Apeli i ish-Presidentit: I quajtën “ngelësa” e “dembela”, çfarë duhet të kërkojnë studentët nga…

Dec 8, 2018 | 15:48
SHPËRNDAJE

Nishani-bujar0analizaNga Bujar Nishani

Lëvizja studentore sot është shndërruar në një arenë e vëmendjes mbarëkombëtare dhe një faktor real i tronditjes së situatës politike, sociale dhe shoqërore në Shqipëri.
Qeveria është targeti i vetëm i kësaj Lëvizje (sepse ajo e ka prodhuar problemin dhe vetëm përmes një qeverie mund të zgjidhet problemi)

Sot kur Lëvizja e studentëve po merr përmasa kombëtare ajo ka vetëm një rrezik, izolimin e saj, shkëputjen e studentëve nga shoqëria, nxjerrjen jashtë sistemit e për rrjedhjojë çuarjen drejt përçarjes deri në shuarjen e saj.
Çuditërisht sapo lëvizja mori përmasa të mëdha duke i bashkuar të gjithë në kauzën e tyre, papritur dhe pa asnjë arsye dikush hodhi parrullë “jo politik”, “jo politik”, kur në fakt asnjë figurë politike dhe asnjë përfaqësues partiak nuk ishte çfaqur e as është çfaqur apo ka tentuar të merrë kauzën e tyre.

Çdo student sot në atë shesh por dhe ata që nuk u janë bashkuar akoma është i nevojshëm dhe i pazëvendësueshëm, por i vetëm krejt i pafuqishëm.
Studentët në atë shesh sot janë një faktor i fuqishëm vetëm sepse janë bashkë e ngaqë janë bashkë janë shumë e sepse janë shumë kanë tronditur padrejtësite ndaj tyre.
Studentët nuk janë aty për kapitalin politik të asnjë partie por e vërteta e pamohueshme është se janë aty kundër modelit dhe politikës së një qeverie të caktuar.

Të asaj që e përkeqësoj gjëndjen e tyre me ligjin aktual famëkeq të Arsimit të Lartë, i cili jo vetëm kufizoj më shumë autonominë universitare por reduktoj edhe më shumë financimet qeveritare për të gjitha zërat e jetës universitare e studentore.
Kushdo që mundohet të injektoj tezën “jo politik” thjesht tenton të paralizoj nervin dhe energjinë e papërballueshme të fuqisë së bashkimit studentor, të bashkimit të tyre me këdo që ka humbur të drejtat e veta, dinjitetin e vet, mundësinë për të jetuar në normalitet, këdo që ka humbur shpresën për të jetuar në Shqipëri.  Duan ti ndajnë dhe izolojnë nga prindërit, miqtë, bashkëkombasit e tyre që në fund të fundit bashkohen në një pikë, të gjithë pa përjashtim.

Rikthimin e Shpresës për të jetuar me dinjitet dhe normalitet në vendin e vet.
Studentët bëjnë shumë mirë që nuk lejojnë përfaqësuesit e partive politike të dalin në krye të protestës së tyre, por asnjë parti politike e opozitës në fakt nuk ka çfaqur ndonjë tendencë për të marrë përfaqësimin e protestës. Ditën e parë të asaj proteste pushtetarët u tallen me ta, i quajtën “ngelësa”, i quajtën “dembela”, u thanë se janë “të zhytur në tallava dhe padije”.  Askush nga opozita nuk i fyeu dhe as tentoi të marrë kauzën e tyre.
Në fakt, opozita ka qenë me kauzën e studentëve që nga beteja kundër ligjit të Arsimit të Lartë, pikërisht atje ku filloj poshtërsia ndaj studentëve. Por megjithatë sot në situatën aktuale ky debat nuk ka shumë rëndësi.
Sot situata mund të qartësohet fare mirë se në cilën anë dhe se kush janë në favor dhe ndihmues në zgjidhjen e kërkesave të studentëve.
Nuk është fare e komplikuar.
Ata që më së shumti bërtasim “ jo politik”, “jo politik” thjesht le të kërkojnë dy gjëra.
1. Anullimin e ligjit të Arsimit të Lartë dhe hartimin e një ligji të ri me përfaqësi nga këshillat studentore dhe,
2. Ndryshimin e buxhetit të shtetit në kapitullin për arsimin duke e çuar atë në nivelin që e kanë vendet e Bashkimi Evropian, aty ku është modeli që ne i referohemi.
Këto dy pika mund të specifikojnë pastaj çdo kërkesë legjitime dhe racionale të studentëve duke parashikuar pikë për pikë, në afate dhe financime konkrete, nivelin e tarifave, subvencionin për studentët në nevojë, kartën e studentit, infrastrukturën e jetesës dhe asaj studimore e laboratorike, shkencore dhe gjithshka tjetër që detyrohet nga parimet e kartave të së drejtës universale.
Në të kundërt teza ; “jo politik”, i shërben politikisht vetëm politikës së qeverisë aktuale e cila planifikon dhe shpenzon jo 10 apo 20 milion euro por qindra milion për tendera korruptiv dhe pa asnjë impakt në shërbimin apo interesin publik.
Pushteti që prodhoj këtë ligj abuziv të arsimit dhe që varfëroj çdo ditë e më shumë xhepin e studentëve dhe familjeve të tyre do jetë ekstremisht i kënaqur me atë situatë, madje nuk do çuditemi kur të filloj e tu organizoj edhe ndonjë koncert aty se paratë do vazhdoj ti çoje në xhepat e hajdutërisë dhe jo në auditoret e dijes dhe për ndihmën e jetës së studentëve.
Duket sikur dikush po tenton të devijojë dhe ndryshojë mesazhin dhe qëllimin e kësaj lëvizje. Protesta e studentëve po tentohet të mbushet me thirrjen krejt boshe dhe pa kuptim “jo politik”, “jo politik” dhe gjithmonë e më pak me thirrjet për tarifat, kartën e studentit, konviktet e tyre, auditoret e laboratoret.
Ky duhet të jetë kujdesi dhe vëmëndja e studentëve nëse duan ta ruajnë e ta mbrojnë, kauzën e tyre e mbi të gjitha nëse synojnë që ajo të fitojë.
Suksese e Zoti i bekoftë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura