Anëtarët kërkojnë shkarkimin e drejtorit të AMA, Sala: Nuk jam dakord, ja pse e rikthyem sinjalin

Sep 12, 2018 | 18:15
SHPËRNDAJE

Fikja e sinjalit analog shkaktoi një valë të madhe shqetësimi te qytetarët të cilët reaguan menjëherë ndaj AMA për këtë vendim.

Vetëm një ditë më vonë, drejtori i AMA, Gentian Sala, e riktheu sinjalin duke lënë një datë të dytë për heqjen sërish, atë të janarit 2019.

I ftuar ditën e sotme në “Opinion” në News 24, i pyetur për kërkesën e anëtarëve të bordit drejtues të AMA, të cilët janë shprehur se duan shkarkimin e tij, ai ka thënë se kjo kërkesë është e palogjikshme për faktin e argumenteve që ata kanë përdorur.

Kryetari i AMA, Gentian Sala, duke folur gjate nje mbledhje te Komisionit Parlamentar te Medias, ne nje seance degjimore me drejtuesit e Autoritetit te Medias Audiovizive per Raportin e veprimtarise vjetore te AMA per vitin 2014./r/n/r/nParliament Speaker Ilir Meta, speaks during a session of Education and Means of Public Information Parliamentary Commitee.

“Nuk e shoh që kemi shkelur rregullore. Më duket jo korrekte kërkesa për shkarkimin tim pasi thonë se është shkelur kushtetuta”, tha ai.

Ndërsa sa i përket arsyes së përse vendosi që ta rikthente sinjalin, ai përjashtoi se ka pasur ndikim politik, duke thënë se ishte reagimi dhe shqetësimi i madh i qytetarëve që e  bëri të dilte në një vendim të dytë.

“Nuk ka ndikuar aspak politika në këtë vendim, por pamë që kishte shumë shqetësim tek qytetarët. Në numrin tonë të callcentre, ku janë 4 persona që përgjigjen, në një ditë ka pasur një shqetësim jo normal, 600 telefonata që ditën e parë. Për këtë arsye u rikthye sinjali”, deklaroi Sala.

REAGIMI ZYRTAR PLOTË I GENTIAN SALAJ:

Sqarim mbi dinamikën e procesit të digjitalizimit të transmetimeve audiovizive në qarqet e Tiranës dhe Durrësit

Në cilësinë e kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, pasi u njoha dhe me qendrimin mediatik të disa kolegëve të bordit, po bëj deklaratën e mëposhtme:

Angazhimi në procesin e digjitalizimit për qarqet e Tiranës dhe Durrësit ka qenë dhe është i bazuar në Strategjinë Kombëtare të miratuar nga Këshilli i Ministrave në vitin 2012, gjithashtu bazuar në ligjin 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”. Ka qenë e njëjta performancë nga AMA, si në tre rastet e kalimit nga analogu në numerik të zbatuara hap pas hapi, fillimisht në qarkun e Beratit, e duke vijuar më pas në atë të Korçës dhe të Fierit.

Prej më shumë se një viti kur nisëm të angazhohemi me të tre qarqet dhe deri sa e finalizuam me sukses procesin në to, sigurisht që kemi hasur dhe vështirësi dhe të papritura, por gjithçka është tejkaluar. Vlen të përmendet se askush nga kolegët në Bord, përfshirë dhe ata të qëndrimit të sotëm mediatik, në asnjë rast nuk kanë përmendur ndonjë kontestim mbi procedimin, për shpalljen e afatit për fikjen e sinjaleve analoge brenda territorit të qarkut, për renditjen e kanaleve në platforma etj.

Në rastin e fundit të zbatimit të kalimit nga analogu në numerik për qarqet e Tiranës dhe Durrësit, me një popullsi dhe territor disafish më shumë u shfaqën problematika, kryesisht nga mospajisja në kohë e qytetarëve me dekodera. Ndaj dhe u vlerësua shtyrja 4 mujore e procesit, si një zgjidhje tranzitore që u jepte kohë qytetarëve që nuk mundën të pajisen me dekoder brenda afatit. Për të qenë të sigurtë, që ashtu sikundër nuk u la asnjë operator audioviziv jashtë këtij procesi, të mos mbetej pa marrë shërbim përmes teknologjisë numerike dhe asnjë qytetar.

Duke marrë në konsideratë dhe interesimin e lartë të qytetarëve në këto ditët e fundit, mbi ecurinë e procesit të kalimit nga transmetimi analog në atë digjital, sidomos për pajisjen me dekodera, po përmend disa aspekte me qëllim sqarimin e tyre.

Sa i takon aplikimit të teknologjisë DVB-T2, ju bëjmë me dije se vendimi për këtë nuk është i tanishëm, por që në momentin e miratimit të Strategjisë Kombëtare për Digjitalizimin në vitin 2012, gjithashtu sanksionuar edhe në Ligjin 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Askush nuk mund të konsiderojë si të pavlefshëm televizorin e tij, pavarësisht viti i prodhimit apo marka, pasi me vënien në përdorim të dekoderit, çdo televizor bëhet i përdorshëm me teknologjinë e re.

Kompanitë e mëdha tregtare që shesin dekodera për popullatën janë të pakten tetë, pa përfshirë këtu njësi të tjera më të vogla që u ofrojnë qytetarëve zgjedhje të ndryshme.

Sa i takon parametrave teknike dhe teknologjikë të dekoderave, ato janë përcaktuar në mënyrë rigoroze me vendim të Bordit të AMA-s dhe të Këshillit të Ministrave, dhe të zbatueshme nga autoritetet doganore shqiptare.

AMA po bën verifikimin e zbatimit të kërkesave për listimin e kanaleve në dekodera, në përputhje me vendimet e saj, dhe së shpejti do të bëjë publike rezultatet.

Fushata për informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut për procesin e digjitalizimit, zhvillohet prej rreth dy viteve, duke u konsideruar fushata me kohëzgjatje më të madhe krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Janë realizuar rreth 300 emisione me pjesëmarrjen e specialistëve të AMA-s, por dhe ekspertëve të fushës, shoqëruar me transmetimin periodik të spoteve të dedikuara për fushatën e ndërgjegjësimit dhe informimit në mediat klasike dhe ato të reja.

Janë shpërndarë 88 mijë dekodera për familjet që janë pjesë e skemave të ndihmës ekonomike nga buxheti i shtetit.

Në mënyrë të përmbledhur angazhimi i AMA-s dhe shtetit shqiptar në këtë proces është:

AMA është investuar maksimalisht për uljen e ndjeshme të tarifës së mbartjes së televizioneve lokale në numerik, nga 5760 euro/muaj që ishte projektuar fillimisht në rreth 2150 euro/muaj.

Kostot e transmetimeve numerike të operatorëve lokale do të mbulohen nga shteti gjatë vitit të parë. Me anë të të ardhurave që do të sigurohen nga akordimi i brezit të Dividendit Digjital, në teknologjinë mobile.

Sot nuk ka asnjë subjekt audioviziv që të transmetojë pa licencë, në një kohë që para datës 10 shtator, 2018, për qarqet e Tiranës dhe Durrësit ky fenomen ka qenë shumë shqetësues, ku operohej në mënyrë të paligjshme në 11 frekuenca.

Nisur nga zhvillimet e fundit, AMA angazhohet që të intensifikojë edhe më shumë fushatën e informimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për ta bërë atë sa më kapilare në dobi dhe interes të publikut.

***

Shkresa e plotë e anëtarëve të AMA:

Tiranë, 12.09.2018

NJOFTIM

Sot anëtarët e Bordit të AMA z. Sami Nezaj, zj. Suela Musta, z. Agron Gjekmarkaj dhe z. Zylyftar Bregu, kërkuan në mbledhjen e Këshillit të AMA, mbajtur sot me 12.09.2018, që të nisin  procedurat e largimit nga detyra të kryetarit të Autoritetit, z. Gentian Salaj, bazuar  në nenin 12 të Ligjit për Transmetimet Audiovizive.

Kjo kërkesë vjen pas vendimit të AMA dhe kryetarit Salaj, për të mbyllur transmetimet analoge në datën 10 Shtator, pa njoftuar dhe mbledhur  paraprakisht Bordin vendimarrës të institucionit.

Anëtarët Nezaj, Musta, Gjekmarkaj dhe Bregu, konstatuan përgjegjësinë direkte individuale të Kryetarit të AMA për situatën e rëndë të krijuar me mbylljen e transmetive analoge, duke shkaktuar pakënaqësi të ligjshme tek qytetarët.

Sipas anëtarëve Nezaj, Gjekmarkaj, Musta dhe Bregu, ky vendim i mbylljes së menjëhershme të sinjalit televiziv analog shkaktoi shkelje masive të së drejtës kushtetuese të qytetarëve për informim, e mbrojtur kjo nga Kushtetuta e Shqipërisë.

Anëtarët shprehën shqetësimin se qytetarët në qarqet Tiranë dhe Durrës u gjendën të papërgatitur dhe të painformuar për mbylljen e sinjalit analog dhe kalimin në transmetim dixhital.

Anëtarët sollën në vëmendje se shteti dhe institucionet e tij kanë detyrimin jo vetëm të njohjes së të drejtave kushtetues formalisht (përfshirë të drejtën e informimit), por edhe të garantimin e tyre në praktikë.

Anëtarët kërkuan që të informohet sa më parë edhe Komisioni parlamentar i medias për cështjet që lidhen me dixhitalizimin e transmetimeve audiovizive, si dhe përgjegjësinë e Kryetarit të AMA-s për situatën e krijuar nga mbyllja e transmetive analoge, pa njoftim dhe vendimmarrje të Bordit vendimmarrës të institucionit.

Anëtarët:

Sami Nezaj

Suela Musta

Agron Gjekmarkaj

Zylyftar Bregu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura