Arben Derhemi thyen heshtjen me “Maskuar”: Ar’Turbina si pallat sporti, por…

Nov 1, 2018 | 15:06
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Në dukje, të gjitha familjet janë të lumtura. Të gjithë pjesëtarët e duan njeri-tjetrin, por mjafton krimbi i dyshimit që gjithçka të marrë fund dhe qenia humane të shndërrohet dhe të marrë trajta të pamendueshme.

44919993_2217841061814523_7579054957316276224_n

Një mesazh paqeje, dashurie për tjetrin dhe komunikimi, tenton të përcjellë drama “Maskuar” i autorit Ilan Hatsor, përkthyer nga Eda Derhemi, që vjen në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nën regjinë e Milto Kutalit dhe interpretimin e aktorëve Alfred Trebicka, Arben Derhemi dhe Ismail Shino. Ata janë tre vëllezër palestinezë, të cilët vendosen në një situatë vëllavrasëse.

Sipas regjisorit Milto Kutali, “Maskuar” është një nga veprat më të rëndësishme bashkëkohore të 20 viteve të fundit dhe është vënë në 100 skena të botës dhe e jona është e 101. Sipas tij, kjo vepër, edhe pse vendoset në Palestinë, ajo i flet shumë edhe aktualitetit shqiptar, ku ndihet nevoja e komunikimit mes individëve me njëri-tjetrin, por edhe me institucionet. Një komunikim ende i brishtë, ndonëse 28 vjet demokraci. “Mesazhi ynë është që na duhet komunikim dhe jo diktaturë dhe dhunë. Çdo gjë është bërë për njeriun”, thotë Kutali.

Skuadrës së aktorëve i është shtuar edhe një 7-vjeçar, i cili sjell mesazhin e paqes dhe shpresës për të ardhmen. “Çdo projekt i ri është sfidë e re. Kjo vepër është sfidë. Nuk është thjesht fakti që përshkruhet një realitet që është i prekshëm, pasi ajo që ndodh në Palestinë ka qenë gjithnjë e pranishme në edicione lajmesh. Brezi ynë është rritur me problemet e Rripit të Gazës. Por simbolika dhe metaforat që përdor autori janë universale. Ai vë një simbolikë familjare. Një gjetje brilante. Gjithçka që ndodh në këtë hapësirë e sjell përmes një familjeje arabe.

Maskuar

Flitet shumë për Izraelin, po nuk shohim asnjë izraelit. Përmes tyre vjen i gjithë ai gjenocid që nga 1946 deri më sot. Kemi në dorë një tekst brilant në mënyrën e ndërtimit të personazheve, dialogëve suspansës dhe jam i bindur që do vijë mirë te publiku”, u shpreh aktori Alfred Trebicka. Aktori i ri Ismail Shino u shpreh i emocionuar të luajë me pedagogët e tij. Ai luan rolin e vëllait të tretë, që përpiqet të shpëtojë vëllain e madh që akuzohet nga i mesmi si spiun.

Sipas tij, përmes kësaj vepre duan të tregojnë se pushtimi ka format e veta të dukshme, por pushtimi i vërtetë është në mendjen dhe shpirtin e njeriut, në deformimin e vlerave njerëzore. Aktori Arben Derhemi u shpreh se u bënë tri vite që punohet për këtë vepër. “Duam që të sjellim një vepër që t’i flasë publikut. Pas shumë kohësh po kthehemi në skenë me vepër të mirëfilltë teatrore, që i flet publikut, që i flasin historisë së Kosovës, Belfastit dhe çdo historie pushtimi. Një vepër universale”, tha Derhemi. Skenografia e dramës është realizuar nga Ilir Martini, ndërsa muzika nga Mark Luli, i cili ka bashkëpunuar me Kutalin edhe në dy vepra të mëparshme: “Në Lindje të Berlinit” dhe “Rrno për me tregue”.

turbina

“ARTURBINA, SI PALLAT SPORTI”

“Maskuar” do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Kur e pyet aktorin Arben Derhemi se përse u zgjodh kjo skenë dhe jo “ArTurbina”, ai thotë se “Turbina është një pallat sporti. Pastaj, ne duam të punojmë me njerëz, që e duan teatrin dhe jo ta luftojnë atë”. I pyetur nëse do të ngjitet ndonjëherë në skenën e Turbinës, Derhemi thotë se “duhen bërë detyrat dhe do më duhet të luaj edhe unë atje. Ndonjëherë duhet kënduar edhe në pallat sporti”. Ai e krahasoi me fushat e qymyrit kur luhej dikur futboll dhe shkonin në shtëpi të panjohshëm. Sipas kompozitorit Mark Luli, nuk mjafton një mur dhe një tavan për të bërë një teatër. Sipas tij, duhen plotësuar ca kritere. “Por këtë çështje e zgjidhin profesionistët, jo sekserët”, tha Luli.

markuar1

Trebicka: Nuk ka hierarki vlerash

Aktori dhe pedagogu Alfred Trebicka ngriti problemin e cilësisë së pjesëve teatrore që vihen në skenë, por edhe të atyre që ngjiten në skenë. “Ajo që them vazhdimisht është që në përgjithësi prodhimi teatror ka shumë probleme të karakterit profesional. Cilido mund të bëjë teatër dhe thotë jam aktor. I njohim veprat, tekstet, por kur i shohim në skenë, nuk janë ato vepra. Kjo ndodh sepse nuk ka institucione që të bëjnë rregullimin, kritika etj.. Kemi një virozë që kushdo mund të hipi në skenë dhe po ngatërrohem gjellët. Mungon hierarkia dhe seleksionimi profesional i produktit. Teatri është produkt që shkon te spektatori. Është si ushqimi. Produkti duhet të jetë i tillë që të ushqejë shijen e spektatorit”, u shpreh Trebicka. Sipas tij, arti ka diktaturë brenda, duhet t’i bindet një hierarkie vlerash.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura