që ky këshill duhet të dominohet nga prokurorë. Kryetari të jetë prokuror. Prokurori i Përgjithshëm nuk duhet të jetë pjesë e këtij këshilli, aq më tepër të ketë pozicionin drejtues të tij.

Sot ka një këshill të tillë dhe akuza është që ju e dominoni tërësisht.

Absolutisht kjo është e pavërtetë. Dua të theksoj faktin se nga momenti i ardhjes sime në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, lidhur me momentin e emërimit e prokurorëve të rinj, unë kam sjellë një risi që çdo prokuror i ri të kalojë dy faza të testimit, me shkrim dhe me gojë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura