“Andropauza” politike e Ramës

Sep 21, 2020 | 10:00
SHPËRNDAJE

FATBARDH KADILLI

FATBARDH KADILLI

Mos e ndërprit asnjëherë armikun kur është duke gabuar, thoshte Bonaparte. Por, Rama nuk është duke gabuar. Ai thjesht ka shteruar. I gjithë komunikimi politik i Ramës dhe i dishepujve të tij me këpucë të lehta është shteruar. Sado që të përpiqet të shtojë praninë e tij mediatike, sado që të shtojë mjetet dhe formatet e reja të komunikimit, sado që ta shtojë listën e atyre që ia shfaq publikut si matrioshkat e tij, kjo maxhorancë dhe vetë Rama nuk përcjellin asgjë të re politike. Politika e tij ka shteruar. Rama është duke përjetuar “andropauzë” politike.

Prej disa javësh e ka përshpejtuar dhe e ka shpeshtuar komunikimin. Përditë në rrjete shfaqen promo të mesazheve të kuruara me shumë kujdes. Por në këto mesazhe nuk gjen asnjë impuls. Sot, ai shfaqet para shqiptarëve jo vetëm pa ide politike, por edhe pa atë spontanitetin e njohur skandalist që ia ka mbuluar shpesh mungesën e vizionit politik. Ai e ka filluar tashmë fushatën për t’u kërkuar shqiptarëve një mandat të tretë. Për këtë është duke e përdorur të njëjtën qasje të dështuar të paraardhësve të tij. Thelbi i asaj çfarë përcjell kjo fushatë e tij është: “shikoni çfarë kam bërë unë në qeveri”. Më votoni për ato çfarë kam bërë. Prova më e fortë për shterimin është pikërisht kjo qasje. Është e njohur botërisht se, kur ata që janë në pushtet e bazojnë kërkesën e besimit të votuesve te ‘punët që janë kryer’ gjatë qeverisjes apo të atyre që serviren si ‘fakte’ nga zyrat e qeverisë, maxhoranca thjesht ka shpallur dështimin. Për ta thënë me shprehjen e ditës, thjesht, “ka kry punë”. Kjo qasje e dështuar është konfirmuar të paktën në dy palë zgjedhje në Shqipëri. Në 2005 dhe 2013. Ne, me punët e mëdha publike dhe Nano, me “faktet” e sukseseve të qeverisjes së tij, provuam që qytetarët nuk votojnë të shkuarën, por duan propozimin e së ardhmes. Fushata e tij ka nisur me këtë shterpësi. Askush nuk voton për çfarë ke bërë edhe sikur ato qe ke bërë të jenë vërtet madhore. Qytetarët duan të ardhmen. Qytetarët votojnë ardhmërinë.

Prova tjetër që Rama është në “andropauzë” politike është edhe fakti i trishtuar politik që pas 8 vjetësh Rama rikthen në krye të punëve politike po ata individë që kishte në 2013. Drejtuesit në qarqe janë po ata. Madje, në disa qarqe janë rikthyer drejtuesit e vjetër, pasi dështuan investimet e reja politike. Ata që tre vjet më parë i largoi nga qeveria për konsumimin e skajshëm politik në postet e tyre ministrore, sot janë kthyer në drejtimin e qarqeve. Për elektoratin këta janë përfundimisht të shënjuar nga fati i qershive të “thara” të Nastradinit. Kjo është simptoma e dytë e “andropauzës” politike. Rama nuk është në gjendje të prodhojë dot dishepuj të rinj që t’ia propozojë vlerësimit politik të elektoratit. Nuk motivon dot asnjë prurje të re politike. Provoi me disa figura, të cilat, edhe pse mbajnë funksione ministrore, nuk i njeh askush. Nuk i thonë asgjë elektoratit.

Futja e duarve në Reformën Zgjedhore është prova e tretë e “andropauzës” politike të Ramës. Ndryshimet e njëanshme dhe pa konsensusin e opozitës të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, përpjekja e dështuar për të vendosur komisionerët “civilë”, si dhe loja me numrin e mandateve të qarqeve janë qartësisht shpresa e vetme e tij për të mbajtur pushtetin. Shterimi i ideve dhe propozimit politik dhe zvogëlimi i protagonizmit politik përfaqësues e kanë bërë që të ndërhyjë pa asnjë kujdes dhe maskim në skema për grabitjen e pushtetit. Nuk i ka mbetur më asnjë mjet dhe asnjë segment i nëndheshëm për të kapur pushtetin, veçse duke u shfaqur vetë si ideator dhe avokat i skemave grabitëse. Ngushtimi i lakut do ta bëjë edhe më të dukshëm rrënimin e tij.

Edhe pse fushata sa ka nisur dhe zgjedhjet e 25 prillit duket se janë larg, Rama nuk ka asnjë mundësi që të ndryshojë asgjë në kohën e mbetur. Sepse nuk është çështje kohe. Koha punon në dëm të tij. Në muajt e mbetur, ai do të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë. Sepse, ai nuk është duke gabuar. Ai thjesht ka mbaruar. Ai është i pari që e ndjen shterpësinë e tij. Asgjë nuk ia shëron dot shterimin. Ka vetëm një lehtësim për atë. Të pajtohet me fatin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura