Anastasia, një film kundër obezitetit te fëmijët

Sep 10, 2012 | 13:21
SHPËRNDAJE

Kantautorja që rreth 10 vjet më parë ka luftuar kundër kancerit të gjirit, tani ka ndërmarrë një luftë tjetër, por jo më për vete. Ajo luan në një film të Valerio Zanolit, ku luan veten. Filmi titullohet “All you can dream” dhe promovon luftën kundër obezitetit te fëmijët.

Kantautorja nga Çikagoja ka zgjedhur një produksion italian për t’u ngjitur në skenë dhe për herë të parë të recitojë dhe jo të këndojë. Anastasia, këngëtarja me zërin e “zi”, do të interpretojë vetveten në filmin “All you can dream”, për të promovuar luftën kundër obezitetit te fëmijët. Një prodhim i Valerio Zanolit, i cili është prezantuar së pari në Giffoni Film Festival, ku historia prekëse që trajtohet në të është pritur me shumë duartrokitje. Filmi tregon historinë e Suzit, një vajzë mbi peshë, e cila ëndërron të bëhet këngëtare. Një ëndërr që pengohet nga pamja e saj e jashtme, e cila jo rrallëherë vihej në shënjestrën e batutave të bashkëmoshatarëve apo kritikave gjatë audicioneve ku paraqitej. Mungesa e vetëvlerësimit dhe të ndjerit në siklet e frenonin Suzin, deri ditën kur rigjen forcat dhe bindjen për të çuar përpara ëndrrën e saj. Vendos kështu të ndjekë shembullin e këngëtares së saj të preferuar, Anastasia, dhe merr pjesë në seleksionimet për një talent shou.
Një surprizë dyfishe për vajzën, e cila jo vetëm ia del mbanë në seleksionime, por takon edhe muzën e saj, Anastasian, e cila është pjesë e jurisë së konkursit. Ashtu si filmi, edhe historia personale e yllit të popit dhe aktores debutuese pati një fund të lumtur disa vite më parë. Sot e shohim mbi skenë, në një formë shumë të mirë dhe së shpejti do ta shohim në ekranin e madh, por gati 9 vjet më parë, Anastasia, 44-vjeçare, me 238 disqe të arta dhe platin dhe mbi 50 milionë kopje të shitura albumesh dhe hitesh, është përballur me luftën kundër kancerit të gjirit. Anastasia pati guximin të luftonte dhe ta fitonte luftën e saj. Kjo është edhe arsyeja pse ajo është gjithnjë e gatshme të bëhet pjesë e fushatave që sensibilizojnë një jetë të shëndetshme dhe luftën kundër kancerit. Dhe së fundi, me filmin ku ajo luan, është bërë pjesë e luftës kundër obezitetit te fëmijët.

Obeziteti në shifra
Obeziteti është një problem që ka prekur gati 2 miliardë njerëz në botë. Në vendin tonë fqinj, Itali, 42,5% e burrave dhe 26,5 e grave janë mbi peshë. Situata është edhe më e rëndë nëse flitet për fëmijët. Në vendet e Perëndimit, 34,1% e fëmijëve nga 6 deri në 9 vjeç kanë kilogramë më tepër seç duhet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura